Shfaqjet e famshme të Broadway-t në Nju Jork u pezulluan pasi vendi u godit nga pandemia e koronavirusit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Evgeny Maslov, megjithëse tabelat vezulluese me fotografi të shfaqjeve muzikore si Aladini dhe Mbreti Luan vazhdojnë të jenë ende aty, aktorët dhe publiku nuk do të kthehen në sallat e bukura për të shijuar shfaqjet, deri të paktën dimrin e vitit 2021.
Çdo vit më shumë se 14 milionë njerëz vijnë për të parë një nga shfaqjet e famshme të Broadway-t në qytetin e Nju Jorkut. Në vitin 2019 falë këtyre shfaqjeve u siguruan më shumë se 1.7 miliardë dollarë. Por që nga muaji mars, teatrot kanë qenë bosh dhe Broadway mund të përballet me pushim të gjatë rekord.
Kritiku i teatrit Michael Riedel beson se teatrot nuk do të lulëzojnë derisa sa të dalë në qarkullim një vaksinë kundër COVID-19.
“Nuk ka mundësi që Broadway ose koncerte apo çdo shfaqje që zhvillohet drejperdrejtë të rifillojë pa pasur një vaksinë. E para aktorët nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, pasi si mund të luash Romeo dhe Xhulietën me maska?! Kjo do ta vriste romancën! Muzikantët nga ana tjetër nuk do të donin të ishin pjesë e orkestrës derisa të ndjeheshin të sigurt. Siç e dini, nëse i bini flautit rrezikoni të përhapni virusin! Pra ata nuk do të donin të ktheheshin në punë në këto kushte… “, thotë ai.
Pjesë më të njohura të Broadway-it si shfaqja muzikore Hamilton, Fantazma e Operas dhe Mbreti Luan, me gjasë do t’i mbijetojnë ndërprerjes së pashembullt. Por disa të tjera mund të hiqen nga skena dhe ky proces i trishtuar tashmë ka nisur.
“Më e madhja është “Frozen”, shfaqja e Broadway-t që nuk mund të “shkrijë” e që tashmë ka marrë fund. Ka edhe të tjera… ”, thotë Tim Balk, gazetar i “New York Daily News”.
Por edhe ato që do të mbijetojnë do të duhet t’i përshtaten realitetit të ri. Industria duhet të rishikojë politikën e çmimeve dhe kompensimit për ata që punojnë prapa skenës, muzikantët, stilistët dhe specialistët e ndriçimit.
“Nuk mund ta rihapësh Broadway-n kur të prodhohet vaksina e të thuash: hej, Hamiltoni u rikthye, tani hajdeni dhe paguani 1200 dollarë që ta shihni! Kjo nuk mund të ndodhë. Çmimet e biletave do të duhet të ulen në një nivel të arsyeshëm”, thotë Michael Riedel, kritik i teatrit.
Por se si do të bëhet një gjë e tillë mbetet një përgjigje e vështirë për drejtuesit e industrisë. Një nga kompanitë më të vjetra të teatrove, organizata “Shubert” zotëron 17 teatro në Broadway. Ata u detyruan të largojnë nga puna përkohësisht shumë nga punonjësit e tyre, por kohë pas kohe ata kanë treguar se dinë të rezistojnë.
“Organizata Shubert, e cila është themeli i Broadway-t, spiranca e tij, i ka mbijetuar Depresionit të Madh. Ata i mbijetuan sulmeve të 11 shtatori 2001, kolapsit të Nju Jorkut në 1970-n kur qyteti shihej aq shumë i rrezikshëm sa askush nuk donte të vinte … Ata i mbijetuan uraganit Sendi, pra i kanë mbijetuar gjithçkaje!”, thotë zoti Riedel.
E gjitha kjo nuk ka të bëjë vetëm me Broadway-n, por edhe me Nju Jorkun. Industria siguron para për qytetin dhe mbështet me mijëra vende pune. Një industri e gjallë e teatrit financon hotelet, restorantet dhe dyqanet pranë pikës së njohur turistike tregtare të qytetit “Times Square”. Për shumë njerëz, rikthimi i Broadway-t do të thotë rikthim i Nju Jorkut me gjallërinë dhe shkëlqimin e tij.