Botohet “Katedralja Shën Mëria e Parisit”, përkthyer nga Shllaku

Kryevepra e Hygoit të madh, “Katedralja Shën Mëria e Parisit” një libër që jo vetëm të tërheq me fjalën e ndezur e të figurshme por edhe me subjektin e jashtëzakonshëm, në përthim të Primo Shllakut është botuar këtyre ditëve nga Albas.

Hygo e ka shkruar këtë roman, kur shoqëria frënge e kohës ishte ende e shokuar dhe e traumatizuar nga ngjarjet e Revolucionit të viteve 1789-1793, por edhe nga luftërat rraskapitëse napoleonike, që kishin sjellë kaq lavdi e mjerim njëherësh. Autori ka bërë një inskenim të një cope Mesjete. Ai dallon shumë Mesjetë: te Revolucioni Frëng, te shkaqet që e prodhuan atë; tek arbitrariteti dhe despotizmi i pakufi, tek infleksibiliteti i organizmave që ishin krijuar historikisht për të mbajtur ekuilibra e balanca. A nuk na duken skena të Revolucionit ato, kur lypsarët sulmojnë katedralen për të shpëtuar Esmeraldën apo kur krerët e botës së basifondeve bëjnë thirrje për plaçkitje e shkatërrim të vendeve të shenjta?

Shllaku në një postim në Facebook thotë se përkthimi i kësaj vepre i ka marë plot 160 ditë duke e ndihmuar të karantinohet në nji shoqni të bukur.
“Në kulmin e detyrimit të maskave tek na, vepra në fjalë kërkonte hjekjen e çdolloj maske, e cila të mos ishte lëkura e hollë a cipa e ftyrës njerëzore. Shtëpia botuese ALBAS nën e drejtimin e z. Rita Filipi, po ecë vendosmënisht drejt realizimit të projektit të saj në plotësimin e kolanës Klasikë-Modernë. Publiku, nxanësit e studentët marrin në dorë tekste veprash të njajta origjinale plotësisht të krahasueshme dhe mbase e para gja që u bie në sy asht përparimi i gjuhës. Sepse vetëm përkthyesit janë në ballë të sfidës së gjuhës së huej. Gjithçka për lavdinë që gjuha jonë të bahet e madhe dhe sulmuese.”, shkruan Shllaku./ ObserverKult