“Bokaço duke i lexuar “Dekameronin” mbretëreshës së Napolit, Joana” është tablo e vitit 1868, realizuar nga piktori belg, Gustave Wappers.
Nga Albert Vataj
Kjo pikturë evidenton një ndër librat më të diskutuar dhe njëkohësisht më të lexuar, “Dekameroni”, që aq sa e ndaluan, aq edhe u bë pjesë e kërshërisë së lexuesve.
Siç dihet “Dekameroni” është vepra më e njohur e Xhovani Bokaços që hapet me sfondin e murtajës së madhe që ra në Firence në vitin 1348, e cila shkaktoi viktima të shumta, duke çuar në vdekje rreth dy të tretat e popullsisë së Firences.
Dekameroni ka dhjetë protagonistë, shtatë vajza e tre djem, që për t’i shpëtuar murtajës që po bënte kërdinë, largohen nga Firence dhe vendosen në një pronë larg qytetit, ku asgjë nuk të kujton murtajën dhe lëngatën.
Të dhjetë protagonistët janë të rinj, nga tetëmbëdhjetë në njëzet e tetë vjeç, dhe do të qëndrojnë së bashku për dy javë. Ata vetorganizohen, ndajnë punët, rolet dhe detyrat.
Çdo ditë, Mbreti ose Mbretëresha e zgjedhur do ta udhëheqin grupin në mënyrë sa më të mençur, që askush të mos mërzitet dhe që të shmangen tërë konfliktet e mundshme. Gjatë këtyre dy javëve të qëndrimit së bashku, të rinjtë mblidhen në një lëndinë dhe çdo herë të dhjetë me radhë tregojnë nga një rrëfenjë, sipas temës që përcaktohet nga Mbretëresha apo Mbreti i ditës. Rrëfenjat kanë si karakteristikë kryesore se tregohen në mënyrë të çiltër e me lirshmëri nga te rinjët që i tuten murtajës, por jo fjalës./ ObserverKult