Bubulina, luftëtarja arvanitase që nëpër beteja fliste vetëm shqip

Më 11 maj 1771, lindi në ishullin e Hidrës kapedania trime arvanitese Laskalina (emri i vërtetë Dhaskalina) Bubulina.

Ajo ishte 50 vjeçe kur shpërtheu revolucioni grek, dhe u bë pjesë e luftës për lirinë e atdheut të të parëve të saj.

Nuk numërohen betejat që ajo i drejtoi me trimëri. Në njërën prej tyre ra heroikisht edhe djali i saj Jani.

Me emrin dhe trimërinë e saj ngriti në këmbë 200 mijë vetë kundër pushtuesve osmanë, u bë shembull heroizmi. Me këtë u kthye në një legjendë të pavdekshme, në një figurë hyjnore që e lartëson historinë e popullit tonë.

Dhaskalina Pinoti Bubulina ishte komandante e anijes luftarake “Agamemnom” me të cilën i dha ndihmë të madhe Ali Pashë Tepelenës, kur Janinën e rrethuan turqit.

Ajo iu kushtua çështjes së çlirimit të kombit grek duke dhënë përveç ndihmës së saj heroike, edhe pasurinë e madhe trashëguar nga bashkëshorti.

Është e vetmja grua në histori që iu dha titulli i madh “Gruaja e Parë Admirale” nga perandori rus.

Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe. Pastaj tek Zhyl Verni, historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris e të tjerë.

Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri.

Edhe pse kishin kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur.

Historianët dhe biografët e saj thonë se Bubulina u jepte urdhra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe.

Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatarët arbëreshë të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit.

Bubulina do pësonte vdekjen nga dora e një arvanitasi (familja Koçi), si pasojë e një armiqësie familjare.

Në ishullin Peca gjendet “Muzeu Bubulina” vendosur në ndërtesën 300-vjeçare të burrit të dytë, ku ende jetojnë pasardhësit e saj.

Statuja e saj qëndron në port në Pecës. Rrugë të ndryshme në të gjithë Greqinë dhe Qipron janë emëruar për nder të saj. /konica.al

ObserverKult


Lexo edhe:

IRENE PAPAS, ARTISTJA E MADHE ME ORIGJINË SHQIPTARE

E pakrahasueshme, për talentin dhe bukurinë! E njohur botërisht… edhe për origjinën shqiptare!

Irene Papas (Leleku), artistja e famshme greke, që interpretoi edhe krah aktorit tjetër të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, e ka pohuar origjinën e saj të hershme. Pikërisht në bisedat me “Uliksin” që vinte nga skaji tjetër i shkëputur i Shqipërisë – Kosova!

Çështjes i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi Aristidh Kola, në librin “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”. Kjo e botuar në Athinë më 1983.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult