Blerina Rogova Gaxha: Easy Life

blerina rugova gaxha

Kjo ese botohet në bashkëpunim me rrjetin letrar TRADUKI, si pjesë e projektit “Archipelago Yugoslavia – From 1991 to Today”.

            

Babait tim nuk i pëlqen të kuvendojë me njerëz. As të tregojë histori. Rrallë flet dhe kur flet, flet pak. Nuk foli fare as atë ditë shtatori 1990. U kthye i heshtur nga puna dhe u mbyll në dhomën e vet.

Është e vështirë ta kuptosh përmbysjen e tjetrit. Edhe më e vështirë përmbysjen e një njeriu të mbyllur në vete. Im atë është Inxhinier i Makinerisë dhe atë kohë udhëhiqte fabrikën e Energjetikës në Industrinë e metaleve Metaliku në Gjakovë, një qytet në jugperëndim të Kosovës e në kufi me Shqipërinë. Nëna ndërkaq, punonte në njërën nga ndërmarrjet e tekstilit po në Gjakovë. Të dy u dëbuan nga puna atë ditë vjeshte, pasi nuk nënshkruan deklaratën e lojalitetit ndaj Serbisë. Ata refuzuan, siç refuzuan mijëra të tjerë.

Prindërit e mi u lindën në kohën kur po fillonte eksperimenti jugosllav, unë u linda në kohën kur ky eksperiment po dështonte. Të tre, në një pjesë të jetës, do ta jetonin atë që jugosllavët e quanin “bolji život”. Jugosllavia socialiste qe një projekt i përbashkët në të cilin për disa dekada, popujt që e përbënin kanë pasur jetë më të mirë, me përjashtim të nacionaliteteve të vogla si shqiptarët. Por idilën jugosllave nën doktrinën e vëllaznim-bashkimit e kemi ‘shijuar’ nga pak që të tre. Parrulla e famshme, moto e Jugosllavisë dhe liderit të saj, Titos, gjeneratën e prindërve të mi do ta prirte drejt utopisë “se paqja do të zgjasë njëqind vjet”, ndërkaq jehona e saj gjeneratës sime do t’ia përkujtonte përditë “se lufta mund të nisë nesër” dhe ashtu ndodhi, lufta vërtet niste të nesërmen dhe çdo herë me mjete të tjera.

‘Bojli život” nuk qe kurrë një ‘easy life’ për shqiptarët e Kosovës. Fillimi i 90-tave do t’i fshinte parrullat e vëllaznim-bashkimit e të paqes së përbashkët, duke u pasuar me armiqësinë dhe kujtesën e bashkëjetesës. Jeta e përbashkët akoma i bën hije kryeqendrës së Kosovës dhe lavdi i saj për dikë është i bardhë e për dikë i zi. Mes dy hijeve, ka në mes një tjetër ngjyrë. Im bir nëntë vjeçar, habitet njëjtë sa herë kalojmë pranë Përmendores së Vllaznim-Bashkimit: kjo përmendorja e shëmtuar me emër të çuditshëm! Habia i mbetet edhe pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ish-Boro-Ramiz. Ia rrëfej historinë e dy partizanëve të quajtuar heronj të Jugosllavisë, njëri serb e tjetri shqiptar, dhe emërtimin simbolizues të unitetit të dikurshëm mes dy etniteteve. Ai çon krahët.

Hija dhe fuqia e arkitekturës komuniste është shkrirë në vazhdimësinë e jetës së përditshme dhe besnikërinë e qytetarëve që kalojnë andej, por edhe në habinë e fëmijëve të lindur vonë, si im bir, që pyesin për dinosaurët e komunizmit. Objektet që përfaqësojnë mitin komunist, kanë ruajtur me këmbëngulje identitetin e vet, reprezentues i një të shkuare të afërtë. Vdekja e mitit të vëllaznim-bashkimit ndërkaq, do të pasohej nga kohë të dhunshme e fatkeqësi historike. Vdekje si frymëmarrje e gjatë, e ngadalshme, që rrjedh si lumë i madh drejt humnerës.

Rënie në katastrofë qe edhe ajo ditë shtatori, kur prindërve të mi karriera profesionale iu  rrënua si kullë prej letre. Nëna ndonjëherë flet për shtatorin e ‘90. Kujton se si i gjithë mundi dhe sakrifica disa vjeçare për një jetë më të mirë, u shlye brenda natës, jo vetëm duke e bërë të pakuptim, por edhe duke e destabilizuar,  në mënyrë të pakthyeshme, vetë mundësinë e ndonjë vazhdimësie të strukturuar në jetën e tyre të mëpastajshme.

Një vit më parë, në pranverën e vitit 1989, Kosovës iu hoq statusi i Krahinës Autonome në Federatën Jugosllave, themeluar më 1974, nga lideri i saj Josip Broz Tito. Zhveshja nga autonomia e vuri Kosovën nën pushtetin e Serbisë dhe nën çizmen e një lideri të ri. Fillimi i dekadës do ta kthente përmbys jetën e prindërve të mi dhe fëmijërinë time. Nën gjendjen e jashtëzakonshme policore, jeta e zakonshme u bë e panjohur. “Easy life” tashmë do t’i takonte një epoke tjetër.

Isha e vogël, ndaj ndryshimet nuk m’u dukën të mëdha. E vërtetë që kish ndryshuar rutina e përditshmërisë, babai e nëna rrinin më shumë në shtëpi. Dhe ngadalë, lëvizjet tona nisën të kufizohen, shëtitjet e fundjavave të pakësohen, siç pakësohej edhe tryeza e ushqimit. Gjithçka po tkurrej, edhe njerëzit. Kjo tokë do të bëhej atdheu i humbur për shumë emigrantë që ia mësyn Perëndimit të Evropës e tokave përtej kontinentit. Për tim atë nuk kish vend për ‘atdheun e humbur’ por tokën që duhej ruajtuar. Ai kishte një kult të patriotizmit vetanak, të cilin zor se e shfaqte, por i vinte nga historiku familjar: gjyshin ia vranë partizanët komunistë, e babën ia rrënuan tek e detyruan familjen të zhvendosej në qytete të tjera, për arsye tendencioze të ashtuquajtura ‘politike’.

Gjendja e jashtëzakonshme dhe masat e dhunshme e shqetësuan shumë jetën e përditshme që me zor provonte të dukej normale. Në mesin e së keqes dhe përpjekjes për ta injoruar ndryshimin e madh politik, ekonomik e edukativ, në mesin e një jete që po copëtohej, im atë, darkave të gjata të së shtuneve, kthehej në kohën e studimeve në Zagreb të Kroacisë dhe rrëfente histori të ndryshme të asaj çfarë dukej si koha më e bukur e jetës së tij. Rrëfente po ashtu edhe për udhëtimet nëpër Evropë gjatë viteve ‘70 e ‘80, lëvizje që për kosovarët mund të kufizoheshin nga të ardhurat, por jo nga pasaporta. E dëgjoja me kurreshtje, sepse ishin të vetmet histori që kishte qejf t’i rrëfente. Nëpërmjet tyre e shfaqte veten dhe kështu mund ta njihja më mirë – aty lindtte rrëfimi i tij dhe dashuria. E dëgjoja dhe ëndërroja jetë të tjera, realitete të tjera, tokë të tjera. Çfarë kishte përtej ekzistencës sonë, përtej kufirit të kësaj bote kërcënuese? Përtej rronte e panjohura dhe unë u mësova të banoj vetëm në shtëpinë time. Nuk udhëtonim më. Vetëm ndonjë vit, iknim për pushime të verës në bregdetin e Malit të Zi, në qytetin e Ulqinit në kufi me Shqipërinë, në të cilin kishim një kabinë vere.

E vizatoja botën dhe vendet ashtu siç i imagjinoja. Pa guxuar të pyes: ku është kufiri? Kufijtë qenë të ndryshëm- politikë, ekonomik, gjuhësor, kulturor, qofshin edhe kufij të padukshëm, por ata na ndanin nga bota tjetër. Bota tjetër, ishte tjetër, e unë një ëndërrimtare e madhe. Të ëndërrosh është një dënim, po këtë ‘dhunti’ nuk e cënon askush, dhe unë kisha vetëm veten për t’ia rrëfyer ëndrrat. Liria qe ëndërr e bukur – ëndërr prej mëndafshi. Ëndërr e bukur qe edhe ajo për revolucionin – ëndërr e arrnuar copë-copë. Zotat që janë të drejtë në padrejtësinë e tyre na dhuruan ëndrra të mëdha. Të gjitha ishin njëlloj ëndrra. E ndonëse nuk i shoh ma, më kujtohet ëndrra të cilën ndieja sikur e prekja me dorë, në rrugë, aty ku ndodhte e jashtëzakonshmja. Ëndrra ime për lirinë jetohej në një skaj rruge në protestat në sheshin e qytetit, në mesin e qindra njerëzve që marshonin si ushtarë pa flamuj. Dhe u besoja burrave të mëdhenj që u prinin protestave kur na quanin heronj të vegjël të së ardhmes, që arrnojnë lirinë në një cep rruge të së djeshmes. Të qenit pjesë e protestave do të thoshte të zbrisje në realitet dhe në të vërtetën e shtypjes së jetës, një vendtakim i infatilizmit impotent të një 10-12 vjeçareje dhe dramës kombëtare. Ishte ky një nga përjetimet më të fuqishme të fëmijërisë, emocion përzier me revoltë, krenari e frikë. E arrnoja ëndrrën time në parullat “Liri-Demokraci”, “Kosova republikë”, dhe ajo shqyhej me mbarimin e protestave dhe kthimin tim fytyrëvarur në shtëpi. Në këtë mjegull e imagjinoja revolucionin e madh, pas të cilit do të kishte paqe, pa e ditur se të jetuarit në një kohë dramatike e tensionuese, do ta bënte të përçudshëm e zhgënjyes përjetimin e paqes. Isha fëmijë lufte që jetonte në gjendjen e luftës së vazhdueshme. Kurreshtare të dija se ç‘luftë do të niste të nesërmen.

Ndërmjet ëndrrave dhe shtëpisë ekzistonte hapësirë e madhe, por në shtëpi gjithçka ishte mirë, për aq kohë sa kishim ushqim në tavolinë. Pas dëbimit nga puna, nëna u bë amvise me orar të plotë, ndërkaq im atë kish hapur një biznes të vogël me pulari në fermën e gjyshit, në rrethinë të qytetit. Kur situata politike ish më e qetë, biznesi ecte në mënyrë normale, e kur tensionet rriteshin, ai ngecte, kësisoj edhe ushqimi në tryezën famijare rritej ose zvogëlohej varësisht situatës politike.

Më kujtohet atë kohë, do të ketë qenë viti 1993-1994, kur nuk munda ta bindë babën të ma blinte një pallto të kuqe që qe shumë në modë. E kisha parë në vitrinën e shtëpisë së mallrave dhe e doja fort ta kisha për vete. Nuk kemi para për pallto, u përgjigj prerë. U trishtova për pallton dhe për plot gjërat tjera që i dëshiroja. Dëshiroja një jetë në cilën ekzistojnë gjëra më të prekshme, ngjyra, aroma, veprime, liri të prekshme dhe hapësira që dëshiroje t’i prekësh, dhe jo përngjasimin e tyre.  Dëshiroja ta kem dhomën time. Dëshiroja të shihja vende të ndryshme dhe jo përngjasimin e tyre në një reportazh televiziv. Ëndërroja shumë por jetoja në një shtëpi të vogël, në një qytet të vogël dhe në një kohë në të cilën ndodhnin ngjarje tronditëse e të mëdha, shumë më të rëndësishme se ëndrrat e mia.

Historia po kthente faqen e shndërrimi i realitetit ndodhte përpara syve me një shpejtësi marramendëse. U mësova me gjërat pompoze e të zbrazëta, u mësova me padukshmërinë e poashtu me indiferencën. Të pretendosh të jetosh dhe të jetosh sikur çdo gjë do të përfundojë nesër, ngjan në narrativë të frikshme. Por qemë elastik dhe të shkathët për t’u adaptuar me çdo lloj situate, duke krijuar për vete oaza stabiliteti në mesin e një bote sociale që vazhdimisht zhvendosej.

Jeta që zhvendosej ishte e kundërta e “jetës normale”, përderisa  jeta normale është kategori e vetëkuptueshme. Jeta normale kërkon stabilitet dhe jep ndjenjën e përgjithshme të përparimit. Kur rron në kaos jeta normale duket utopike dhe e paarritshme, dhe njëkohësisht nostalgjike dhe e pakthyeshme një ‘jetë normale’ e dikurshme. Pikërisht në momentet e ndryshimeve tërësore, kur realiteti çmontohet e rindërtohet si prapaskenat e një teatri për një shfaqje të re, në mes të kësaj lëvizjeje lindin pyetjet e mëdha mbi kuptimin dhe moskuptimin e të jetuarit, mbi metafizikën e pazbërthyeshme të shenjuar në kodin tonë gjenetik.

Shkencëtarët japin një “shpjegim epigjenetik” mbi pasojat e traumës psiko-fizike në gjenet tona: traumat lënë shenja në gjenet e individit, të cilat pastaj u kalohen pasardhësve. Im atë nuk pati një jetë normale dhe nuk pati kurrë dëshirë t’i rrëfejë traumat e tij. Unë nuk pata një jetë normale, po traumat e mia qenë dhe të tij. Atij nuk i pëlqente të flasë as për mënyrën se si trauma e ndryshon vetë strukturën e botës dhe të realitetit. Nuk fliste asnjëherë as për vdekjen, por thosh: është kohë ta shtysh vdekjen. Ta shtysh sa më larg! Mua më pëlqente të flisja për vdekjen, aq më tepër kur statusi i vdekjes kish ndryshuar aq shumë. Vdekja kish supremacinë mbi jetën, dhe vdekja, para e në fund së gjithash, vinte jetën tonë në perspektivë, duke na mësuar, siç thonë filozofët: jo për asgjënë absolute pas saj, po për të na mësuar si të jetojmë, ndonëse në një mënyrë skjashmërisht ironike. Atëkohë ishte e lehtë të gjeje njerëz që dinin të vdisnin, dhe madje, njerëz që ishin të aftë për t’i vrarë të tjerët, njerëz në jetën reale dhe jo në teatër apo në letërsi. Vetëm në këtë pikë kushtëzohej e realizohej pajtimi ynë me vdekjen.

Viti 1998. Jashtë piqte diell. Ishte fillim vere. Në shtëpi nëna po mbante turnin e ditës, duke gatuar, larë e fshirë, im atë sa u kthye nga tregu ku shiste vezë, i heshtur, i largët, thuajse mbante mbi supe peshën e diellit që na piqte. Lexonte gazetën. Po fillon tha. Nëna e dëgjoi e uli kryet. Shkoi në kuzhinë për të zier kafenë.

Pak ditë më vonë, më erdhi për vizitë shoqja e fëmijërisë. Do të iki në luftë tha, dhe kjo ndoshta është hera e fundit që takohemi. Ajo nuk përkonte me idenë time të vajzës që shkon në luftë. Ishte e bukur, me flokët e verdha e sytë e kaltër dhe shumë atraktive. Kishim një jetë bashkë, meqë i kishim shtëpitë ngjitur njëra-tjetrës. Kishim folur sa herë edhe për revolucionin, kur pretendonim të ishim heroina. Revolucioni ndoshta vërtet ha bijtë e vet, por bijat i skajon dhe lë mënjanë si fshesa mbas derës. Nëna fshinte dyshemenë me to. Ajo vajzë 16 vjeçare, e bukur e pasionante, iku në mesnatë për t’iu bashkuar ushtrisë kosovare në njërin nga fshatrat e qytetit. Nuk mbaj mend nëse e kam takuar më. Disa vite më vonë u vetëvra.

Në pikat kyçe të jetesës dhe të mbijetesës fatet tona nuk u përputhën. Ajo iku, unë mbeta. Ironia e historisë pleks të tilla afërsi dhe gërryen të tilla largësi. Ndoshta revolucioni nuk i ha vetëm bijtë po edhe bijat e veta, aty në terrenin e betejës së vërtetë dhe jo në qoshet idilike të paprekura nga historia, si ai ku unë lexoja me orë. Në kohën e një atmosfere të tendosur kur njerëzit flisnin papushim për tragjedinë që ndodhte, qëndroja vetëm pranë librave të mi. Përballë turmës e me turmën secili ekziston e mbijeton në mënyrën e vet. Dhe unë kisha mënyrën time.

Kufiri ndarës mes atyre që ëndërronin revolucion, si unë, dhe atyre që luftonin për revolucion, si mikja ime, qe pak kilometra larg shtëpisë sime. Por ajo çfarë s’mund të imagjinohet as nuk mund të ndodhë, derisa nuk ndodh vërtet. Isha e mbrojtur nga paimagjinueshmëria e të paimagjinueshmes – një supozim i rehatshëm, qoftë i rremë se lufta që do të vinte me të tjera mjete, nuk do të qe aq bizare. Tmerri i saj do të fshihej prapa të paimagjinueshmes.

Viti 1999 do të vinte me një qartësi të pamëshirshme, zhytur thellë tragjedisë dhe absurdit të ekzistencës, të historisë dhe të fatit. Ishte vit i zbritjes në ferr, mungesës së plot të humanizmit dhe njohjes së magjepsjes me të keqen.

Natën e 24 marsit 1999, me babain i ndoqëm deri vonë lajmet në radio BBC për fillimin e bombardimeve të NATO-së në Serbi. Radion e vjetër e kish që nga studimet. Pinte raki. Po nis fillimi i fundit, tha. Thonë se shpejt do të përfundojë gjithçka. Rrinte i heshtur me veshin pranë radios. Dëgjoja edhe unë, veshur në pizhame të verdha. S’më zinte gjumi. Ishte nata e fundit që do të flija me pizhame dhe nata e fundit që kaluam në shtëpi, deri në përfundim të luftës. Qe natë e bukur. Pa yje.

Disa fjetëm rehat, të mbrojtur nga e paimagjinueshmja, për disa të tjerë e paimagjinueshmja kish ndodh. Kur u zgjova, dëgjova zëra të shumtë grash që qenë mbledhur në dhomën e ndejës. Mikeshat e nënës flisnin me zë të lartë. Gratë e qytetit tim kanë qenë përherë mirë të informuara dhe të etura për të përhapur gjithçka që dëgjojnë. Po kësaj radhe kushërirat rrëfenin të shastisura për vrasje, përdhunime, dëbime të dhunshme e tmerre të tjera që kishin ndodhur atë natë pranvere nga forcat ushtarake dhe ato paramilitare serbe, dhe do të ndodhnin në mënyrë sistematike e të koordinuar deri në mesin e qershorit të vitit të djallit.

Atë ditë shtëpia jonë u mbush me dhjetëra refugjatë, pastaj bashkë me ata dhjetëra njerëz u zhvendosëm edhe ne në një shtëpi, pastaj në një tjetër e në një tjetër, si udhëtarë të vdekshëm duke u përpjekur ta shtyjmë vdekjen sa më larg.

Nata e bombardimeve do ta ndante kohën tonë në kohën e para dhe pas tmerrit. E paimagjinueshmja u bë e imagjinueshme dhe do të jetë përgjithmonë dhe detyrimisht e tillë. Mes këtyre dy kohëve ka diku një boshllëk kujtese, diçka që ka mbetur e fshehur përherë aty, diçka që brenda natës na shndërroi në asgjë, në Askushin.

Ditët më të tmerrshme të luftës do të vinin pas mbarimit të saj. Të vdekurit fjetën në këngë qyqesh, të gjallët u kthyen në kombin e dashur. Të vdekurit s’janë inatçor e të gjallët mbetën të  mësohen të rrojnë në paqe, në një shtet absent. Mbetën ta mësojnë jetën e re, duke e harruar të vjetrën.

Dita më e tmerrshme e luftës ishte dita e parë e lirisë. Kurrë nuk jam ndier më e lodhur se atë ditë. U kthyem në shtëpi. Nëna pastronte e rregullonte shtëpinë e braktisur muaj më parë. Unë gërmova në gropën ku i kisha fshehur librat dhe një dorëshkrim me poezitë e para. Babai shkoi në punën e vjetër në fabrikë, për t’u çmallur apo për të kontrolluar ç‘kish mbetur aty. E gjeti të boshatisur gjigantin prej metali.

Dheu m’i kish ruajtur librat, siç ruajti eshtrat e të tjerëve. Shtëpia ish aty, gjithçka ish aty. Po ne, sikur nuk ishim më.

ObserverKult