Buqetë me poezi të Abdullah Konushevcit: Prishtina e fëmijërisë sime

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të Abdullah Konushevcit kushtuar Prishtinës:

Prishtina e fëmijërisë sime

S’je më ajo e thjeshta
E heshtura ime
Kur në ag dite
T’i vjelnim vreshtat
Agime që vështirë harrohen
Thua tash ti Prishtinë
2.
Nuk do t’i shoh kund më
Gjinjtë tu pjeshka të arrira
As sytë që më përkëdhelnin
As flokët korb të zeza
Kur dilje nga uji
Dhe ia shkelje syrin diellit
Ç ‘dreq më hynte në bark
Ç’i kafshoja buzët
O zot
Valë shikimesh trupin ta gudulitnin
E ti buzëqeshje ëmbël
Buzëqeshje për merak
3.
Të kujtohet
Kur në kaltëri na i ngritje xhitat
Kur rrugët t’i mbushnim
Plot zhurmë e jetë
Me topin tonë prej leckash
Njëmend fëmijë lazdranë ishim
Fëmijë që bota i ndjek orë e çast
Po ti s’ia vëje veshin njeriut
E jona ishe gjithë gaz
Sa herë na fshihje
Nëpër kopshtet e tua të errta
Nga pezmi i zgjuar i botës
E ruaje fshehtësinë ti
E ruaje si asnjeri në botë
4.
S’shkonim në xhami ne
Dhe kurrë nuk thërrisnim Kuku o zot
Po kur gurët këmbët na i vrisnin
Kuku mbaruam vdiqëm
Thoshim me sytë mbushur lot
Hoxha na shikonte me bisht syri
Dhe një dreq e di se ç’ thoshte
Me sytë e tij të errët
5.
Shpesh ia merrje valles Kundër vdekjes
Po ne s’merrnim vesh gjë
Ama vallen në hap e ndiqnim
E ndeznim edhe më
E theje shtatin ti
E theje për shtatë palë qejfe
Bisht vdekjes i bëje ti
Kur hyje në zjarr me defe
Ishe si në legiendë
Mbushur plot ujë që zien
Ia merrje me ngadalë
Shtruar e butë
Shpërtheje moj shpertheje pa çare
Kur vera t’i shtypte trutë
Ia matje për së gjati
Vdekjes vetë
Po shpejt të kalonte inati
Mblidheshe e shtriheshe e qetë
6.
Të nxorën nga përrallat legjendat
Në zemër të hapën Universitet
Atje ku vdekja korrte
Bijtë e tu me të shtrenjtë
Ty që vjen e hyn në mua
Ty që vjen e s’kthen në vete
Të ruaj mbështjellë në një ëndërr
Nga fjalët e botës sytë e këqij

Vijnë turistë
Mësojnë për projektantë e tu qorra
Dhe s’dinë se ti pije kafe me tas
Dhe çaj në mejhane
Dhe s’dinë për kullën e Shyqri Beut
Prej se cilës po të shkruaj poemë

Dashuri – U rrejtje

Do të kisha vrarë Prishtinë
Do të kisha vrarë
Nga një pushkë e kalibrit të madh
Do të kisha vrarë
Së dashuri
Trego haptas
Si më more në qafë
Kur shkela ne jetë i pamësuar
Me teket rrebet e tua të shpeshta
Më bëje ta haja veten të varesha në litar
Ti grua e pabesë e përdalë
Do të kisha vrarë Prishtinë
Do të kisha vrarë
Nga një pushkë e kalibrit të madh
Do të kisha vrarë
Së urrejturi

Si zgjohej Prishtina në mëngjes

Prishtina zgjohej me zile orësh
Dhe derdhej e përgjumur rrugëve
E qullur nga vesa
Përmendej nga ëndrrat plot ankth

Në mesditë i zihej fryma
Si një të sëmuri astmatik
Nga balerinat e përhime
Që i luanin mbi kokë
Vallen e rëndë te vdekjes

Në mbrëmje nuk gjente qetësi
Nga lehje qensh zukatje elektronesh
Dhe nga frika se një bishë e padukshme
Po e prente në fyt

Kujtimet e Besianit V

I huaj në qytetin tim
E hip e zbres gurin në kodër

Si turist i shikoj me habi
Ndërtesat rrugët kalimtarët
Lodhur cfilitur zërash fjalësh
I ngjitem moçalit o Malit të Shenjtë
Duke ikur në skaj të qytetit
I truhem shurdhësisë verbësisë së
Matiçanit

Larë në djersë lemëritur
Zgjohem nga ëndërr e ligë
Se zjarri i dashurisë e paska marrë
Prishtinën

Dalldisur pas homo novusësh
Harruaka se e shpëtuam nga uji i madh
Se e ujitëm me gjak se e ndërtuam me
eshtra
I huaj në qytetin tim
E hip e zbres gurin në kodër
Prishtina e ka të kotë
Poshtërimin nënçmimin
Në sytë e botës

Ardhja e Gjergjit në Prishtinë

Dhe ai erdhi
T’i presë kërthizën
Foshnjës së porsalindur

Erdhi duke shkelur rëndë-rëndë
Jo hija e tij po kryetrimi vetë
Frymëprerë syshqyer
E përkëdhelnim që larg

Shpatëzhveshur me kalin në re
Ai mbron qiellin e Dardanisë
Nga hyjnitë e rreme

Hyu është ai
Hyu i Dheut të Arbrit.

ObserverKult


Lexo edhe:

ABDULLAH KONUSHEVCI: DRITË E SAJ ËSHTË NË MUA