A mund të të harrojë ndonjëherë…

trishtim respekt Jorgo...

Nga: Fridrih Volf

A mund të të harroj, më thua?
Ah, e dashur, për këtë pyetje që bën ngahera.
Do të të bëj plot kundërpyetje të tjera
Dhe ti pastaj përgjigjmu mua!

Drurët e pyllit, më thuaj pra,
E harrojnë diellin që i zgjon në pranverë?
Dhe në dimër, kur bora sipër do t’u bjerë,
S’e shohin diellin në ëndërr ata?

Dhe përroi që rrjedh ledh më ledh me furi
E harron dot burimin e vet,
Që nga thellësi e shkëmbinjve buçet
Dhe rrugën i çel atij në liri?

Po zogu vallë i harron
Ajrin dhe flatrimin që në qiell e ngrënë?
Po luzma e bletëve kur zë folenë,
Aromën e luleve nuk e kujton?

Dhe një njeri që i gjeti të gjitha te ti,
Burim, flatrim, ajër, aromë dhe diellin e nxehtë,
O, e dashur, ma thuaj vetë,
A mund të të harrojë ndonjëherë ai?

Përktheu: Petraq Kolevica

———————

Lexo edhe:

Petraq Kolevica: O shpirti im, përse rri zgjuar?

ObserverKult