Akademia e Shkencave e Shqipërisë në kuadrin e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke u nisur nga vlerat shkencore pas përpunimit dhe plotësimit nga vetë autori, ka botuar veprën “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh” të akademik Rexhep Ismajlit.
Në këtë libër janë përfshirë dy studime për problematikën e gjuhës standarde: “Në gjuhë” dhe “për gjuhën” dhe pjesa e dytë “Standarde dhe identitete”.
Vepra “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh”, i akademik Rexhep Ismajlit, botim i Akademisë së Shkencave i vitit 2005 ka kohë nuk gjendet më në treg.
Për këtë, u pa e nevojshme të ribotohet dhe plotësohet. Në pjesën e parë të këtij botimi, autori bën një paraqitje të përmbledhur të zhvillimeve kryesore në fushën e planifikimit gjuhësor në Shqipëri dhe në Jugosllavi para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1945, për të kuptuar më mirë rrjedhat e lëvizjeve dhe të përpjekjeve në fushën e standardizimit të gjuhës shqipe në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore (1945-1968), që përbëjnë objektin themelor të këtij studimi.
Në këtë pjesë autori e njeh lexuesin me veprimtaritë, me vendimet që janë marrë dhe me qëndrimet që janë mbajtur, duke i vështruar dhe vlerësuar ato të lidhura ngushtë me zhvillimet politike e shoqërore të kohës në ish-Jugosllavi dhe në përqasje me proceset e planifikimit gjuhësor në Shqipëri.
Autori niset nga ideja se e gjithë veprimtaria për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për standardizimin e saj do parë në kuadër të një tërësie të vetme të kulturës shqiptare.
Në vijim janë shtuar dy nënkapituj për zhvillimet në prag të Luftës II Botërore: për idetë e M. Krujës dhe të N. Resulit.
Jepet një pasqyrë më e qartë për gjendjen që sundonte pak para Luftës dhe përtregohen më drejt zhvillimet që pasqyrohen më tej pas saj, ku janë shtuar materiale dokumentare në formë skedash të veçanta, qoftë për të treguar si dukej shqipja letrare e shkruar në momentet përkatëse, qoftë për të dokumentuar qëndrimet për historinë e shqipes standarde në Kosovë, si dhe vështrimet për gjuhët e tjera standarde të Ballkanit.
Nga shtjellimi që u bën autori ngjarjeve dhe proceseve të planifikimit gjuhësor në Kosovë del se pranimi i gjuhës letrare kombëtare atje ishte rezultat logjik i përpjekjeve të intelektualëve dhe popullit të Kosovës për të forcuar identitetin shqiptar dhe njësinë kombëtare kundër përpjekjeve dhe politikave përçarëse për të krijuar identitete të veçanta midis shqiptarëve, që padrejtësisht i kishte ndarë historia.
Pranimi i gjuhës standarde në Kosovë i vuri shqiptarët përpara sfidave të përvetësimit dhe të zbatimit të saj. Lidhur me përpjekjet që janë bërë dhe bëhen në Kosovë për zotërimin e gjuhës standarde Rexhep Ismajli ka shtruar për diskutim edhe një varg problemesh aktuale, që kanë dalë sidomos këto vitet e fundit në kushtet e një shoqërie shqiptare të hapur, me lëvizje të shumta demografike dhe urbanizuese brenda hapësirave shqiptare dhe me kontakte intensive me botën e jashtme, të cilat ndikojnë edhe në zhvillimet gjuhësore.
Ai shtron gjithashtu disa probleme që kanë të bëjnë me hapësirat e përdorimit të gjuhës standarde dhe me shkallën e zotërimit të saj nga përdorues me njohje të ndryshme të bazës së saj dialektore dhe ngre edhe disa shqetësime qytetare që lidhen me kujdesin e pamjaftueshëm ndaj gjuhës dhe sidomos me përdorimin pa nevojë të fjalëve dhe ndërtimeve të huaja.
Akademik Rexhep Ismajli ka evidentuar edhe mjaft probleme teorike të përgjithshme, siç janë gjuha dhe identiteti, marrëdhëniet midis gjuhës dhe kombit, midis gjuhës dhe shtetit, shtetit dhe kombit, midis gjuhëve kombëtare dhe gjuhëve shtetërore, etj. Janë prekur gjithashtu çështje që kanë të bëjnë me ndarjen e gjuhëve në dialekte, me vendosjen dhe funksionet e gjuhëve standarde, me varësinë e lëvizjeve gjuhësore nga lëvizjet nacionale.
Autor i parathënies së librit “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh” të akademik Rexhep Ismajlit është prof. dr. Seit Mansaku dhe recensent është prof. dr. Enver Hysa./ATSH