Buqetë me poezi të Jusuf Gërvallës: Kanga që do t’i këndoj asaj…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, dekoruar edhe me Urdhrin Hero i Kosovës, poetit, Jusuf Gërvalla:

U MËSOVA TË DUA

Në duart e mia të ftohta me duart e mia
Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
E mapësuar dora ime e hapi kuvelinë
E dimrit
Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam
Duart e mia të ftohta
Trupi i tij ujë
Dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
Rendi i katërt ishte plot
Dyshemeja me lëvore gështenjash
Këndet e larta rrjetë merimangash
E dikush tha. Po çirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën 
Ai dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara
(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)
Ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
Mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta
E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
Të dashur
Si fjalët e para si deti i ri si qyteti
Në kartëpostale.

ASAJ

Ma fal zanin e bylbylit, natyrë,
që të këndoj për të;
Prej kangëve ma të bukura që di, sirenë
Ma mëso nji që t’ia këndoj asaj!
…E kanga që do t’i këndoj asaj,
ka me qenë mâ e mbrama, po, pa dyshim…
mâ e kandshmja…

TASH PO NISEMI

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.

DO TË KTHEHEM NËNË

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin sokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrej shtëpinë.

BEKIMI I NËNËS

le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish
bari i zverdhur fare le të jetë
nën çatitë e kullës le të pikojë shi
le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi

le t’i marrë lumi urat e trerët le të thyhen
në cung le të ketë një shtëpi për dru
lulet e verës le t’i ketë prerë me barë kostari le të ftohet
ka stinë kur veç parzma e nënës do të ngrohet.

LUFTA DHE ARTI

Tutje gjithnjë akull
Këndej gjithnjë zjarr
Unë jam syri i Aladinit
E shoh veten si digjem
në betejën e tmerrshme
të fjalës
e të mendimit
Me shenjtëri të mallkuar
me përfytyrimin e qartë
e krijoj
Në mua shushurijnë dete
të qena
në ëndërr
S’po flas kotnasikot
Mund t’i merrni fjalët e mia
e të niseni nëpër botë
Unë s’kam guxim
Kuptoj se pa dritën e tyre
Nuk do ta di rrugën nëpër dritë
Janë krijuar prej frenimesh
prej kthesash theqafjesh
dhiaresh të shenjta
zigzage
Unë nuk i shoh yjet
pështjellë në terr
Gjithësia e ftohtë
nuk e ka gji diellin
Sikur të mos e ftohte
ana e errët e planetit

FLETË TESTAMENTI

Në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë dimrit e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t’i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë
le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë
së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe dimrit
të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit
ç’po flas kështu pash zotin?

Përgatiti: ObserverKult

Jusuf Gërvalla

____________

Lexo edhe:

Jusuf Gërvalla: Ikën zogjtë e vajtën, bilbilat seç heshtën (Teksti dhe kënga)