Këtyre ditëve, Botimet KOHA ka sjell romanin e parë të Avni Alijajt, „Katalogu i njollave“, roman që ishte finalist për shpërblimin për letërsi 2020, „Rexhai Surroi“.
Në roman trajtohet gjendja e mbetur pezull e një jete njeriu, një individi, i cili në rrethana të caktuara historike e sociale, kulturore e politike, ishte detyruar të arratisej nga vendi i lindjes. Ishte i detyruar të hiqte dorë nga një jetë e ndërtuar nëpër vite.
„Kryeprotagonisti në roman mbetet pezull, në atë që gjermanët i thonë „Der Zustand des Dazwischen“; pra gjendja e „as-atje-as këtu“; një dezorientim; një përhumbje: E, përhumbja i paraprin, mbas arratisjes, procesit të pandalshëm të tjetërsimit“, shprehet autori Alija për ObserverKult.
Sipas tij, ky tjetërsim ka disa kuptime e në disa rrafshe. „Kuptimi i parë, substancial, ka të bëjë me domethënien e Aktit të Arratisjes; ishte një veprim mirë i peshuar? Kishte një rrugëdalje tjetër? Ndoshta një pjesëmarrje në Rezistencë Aktive apo ndoshta qëndrim i konservuar nën „strategjinë e iriqit“ në proceset për ndërtimin e Republikës Paralele?“, thotë autori i romanit.
Rrafshi tjetër, sipas A. Alijajt, ka të bëjë me domethënien e jetës së brendshme të një krijuesi të arteve, një gazetari, një shkrimtari të ri, me dy libra me tregime që ka botuar në Prishtinë, i cili, duke marrë arratinë, rrënohet në një gropë të thellë mentale. „Rënia në një gropë të atillë, përshkyen realitetin e rëndë të një krijuesi në konsolidim e sipër. Për më tepër, kryepersonazhi gjatë arratisë merr me vete edhe një Manuskript“, shpalon Alija detaje nga romani. „Lënia peng e Dorëshkrimit, në një plan tjetër të narracionit, është një metaforë për zënien peng e mbetjen pezull të jetës reale të personazhit. Krejt storia, i gjithë rrëfimi, shtjellohet në mes të dy poleve: në mes të procesit të Exil-it dhe një procesi të Exit-it“.
Në qendër të këtij romani është Edmond Blakaj, hero i stories, të cilin e pret statusi i rregulluar i refugjatit, status social me rëndësi ekzistenciale për të. Storia e Blakajt kryesisht jepet në vetën e tretë, por, herë pas here, përmes shënimeve të tij, edhe në vetën e parë. Ai është në kërkim të përhershëm mendor drejt vetvetes së humbur. Arratisja për të merr dimensione të një shkëputjeje topike e semantike, intelektuale e individuale; humbja e baraspeshës në disa rrafshe është ai filli i përbashkët që shenjon thelbin e brendshëm narrativ. Edmond Blakaj, figura qendrore, është konstelacion e relacion i një epoke socio-kulturore. Duke qenë brenda një konteksti të ri, krejt të ndërlikuar mes realitetit objektiv dhe gjendjeve e situatave psikike, figura dalëngadalë përfiton trajtën e një Homo Multiplex-i. Prezenca fizike brenda një kulture e një qytetërimi të madh, atij ia krijon një perspektivë të re reflektimi. Blakaj shprehet në roman se të mësuarit nga librat për një qytetërim dhe qëndrimi brenda atij qytetërimi janë gjëra krejt të ndryshme; një vizitë e tij në Berlin, ndikon drejtpërsëdrejti në një porozitet të pakthyeshëm reflektimi për jetën, për fenomene, për procese.
Romani ndërtohet përmes pesë rrafsheve skenike: Arratisja nga Kosova në Gjermani; Kampi i Strehimkërkuesve në një qytet të Gjermanisë; Koha e Transferit nga Kampi në një Ndërtesë private nën mbikëqyrje sociale të shtetit gjerman; Ndalimi në aeroportin e Pragës, ku personazhi është në kërkim të dorëshkrimit; Konteksti i ri social, mendor, emocional, kulturor, në ambientin e ri.
Redaktori i romanit, shkrimtari Binak Kelmendi, në shkrimin e tij me rastin e botimit të këtij romani, shprehet se “Katalogu i njollave”, i Avni Alijajt, është një roman mjaft intrigues me një narracion e prosede të mirëfilltë letrar me zhanër që tashmë quhet letërsi refugjatësh … Autori, që duhet të jetë edhe vetë refugjat, me emrin e Edmond Blakajt, kryepersonazhit, në roman ka sjellë fatin e një intelektuali nga Kosova i larguar nga puna prej gazetari pas suspendimit të autonomisë së Kosovës që kërkon strehim në Perëndim. Rrugëtimi i Blakajt, për të mos thënë ikja e tij, është përplot peripeci e odisejada… “Katalogu i njollave”, mendoj se është një vezullimë në paraqitjen e fatit dhe të jetës së refugjatit, jo vetëm shqiptar, në Gjermani dhe rrugëtimin e tij deri atje. Me ngjarje e dialogë të paimprovizuar, me përshkrime ad-hoc të natyrshme, me pasqyrime adapte psikologjike, romani është një sjellje që e pasuron letërsinë tonë”.
Avni Alija është piktor, përkthyes, prozator, që jeton në Gjermani që nga viti 1994. Ka botuar librin me tregime, „Pentagrami i ngrirë“, më 2003. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës letrare „Jeta e Re“ më 2011-2012. Ka botuar shkrime për letërsinë dhe artin që zhvillohet në hapësirën gjermanofolëse në gazetat e revistat e Prishtinës, në „Express“, „Lajm“, „Koha Ditore“, „Jeta e Re“, „Symbol“ etj./ ObserverKult