Bob Dylan: I kapërthyer në pikëllim

Poezi nga Bob Dylan

Herët në agimin rrezeartë,
Rrija i shtrirë në shtrat
Pyesja veten a ka ndryshuar ajo ndopak
A i kishte flokët ende të kuqërremta
Prindërit e saj thoshin se po të jetonim bashkë
Përnjëmend do të ishte maskarallëk
Ndërsa e ëma kurrë s’i kishte qepur fustan shtëpiak
Libreza e kursimit e të et s’qe ku ta di se çfarë.
E qëndroja buzë rruge
Shiu këpucët m’i qullte
Ia pata mësyer Bregut Lindor
Zoti e di sa e kam paguar çmimin tim,
Duke u kurthëruar në pikëllim.

Ajo qe martuar kur u takuam
Së shpejti u shkurorëzua
I ndihmova të dalë nga ferri, kujtoj,
Por përdora pakëz tepër forcë,
Vozitnim veturën me shpejtësi maksimale
Duke ia mësyer Perëndimit
U ndamë natën e pistë e të pikëlluar
Të dytë u pajtuam se kjo qe gjëja më e mirë.
Ajo u kthye të më shikojë
Derisa largohesha
Dëgjova të më fliste sipër shpatullave të mia,
“Do të takohemi sërish një ditë në aveny”,
Ende jam i kapërthyer në pikëllim për ty.

Kam pasur punë në pyjet e mëdha në very
Punoja si gjellëbërës
Por kurrë s’ia kam dalë aq shumë sa t’më pëlqente
Dhe një ditë sëpata m’u thye.
Ashtu që shkova poshtë në Nju Orlinz
Ku rastisa që të punësohem
për një kohë të shkurtër në një barkë peshkimi
Bash m’u jashtë Delakrosë.
Por tërë kohën isha i vetmuar
E kaluara më pat pushtuar,
Kam parë shumë gra
Por ajo kurrë s’m’u hoq nga mendja,
dhe sall po kurthërohesha
Edhe më tepër në pikëllim.

Ajo punonte në një vend të njohur
E unë u ndala për një birrë,
Vazhdoja ta shikoja në fytyrë
Në dritë aq të qartë.
E më vonë kur turma zvogëlohej
Edhe unë isha gati të veproja njësoj,
Ajo mbështetej në shpinë të karriges sime
Më tha: “A ta di emrin?”
Murmurova diç nën frymëmarrjen time,
M’i kundronte vijat në fytyrë
Më duhet ta pranoj se ndihesha pak i trembur
Kur u përkul t’m’i lidhë këpucët,
U kurthërova në pikëllim.

E ndezi sobën dhe ma ofroi llullën
“Kujtova se kurrë s’do t’më përshëndesësh” tha
“Dukesh tip i heshtur”,
Pastaj hapi një libër poezie
Dhe ma dorëzoi
Të shkruar nga një poet italian
Nga shekulli i trembëdhjetë.
Dhe çdo fjalë e tij kumbonte e vërtetë
E të afshonte sikur thëngill që digjet
Duke u derdhur faqe për faqe
Si ta kish skalitur për ty në shpirtin tim
Jam i kapërthyer në pikëllim.

Kam jetuar me ata në Montag Strit
Në një bodrum përposh shkallëve,
Natën nëpër kafiteri muzika dëgjohej
E revolucioni në ajër hetohej.
Pastaj ia filloi të tregtonte me skllevër
Dhe diç në brendësinë e tij vdiq,
Ajo duhej t’i shiste të gjitha që i kishte
Dhe i ngriu diç përbrenda.
Dhe kur e gjithë kjo mori fund
Unë tashmë isha tërhequr,
E vetmja gjë që mund ta bëja më së miri
Qe të vazhdoja të sillem si shpend në fluturim,
Megjithëkëtë jam i kapërthyer në pikëllim.

E tash po kthehem përsëri,
Dhe më duhet ta gjej disi.
Të gjithë njerëzit që i njihnim
Për mua tash janë sall iluzion,
Disa janë matematicienë
Disa janë gra zdrukthtarësh.
S’më kujtohet si ia pat filluar e gjithë kjo,
As nuk e di si po veprojnë me jetat e tyre.
Unë megjithatë jam ende në rrugë
Duke kërkuar edhe një herë bashkim
Ne gjithnjë kishim të njëjtin përjetim,
Sado që dallonim në pikëvështrim,
Ende jemi të kurthëruar në pikëllim.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

BOB DYLAN: VDEKJA NUK ËSHTË FUNDI