Botohet vepra e plotë e Martin Camajt- në një vëllim të vetëm

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u promovua vepra e plotë në një vëllim të vetëm e Martin Camajt.

Folklorist, gjuhëtar, poet e shkrimtar, Martin Camaj mbetet një figurë e pazëvendësueshme e modernizmit shqiptar. Promovimi i këtij botimi të ri u bë me pjesëmarrjen e akademikut Francesco Altimari, prof. dr. Anton Berisha, akad. Matteo Mandalà dhe botuesit Bujar Hudhri. Gjatë aktivitetit u zhvillua një dialog i vyer mbi trashëgiminë e Camajt, e cila prek fusha të ndryshme studimi, si: letërsi, gjuhësi, antropologji e folklor.

Në fjalën përshëndetëse Majlinda Toçi theksoi misionin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në ruajtjen dhe rikthimin e autorëve që kanë formësuar kulturën tonë të shkruar, si dhe rëndësinë e studimit të thelluar të tyre prej emrave të afirmuar të shkencës dhe studimeve letrare.

Profesorët e nderuar, Altimari dhe Mandalà ndodhen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të “Urdhrit të Skënderbeut”, ku u dekoruan nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj me këtë nderim simbolik që përfaqëson flamurin, virtytin dhe dijen.

Martin Camaj lindi 100 vjet më parë në Temal të Dukagjinit. Ai është një prej shkrimtarëve të censuruar gjatë regjimit totalitar. Vepra e tij letrare përfshin nëntë vëllime poetike, tri romane dhe një vëllim me novela. “Nji fyell ndër male” (Prishtinë 1953), “Kanga e vërrinit” (Prishtinë 1954), “Djella” (Romë 1958), “Legjenda” (Romë 1964), “Lirika mes dy moteve” (Munih 1967) dhe “Drandja” (Munih 1981), janë disa nga titujt e krijimeve të tij.

Ndërroi jetë më 12 mars të vitit 1992, në Mynih.

ObserverKult


Lexo edhe:

MARTIN CAMAJ: IKJA PREJ VETES