Bob Dylan: Balada mbi njeriun thatim

Poezi nga Bob Dylan

Ti futesh në dhomë
Me laps në dorë
Sheh dikë cullak
Dhe thua: “Kush është ai njeri?”
Përpiqesh aq shumë
Ama send nuk merr vesh
Çfarë do të thuash
Kur të mbërrish në shtëpi

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Ti kokën e ngre lart
Dhe thua…
Dikush tregon me gisht nga ti dhe thotë
“Kjo është e tij”
E ti thua: “Çka është e imja?”
Dhe dikush tjetër thotë: “Ku është çfarë?”
E ti thua: “O Zoti im
A jam këtu krejt i vetëm?”

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Ti dorëzon biletën tënde
Dhe shkon të shohësh të përçudnuarin
I cili menjëherë të afrohet
Kur të dëgjon të flasësh
Të thotë: “Çfarë ndjenje është
Të jesh çorod i tillë?”
E ti thua: “E pamundur”
Ndërsa ai ta jep një asht

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Ti ke shumë të njohur
Në mesin e sharrëxhinjve
Për të siguruar fakte
Kur dikush ta sulmon imagjinatën
Ama ty askush nuk të respekton
Sidoqoftë ata prej teje tashmë presin
T’u japësh çekun
Organizatave bëmirëse që të realizosh lehtësim tatimor

Ti ke qenë me profesorë
Dhe dukja jote të gjithëve u pat pëlqyer
Me avokatë të shkëlqyer
Pate diskutuar
Për leprozët dhe batakçinjtë
I ke lexuar të gjithë librat
E F. S. Fitzeraldit
Je goxha i ditur
Këtë të gjithë e dinë

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Paj, gëlltitësi i shpatës të afrohet
Dhe pastaj bie në gjunjë
Kryqëzohet
E pastaj përplas takat e tij të larta
Dhe pa kurrfarë paralajmërimi
Të pyet se çfarë ndjenje është
Dhe të thotë: “Po ta kthej fytin
Të falënderoj për huazim”

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Tash po e sheh këtë xhuxhin me një sy
Duke bërtitur fjalën “TASH”
E ti thua: “Për ç’arsye?”
E ai thotë: “Si?”
E ti thua: “Çfarë do të thotë kjo?”
E ai ta kthen duke piskatur: “Ti je lopë
Jepmë pak qumësht
Ose shko në shtëpi”

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Epo, ti futesh në dhomë
Si deve dhe pastaj mrrolesh
Sytë i picërron
Veshët i curron
Shkalisja jote
Do të duhej të ndalohej me ligj
Ty do të duhej detyruar
Të vësh kufje

Sepse këtu po ndodhë diçka
Ama ti nuk e di se çka
Apo jo, zoti Jones?

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

BOB DYLAN: I KAPËRTHYER NË PIKËLLIM