“Bukë e krypë e zemër”, libër me ritet e festave

“Bukë e krypë e zemër”, libri më i ri i Elektra Haxhisë, sjell në kujtesë përmes recetave të qytetit të Shkodrës, ritet, traditat e mënyrën se si këto receta, servireshin në tryeza në festa e gëzime.

Autorja ka hulumtuar në revista e libra, nga Koliqi, Hamdi Bushati e Simon Rrota për të rimarrë kujtesën e së shkuarës dhe përcjellë mikpritjen e kulturën e kuzhinës.

Pas botimeve të “Magazinës së Komunizmit shqiptar” dhe “Në tavolinë me Koliqin”, Elektra Haxhia Çapaliku, ndalet te hajet e shumëllojshme, me ceremonialet që i shoqëronin dhe muzikën që këndohej në ndejet shkodrane në motet e shkuara, transmeton ‘BalkanWeb’.

Bashkë me recetat, ka shënime e rrëfime që i shoqëronin, që janë sa personale edhe shoqërore. Sofra, harxhet, mullinjtë, mbrumja e bukës, dajlanet e peshkut, pastiçierët e hallvaxhinjtë, veshtat e vera, janë shoqëruar edhe me imazhe të familjeve ku ceremonitë kishin pothuaj protokolle për mikpritjen e kuvendin.