Bilal Xhaferri i këndoi si askush tjetër historisë, tragjedisë e shpirtit çam/ Lexojeni ciklin e tij kushtuar Çamërisë!

Ju ftojmë t’i lexoni disa nga poezitë e Bilall Xhaferrit ku i këndon me shpirt tragjedisë çame:

Baladë çame

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

Natë çame

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.

Janinë, vjeshtë

Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë
Dergjet i përgjumur në mjegullën mëngjesore,
Shket krahu i pulëbardhës mbi nisinë si tumule,
Me fletët e rrepeve mbulon era shetitoret.
Xhamitë ekzotike, bija lindore të braktisura
U pozojnë të trishtuara turistëve nga perëndimi.
Matanë sinorit me tela vijën stërnipat e Pirros
Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet buzë limanit

Vjeshta lakuriqe si “missis minifunde”,
Fërkohet pas ledheve mjekrosh tërë myshk,
Atje ku Frosina iu shkëput Ali Pashait
Dhe në ujrat e ftohta të gjolit u zhyt.
Ashtu është Janina e vjetëruar mënjanuar
Dhe të duket sikur në gjol mengadalë do humbasë
Bashkë me lavdinë e dikurshme të harruar
Bashkë me buçimën e tambureve luftarakë.
Do humbasë në Joaninën e re me neon,
Nën valët e veturave që shkasin asfalteve
Nën hotelet moderne “Ksenia”, “Palladion”.
Nën tingujt e kambanave dhe këngët e psallmeve…

Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë
Përkundet i përgjumur në mjegullën mëngjesore.
Që tej sinorit me tela vijnë stërnipat e Pirros
Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet e shetitoreve
Me një mendim të heshtur, me një brengë përvëlonjëse.

Një emër çam

Mbesën më të vogël e quajnë Stela
Nipi mban emrin krenar Ilir
Në kohën tonë ne s’vinim kësi emra
Po tani kohë e re emra të rinj
Vetëm bëj çudi si s’më është kujtuar:

Kishim në Çamëri dhe një copëz tokë te sheklgulet
Dhe një krua tek pylli që rridhte si rrungala
Si s’më është kujtuar, një nipi a një mbese
T’i vinja emrin e tokës, emrin e kroit t’i vinja!

Fëmini

Më përkundi nëna në djepin e vjetër
kur lufta i përkundëte vërtet si dallgë
Nina-nanat e nënës nuk i mbaja mënd
mes krismave gjëmimeve humbiste zëri i saj

Edhe fytyrë e dashuri mezi më kujtohej
Ndaj kur zbrita nga djepi iu përkula mbi varr
Po dheu i zi ma fshehu nga sytë përgjithmonë
Dhe zura të qaja me dhembje dhe mall.

Braktisje

Arbëreshët morën drejt perëndimit
Ne morëm drejt lindjes dhe veriut
Mbete i braktisur ti, jugu ynë i ëmbël
Ikëm e të lamë si në ëndërr.

Busti i një djaloshi çam të vrarë

Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull
profil i ngritur plot dhimbje dhe përbuzje.
Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet, as erërat
as shndritjet e bronzëta të siluetës sime.
Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia,
Për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime.

ObserverKult

Kanë thënë për Bilal Xhaferrin

eja trishtim bilall xhaferi


Sabri Hamiti: Bilal Xhaferri, shkrimtar i rrënjëve të etnisë

Bilal Xhaferi ishte një shkrimtar i rrënjëve të etnisë në vitet gjashtëdhjetë, kur letërsia shqipe ose lavdëronte idetë e socializmit, ose fitoren në Luftën e Dytë, duke e thjeshtësuar këtë në absolutin ideologjik të përparimit.

Në këtë aspekt, Xhaferri duket i vetmuar për kohën, duket i lidhur me letërsinë e paraluftës; po ky tashti të kaluarën
nuk e shikon në stilin e himnizimit e të lavdit, si mbështetje për problemet aktuale,
po pikërisht duke marrë një qëndrim kërkues e kritik për të kapur esencat krahas situatës kalimtare. Në këtë vështrim, kërkimi letrar i Bilal Xhaferrit në të shkuarën, në rrënjët etnike, nuk bëhet si shpalim dhe fascinim me të kaluarën, po pikërisht si kërkim për të bërë ndërkomunikime të kohëve.

Visar Zhiti: Edhe i vdekur ai s’është lënë i qetë

Në kokë e mori goditjen dhe në spital mbaroi në rrethana të dyshimta në vitin 1986 . Pas rënies së diktaturës, edhe pas kthimit të eshtrave të Bilal Xhaferrit në Atdhe, për t’u prehur në vendlindjen e tij, u botua dhe vepra e plotë në pesë vëllime e Bilal Xhaferrit.

Ndërkaq, edhe i vdekur ai s’është lënë i qetë. Herë pas here përfliten dhe dyshime në arratisjen e tij si i dërguar, aq sa duket sikur duan të vazhdohet ai konflikti i lënë në mes dikur, në Tiranën e kuqe për “Dasmën”, por tani i përmbysur, ende pa titull.

Gjithsesi, Bilal Xhaferrit i janë dhënë medaljet e larta “Martir i demokracisë” dhe “Nderi i Kombit” dhe, në Sarandë, para shtëpisë së tij, iu vu busti. Me vështrim të bronztë shikon të tashmen e shqetësuar …

Vath Koreshi: Xhaferrit i ishte rrahur në gjoks dielli i poezisë

Trokiti dera në shtypshkronjë dhe brenda zgjati kokën një djalë me flokë të verdha me onde, me një fytyrë të pjekur nga dielli dhe të argasur nga erërat. Ky njeri me fytyrë të ashpërsuar dhe me një xhakovendë doku bojë qielli, dukej të ishte një punëtor bujqësie, por që i ishte rrahur në gjoks dielli i poezisë. Ai njeri aq i ëmbël dhe i butë, më dukej sikur nuk dinte të qeshte. Vetëm se i ndriste një hije nëpër fytyrë si qielli kur hapet dhe atje kish më shumë keqardhje se sa gëzim.

ObserverKult


Lexo edhe:

BILAL XHAFERRI: S’DO TA HARROJA KURRË MARIEN…