Blerina Pëllumbi: Libri u dedikohet grave shqiptare që rrëzohen por me forcën e tyre ngrihen dhe shkëlqejnë…

Intervistë me shkrimtaren, Blerina Pëllumbi

Intervistën e realizoi: Fatmir Gjata

E kam njohur Blerinën në fillimet e saj, kur sapo kishte shkruar librin e saj të parë dhe ndoshta isha ndër të parët që lexova dorëshkrimin. Që atëherë kanë kaluar disa vite dhe sot ajo është autore e disa romaneve, libra me tregime dhe poezi. Blerina Pëllumbi (Demo) ka fituar së fundi çmimin si “Finalist Autor i vitit 2025”, në konkursin më të madh botëror të librit që u zhvillua nga “IMPAKT BOOK AWARDS” në SHBA, me librin e saj të parë të krijmtarisë së saj. Ky libër titullohet “Lotët e një gruaje” dhe në gjuhën anglisht “Tears of a Woman”.

Znj. Blerina si e ndieni veten mbas këtij lajmi kaq të bukur?

-Pas këtij lajmi ndihem më shumë se e emocionuar, jam e prekur, madje edhe sot sytë e mi shpesh herë mbushen me lot sepse fitorja e këtij çmimi në konkursin “Impakt Book Awards” është një tregues që ky libër ka vlerë dhe për lexuesit e huaj sepse vetë ky çmim jepet kur libri lë një impakt një ndjesi në përmasa ndërkombëtare. Ajo që më emocionoi më shumë është dhe se ky çmim do jepet në një nga sallat e Hollywood-it nga zonja NIM STANT drejtuesja e Impakt. Unë gjithashtu ndihem krenare që këtë çmim e merr gruaja shqiptare me një libër që i dedikohet po grave sidomos atyre që ju këputet jeta në mes, atyre që rrëzohen por me forcën e tyre ngrihen dhe pse jo shkëlqejnë më shumë se yjet ashtu si dhe libri im “Lotët e një gruaje” i cili do të shkëlqejë në Hollywood.

– Libri “Lotët e një gruaje” është autobiografik. Lindi si një nevojë e juaja për të thënë të vërtetën tënde apo për të lehtësuar veten nga pesha e vuajtjes?

-Libri “Lotët e një gruaje” është krijuar si roman, si fiction dhe ka fituar çmimin ndër romanet më të mira fiction në botë. Unë e kam krijuar librin në atë formë ku çdo grua nënë apo vajzë të gjejë një copëz të saj por libri përveç dhimbjes tregon vërtet karakterin e gruas shqiptare tregon sa të forta janë nënat tona. Është e vërtetë që ajo që më bëri të shkruaja është dhimbja, por tek shihja pas asaj dhimbjeje një grua aq të fortë dhe aq humane, aq të pamposhtur vendosa ta bëj libër për t’i treguar gjithë botës forcën e saj, bukurinë e shpirtit të saj, një bukuri shpirtërore që i qëndroi kohës  edhe pas shumë rrëzimeve, dhe ja sot një grua e tillë është pjesë e një suksesi në përmasa të tilla. Pikërisht këtë forcë të saj përzier me dhimbje të paimagjinueshme, doja t’i tregoja botës pikërisht atë GRUAN E VËRTETË SHQIPTARE

– Ju jeni një grua e fortë, këtë e tregon edhe fakti që nuk jeni dorëzuar kurrë përballë vështirësive duke pasur edhe dy fëmijë. Nga e gjen këtë forcë Blerina? Tek shkrimi? Tek puna?

-Është e vërtetë unë kam rritur dy fëmijë e vetme por në vështirësi shumë ekstreme. Mendoj se forcën çdo grua në situatat që unë kam qenë e gjen tek durimi, shpresa por dhe te shpirti. Nuk mundet të mendohet e ndonjëherë ka njerëz që nuk e besojnë por shpesh herë më është dashur të bëj nga dy punë por dhe edhe kur duart e trupi më dhimbnin nga puna e rëndë, sytë e mi shkëlqenin kur botoja një libër qoftë edhe në pak kopje. Unë gjithmonë kam ditur vlerat e vetes madje edhe këtu në Francë kur erdha e u përballa me një jetë të vështirë i thoja vetes “Kurajo Blerinë, ti do ja dalësh të shkëlqesh sepse ti nuk je e parëndësishme, ti ke vlera të mëdha në shpirt”. Pak a shumë shkrimi ma ka mbushur shpirtin, më ka zbukuruar ditët e mia. Atë kohë pak të mbetur unë ja dedikoj shkrimeve dhe kjo më lumturon. 

– Si u bë Blerina Pëllumbi shkrimtare? Ish një ndjenjë e mbajtur brenda për një kohë të gjatë edhe shpërtheu apo një çast kur menduat se ish e vetmja mënyrë për të shprehur çka ndjeni?

-Kur unë kuptova që jeta ka shumë vështirësi por t’i kapërceje ato në radhë të parë duhet forcë e madhe por dhe vetvlerësim duhet gjithmonë ta duash veten por dhe të japësh më të mirën e vetes në çdo situatë, pikërisht aty unë kam filluar të shkruaj dhe kur kam filluar ka qenë viti 2014, unë kam shkruar në një moment shumë të vështirë të jetës sime dhe kam gjetur një email tuajin e ju nisa librin në email. Ajo që kisha shkruar ishte thjesht një histori e shkruar në pak fletë. Ju më jeni përgjigjur dhe thjesht ju erdhi shumë keq mbaj mend si sot fjalët tuaja… Po pse kjo jetë kështu çfarë kini prishur kishë apo xhami moj vajzë… u preka por dhe më dhanë kurajo ato fjalë duke i thënë vetes që një grua është e fortë. Pastaj unë e ripunova librin dhe e kam botuar në 2018, por libri pas disa vitesh u ribotua përsëri dhe librin e fundit të ribotuar që është edhe libri fitues do gjej kohë t’ua ridërgoj.

– Cilët organizma ju kanë mbështetur në punën tuaj si autore apo jeni ‘self made women’?

-Mua nuk më ka ndihmuar asnjë organizatë. Librat i kam botuar gjithmonë në pak kopje dhe këto libra qëndrojnë tek unë ose janë dhënë dhuratë. Akoma nuk i kam futur librat nëpër librari. Kam punuar e vetme dhe mendoj se kjo është gjëja më e bukur që i bën të shkëlqejnë librat e mi. Unë në librat e mi kam shkruar më shumë për histori të vërteta jete janë ato histori që më ndezin llambën e shpirtit për të shkruar.

– Ka pasur raste kur keni hedhur penën dhe keni thënë; mjaft, nuk shkruaj më?

-Që në momentin që kam filluar të shkruaj penën nuk e kam hedhur asnjëherë. Unë kam shkruar edhe kur situatat kanë qenë ekstremisht të vështira. Po ju tregoj vetëm një fakt këtu në Francë. Unë punoja çdo ditë punë fizike duke u çuar në orën 4 të mëngjesit edhe kur temperaturat këtu ishin minus e duart e mia ngrinin e kishin plagë nga larjet me kimikate që unë bëja si punë nëpër restorante por krahas kësaj shkoja çdo ditë punoja në kompjuterin tim të vjetër që e kisha si pasurinë e vetme që mora nga Shqipëria dhe për të punuar shkoja në një kafe që lidhja internetin me valë sepse nuk kisha internet në shtëpi… Aty unë punova përreth një vit që përktheva librin tim në frëngjisht me ndihmën e një mësueseje frëngjishteje. Edhe pse puna ishte më se e vështirë akoma më e vështirë u bë kur këtë libër me dëshirë që të botohej nga një shtëpi botuese franceze unë e paraqita në disa shtëpi botuese por në momentin që ata kuptuan që isha pa dokumente ma refuzuan ky ishte trishtim i madh për mua. Për shkrimtarin libri është si fëmija më dukej sikur ai libër do vdiste e ëndrra ime do shuhej e megjithatë mbaj mend që në punë shkoja me lot në sy sepse puna që kisha bërë ishte aq e madhe sa nuk di si ta përshkruaj por kur nuk po vlerësohej u trishtova. Ato momente i telefonova zotit Kujtim Hajdari ai më tha këto fjalë. “Ata që e kanë lexuar librin tënd ku t’i do ta botosh nuk janë profesionistë të librit ata të shohin si lekë por  jo si shkrim”… Z. Kujtim më ndihmoi që ky libër të vijë në gjuhën snglisht të botohet në Amazon dhe të ketë sukses të madh sot. Është bukur të rrethohesh nga njerëz humanë që të mbështesin me gjithë mundësinë e tyre. Dhe unë kam ecur përpara dhe  asnjëherë nuk e lëshova penën. 

Pas punës së vështirë që bëja shkoja çdo ditë tek kafja e qytetit që quhet Kafe Thiers. Aty u lidha me internet dhe aty finalizova dy librat e mi në gjuhë të huaja. Asnjëherë nuk kam reshtur së shkruari dhe do të vazhdoj të shkruaj madje lexuesit e parë të librit tim në Francë, ishin pronarët e kafes. Nuk harroj gëzimin e tyre kur morën librin ata më falënderuan dhe dhanë përshtypjet e tyre për librin. Pikërisht kjo ishte finalja ime e parë një gëzim që libri ju kish lënë aq shumë mbresa dhe i kishte bërë ata të lotonin dhe të emocionoheshin aq shumë nga libri “Lotët e një gruaje”.

– Ju tashmë keni jetuar në shumë vende. Përjetimi i një Odiseje të tillë ju ka ndihmuar në letërsinë tuaj? Ku jetoni tani dhe me se merreni?

-Unë mendoj se ky udhëtim në disa shtete të botës me ka formësuar për mirë edhe si njeri. Nuk jam mposhtur asnjëherë nga e panjohura. Një shkrim i imi thotë: “Mos ki frikë nga e panjohura por nga boshllëku i shpirtit tuaj”. Kur ke gjithmonë brenda vetes, mund të japësh dhe të marrësh më të mirën dhe unë këto eksperienca pune edhe pse të vështira i ktheva në krijim. Unë tani jetoj në Francë kam rreth 4 vite këtu.

– Cilat janë shpresat në këtë finale meqënëse libri juaj është pritur kaq ngrohtë në Amazon? Apo nuk guxoni t’i shprehni për të përjetuar deri në fund këtë ëndërr të bukur?

-Unë thjesht po shijoj ëndrrën me shumë emocion sepse titulli që mbaj ndriçon gjithçka timen. Unë lumturohem për emrin e bukur grua që kam dhe që ky emër ka lënë mbresa dhe në një juri kaq të madhe siç është IMPAKT BOOK AWARDS  Dhe përderisa unë do jem në tapetin e kuq të Hollywood-it me librin tim në dorë mendoj se brenda vetes sime jam me shumë se sa një fituese.

– E kishit menduar ndonjëherë që një ditë do të shkelnit tapetin e kuq në një skenë aq të madhe botërore?

-Kur unë kam filluar të shkruaj librin e kam shprehur me gojë në shumë njerëz që ky libër do arrijë në Hollywood dhe do të bëhet film madje ka e dëshmimtarë për këtë, ka dhe nga ata që më quajtën të marrë kur shihnin para tyre mua, një grua me duar të çara nga puna e me sy të enjtur nga nata që unë punoja mbi libër… por ja që unë “e marra” e fitova këtë çmim. Është bukur të ëndërrosh por të ndjesh ëndrrën tënde e ta prekësh atë është akoma më bukur dhe kjo e fundit do forcë brënda në zemër.

– Doni të falenderoni dikë për mbështetjen që ju ka dhënë në këtë rrugë kaq të lodhshme e të bukur? Prindërit tuaj, fëmijët? Si po e përjetojnë këtë lajm kaq të bukur?

– Në radhë të parë dua të falënderoj atë grua të fortë që zoti krijoi brenda meje që edhe sot ajo grua edhe pse afër të 50-tave vazhdon të punojë mbi 10 orë punë fizike dhe natën vonë ose në ditë pushimi shkruan libra, falenderoj zotin që krijoi brenda vetes sime një grua të tillë, falënderoj dy prindërit e mi babain Luan Demo dhe ëngjëllin tim nënën time Lirije Çela dhe ëngjëllin tim po ashtu vëllain tim të vogël Olsi Demo i cili gjithmonë kur mbështetej në shpatullat e mia thonte: “Motër ti je e madhe, ti do shkëlqesh” ai lexonte libra dhe sot i them faleminderit vëllaçko ti je në shkëlqimin tim si drita më e bukur”. Falënderoj familjen e cila më shkolloi dhe edukoi por mbi të gjitha ata më mësuan durimin dhe guximin për te jetuar jetën edhe përtej vështirësive, falënderoj fëmijët e mi Erjenin i cili sot është autor i kopertinave të librave të mi dhe një grafik dizanjer i shkëlqyer plot talent gjithashtu dhe vajzën time Xhulja sepse ata kanë qënë busulla dhe drita e syve të mi, falënderoj dy përkthyesit znj Liljana Guda dhe z Kujtim Hajdari sepse ata më mundësuan që unë të flas me botën e huaj, falënderoj gjithashtu të ata që u munduan të më marrin buzëqeshjen, ata që më rrëzuan e më hodhën në rrugë si diçka të pavlerë sepse ata më mësuan dhe inkurajuan si të buzëqesh me shpirt dhe zemër, si të qëndroj e fortë në heshtje dhe pikërisht sot t’ju tregoj më shumë se kurrë vlerën dhe shkëlqimin e asaj gruaje që ndodhet brenda meje. Gjithashtu ju falënderoj juve zoti Fatmir sepse jeni jo vetëm krijues por një njeri në radhë të parë human sepse kini dhënë mbështetjen tuaj emocionale që në hapat e parë të librit. Respekt mirënjohje për ju dhe gjithë penat shqiptare kudo nëpër botë.

– Planet tuaja për të ardhmen? Romane të rinj? Poezi?

-Unë jam duke punuar përsëri dy libra në gjuhë të huaj në frëngjisht po punoj librin “Psikologji dhe ndjenjë”, një libër motivues ky që lidh botën emocionale të njeriut me botën reale dhe po përkthej një libër me poezi në anglisht me titull “Në qiellin e ëndrrave” gjithashtu paralel me këto po shkruaj romanin e radhës me titull “Lypësja që kërkonte njeriun” gjithashtu një libër me thënie të miat e çdo ditë shkruaj poezi.

-Ju falenderoj për intervistën duke ju uruar suksese të mëtejshme në punë e në jetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

“FUQI”, POEZI NGA FATMIR GJATA