Fillimi i shekullit të XX, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në vitet 1912-1913, do të shënonin dhunën serbe ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në zonën e Dibrës së Madhe.
Në valën e parë të emigracionit të dibranëve, ku praktikisht ata u përzunë dhe qyteti për shumë pak kohë u zbraz i gjithi, një grup ndoqi rrugën Dibër-Strugë-Elbasan dhe Tiranë, ndërsa tjetri atë Dibër-Mat-Shkallë e Tujanit.
Dibranët u vendosën në disa pjesë të Tiranës kryesisht në lindje të qytetit, në zonën në të djathtë e të majtë të “Xhamllikut”, por edhe në pika të tjera si: tek “Namazgjaja”, “Selvia”, rruga “Qemal Stafa”, “Hoxha Tahsim” dhe “Pazari i Ri”. Popullsia e emigruar, bleu truallin ku ndërtoi banesat, duke krijuar me kohën atë që sot njihet si lagja dibrane ose e thënë ndryshe “Mëhalla e dibranëve”.
Dibranët respektuan bujarinë, dashamirësinë dhe mikpritjen tiranase. Ata u integruan në qytet, duke i shtuar vlerat e kulturës, zakoneve, dokeve dhe traditave dibrane. Nga ana tjetër edhe tiranasit si popullsi mikpritëse, falën shumë dashuri dhe shpejt, këto dy komunitete bashkëpunuan dhe bashkëjetuan me njëri-tjetrin.
Tiranasit dhe dibranët u kryqëzuan në martesa dhe në harmoni, ndërtuan një nga lagjet më dinamike dhe të gjalla të Tiranës. Ustallarët duarartë dibranë, të njohur për zotësitë e tyre të veçanta në ndërtim, ndihmuan tiranasit të riparonin e ndërtonin shtëpitë e tyre, që deri në atë kohë në pjesën më të madhe ishin të ndërtuara me qerpiç.
Ndryshimet e formës dhe peizazhit historik të kësaj rruge do të fillonin pas viteve ‘60-të, menjëherë pasi u prish Pazari i Vjetër, dhe në hapësirën e tij u ndërtua e Pallati i Kulturës.
Më prishjen e rrugës Broduej për t’i hapur vend ndërtimit të 15-katëshit (Hotel Tirana) dhe Pallatit të Kadaresë, kjo rrugë do të transformohej tërësisht, dhe vetëm pas viteve ‘90-të do të njihej zyrtarisht si Rruga e Dibrës.
Sot nga kjo rrugë ka mbetur shumë pak. Gjurmët në territor janë pothuajse të zhdukuara tërësisht. Në brendësi të rrugës, kanë mbetur disa objekte me karakter tregtar, të cilët sjellin frymën e shekullit të kaluar sot në Tiranë, por të lëna në degradim, fati i tyre duket i përcaktuar. Një pjesë të lëna në harresë dhe shumë syresh me konflikte pronësore, këto objekte janë nën presionin e ndërtimeve shumëkateshë që po dendësojnë me shpejtësi të gjithë zonën.
Nëse do ta përshkruanim sot atë rrugë, çka e bënte interesante, të preferuar dhe madje kryesore në veçanti pas viteve ‘60, ishin dy anët e saj me dyqane, berberhane, rrobaqepësi, hotel, birrari, farmaci gjithçka nevojitej në qytet.
Në atë rrugë kishte edhe një MAPO, të ashtuquajturat Magazina Popullore, me një fluks dhe frekuentim të madh. Të gjithë do të kryqëzoheshin një herë në “Broduej”. Gjimnazistët, sidomos ata të “Sami Frashërit”, por edhe studentë të fakulteteve të ndryshme, në veçanti në drekë pas mësimit, për të vijuar sërish në mbrëmje.
Pak dokumenta ka për këtë rrugë dhe objektet që krijonin fasadat e saj. Objektet e saj tregtare pothuaj janë zhdukur ndërsa vilat e Dibranëve përgjatë saj, janë në luftë me kohën. Disa syresh të braktisura, të tjera të shndërruara në sheshe kantieri, duket se rruga e Dibrës e ha humbur identitetin e saj urban.
Rruga Broduej, zona romantike e Tiranës “Nesër prapë këtu, në “Broduej” Edhe pse nuk kishte asgjë të ngjashme me rrugën e famshme New York-eze, për disa të rinj të Tiranës së viteve 60-70-të, që ëndërronin Perëndimin dhe ndiqnin fshehtazi modën, ishte “qendra e botës”.
Sipas gazetarit Bedri Alimemeti, emri “Broduej” mund të jetë ideuar nga gjimnazistët e “Sami Frashërit” në fillim të viteve ‘60, nisur nga një libër me letërsi amerikane të përkthyer nga Vedat Kokona, në vitin 1958, ku në kopertinën e tij është vendosur “Një natë në Broduej”.
Megjithatë origjina se si iu vendos emri nuk dihet, por ajo rrugë që fillonte aty ku sot ndodhet 15 katëshi, u kthye në segmentin më të preferuar, në të cilën vitrinat e dyqaneve, shkëlqimi i dritave, jeta me zhurmë i jepnin kësaj rruge statusin e rrugës më të preferuar të kryeqytetit, ku çdo mbrëmje mbyllej me përshëndetjen “Nesër prapë këtu, në Broduej”.
Në librin e tij “Broduej i Tiranës” gazetari Bedri Alimehmeti, jep një përshkrim të detajuar të jetës së kësaj rruge kaq domethënëse për një brez i cili, në koherence me bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë, besonte dhe jetonte me dëshirën dhe shpresën për liberalizëm dhe hapje me botën perëndimore. Ajo në pak kohë u bë simbol i një brezi dhe grupi të caktuar kryesisht djem e vajza të njohur të Tiranës, me pikëpamje moderne.
Gjurmët e fundit të kësaj rruge, me dy vila të ndërtuara në vitet 30-të u shkatërruan në maj 2020, për t’i hapur vendin një kulle si kokë njeriu. Hotel Vjosa, u shkatërrua më 23 shkurt 2019, me justifikimin e rezervimit të hapësirës së tij për stacion autobusi./konica.al
ObserverKult
———————————–
LEXO EDHE:
Kujt i përket ky varr i zbuluar rastësisht pak kilometra nga Tirana?