Buqetë poetike nga Adem Gashi: Kur vetmon përmallshëm me hijet

adem gashi antologji atdhedashuri

Në shënim të ditëlindjes së njërit prej shkrimtarëve më të dashur shqiptarë, Adem Gashit (18 tetor 1953- 16 janar 2024) sot ua sjellim një cikël të zgjedhur poezish, për të kujtuar përmes leximit, jetën dhe veprën e tij.
Gashi la pas vetes një krijimtari të begatshme, duke qenë autor i 22 librave (romane, eseistikë, tregime e poezi) e po ashtu edhe i qindra teksteve të këngëve.

Në fillim qe fjala

Kur e dredh fjalën bëhet poezi
e dridh qenien tënde

Ja, bie fjala,
kur them: drenushë e trembur dimrash
pranvera shfaqet në horizont
me rreze e lule e zogj

Domethënë ti mund të vish
pa drojë
me veladon të tyltë ngjyrash e ere

…se fjala i mbyll gjahtarët në limere
e mali merr frymë
me lule parajse e gjethe

Lirikë dashurie pa fjalën dashuri

Në fillimin e fillimeve
S’qe veçse një dru-pemë,
Nën hije Ai dhe Ajo
Dhe frutat e mbetura peng.

Skuqnin ato më shumë
A faqet e Saj,
Vetëm mund të merrej me mend.

Pastaj u desh një ndërhyrje e djalltë
Në harmoninë hyjnore
Për një zhvendosje, për një rend.

Rendi i ri i gjërave të pandaluara
E mbushi botën e shkretëtirtë
Me shend, me lumturi
Po, u mor vesh, fajsi mbeti Ai.

Tashti mund të flasim për mollët
E për gjëra të tjera me nënkuptim.

Kur vetmon përmallshëm me hijet

lotët m’janë bâ qelqe syzash
(edhe liget burri pa çka)
e m’del përpara f’tyra
të tanë e mbulueme n’pérla

f’tyr’e njasaj pra
qi kjé lule, pemë e u bâ flatër
e muer nji erë qiellnash e s’di ku e la
nashti u kthye shpirtshkëndijë oxhakut

pa çka
burri edhe liget
kur vetmon përmallshëm me hijet

Ra dimër në do kujtime të mia

ra dimër në do kujtime të mia,
kur them dimër domethënë thëllimi
dhe më erdhi të shfryj: ta marrë e mira,
po qe për të rënë, të binte harrimi!

në do kujtime të mia ra vera,
kur them vera domethënë zjarri
dhe s’kisha sesi të mos shpërtheja:
po qe për t’u djegur, të digjej trari!

këmisha, këpucët, qeveria me arna
me arna fytyra, ditët, me arna netët,
le të nisë gjithçka nga e para
në mos qoftë pak vonë a shumë herët!

Shtrati bosh

kur bie mbrëmja terri shtron çarçafët e bardhë
me petale trëndafilash hedhur në nënkresë
dhe vjen ti nuse me hap të lehtë si një sorkadhë
dhe vjen ti (figurë nga folklori) si lule me vesë

e përzihen ëndrra e shpresa si një herë e një mot
diçka prej ferri diçka prej parajse diçka si lojë
t’i puth buzët e epshta e syçkat e bukura me lot
e njëkohshëm më shfaqesh vajzë, grua, zonjë

lëre tani, kohën e moshën i kemi harruar kaherë
dhe mos më bëj sikur, dhe mos më bëj rreng
jam ai, ai djali pra, që dikur në një stinë me erë
mizorisht ia more zemrën e shpirtin peng

kur vjen agu symavijosur ti ikën në punë, në spital
unë shoh, ëndërritës si gjithnjë, shtratin bosh
dhe ankthshëm them: është shtrat a sarkofag
pa ty jam i harruar kohërash, me ty jam riosh.

Vjeshtë e bukur trishtimi

zunë të ftohen netët si një miqësi e brishtë
fijet e rralla të mallit skajeve të kujtesës
i djeg mëngjesi i brymtë

pastaj vetmon një vjeshtë e s’i shihet fundi
si një uverturë e dimrit shurdh e të thinjur
që i bien notat pentagramit të ngrirë

Stacioni i fundit

mërzitur nga s’di se ç’, po nisem për s’di se ku
mos më thuaj se do të më presësh

me e pa sëpatë pyllnajës së dendur do t’i futem
grykëmalit të ferrit tim nuk i druhem

nuk i lodhem as vapës as ftohmës as territ
mos më thuaj se do të më presësh

do të shkel rërën e bregut të detit
valë e stërkalë me shkëmbin kur ndeshen
ti mos më thuaj,
mos më thuaj se do të më presësh

drejt askundit, sidoqoftë, po nisem
se stacion i fundit je vetë ti,
ah, mos më thuaj, se e urrej dhe pritjen

i thashë të gjitha, jerm e zgjuar, faqe bote
tani unë tërhiqem, është radha jote.

adem gashi

Emin Z. Emini: Profili krijues i Adem Gashit

Adem Gashi është figurë poliedrike, në epiqendrën e së cilës ndodhet shkrimtari i dyzuar: poeti dhe prozatori. Poeti është liriku i rrallë me emocion të emancipuar dhe gdhendësi i pashoq i fjalës, ndërsa prozatori është romacieri dhe tregimtari i poetikës moderniste, i cili sikur me kryenqësi i bën konkurencë poetit, veçanërisht me veprën “Lakorja e fatit”, (Armagedoni, 2020), duke i dëshmuar kështu “rivalit” se toka e begatë e Adem Gashit është tregimtaria. Pranë këtyre dy autorëve, poetit e prozatorit pra, për ta ndërtuar tërësinë e kësaj figure, s’ka si të mos ndodhet edhe eseisti e publicisti, tekstshkruesi i shumë këngëve si dhe veprimtari i dalluar kulturor e njeriu që gjithë jetën e tij qëndroi vertikalsht dhe që u angazhua e ndëshkua për veprimtarinë e tij atdhetare.

Nga Prof. asoc. dr. Emin Z. Emini

Por, mënjanë këto e të kthehemi te poeti dhe poezia, sepse numri i madh të veprave të krijimtarisë së tij i përkasin kësaj gjinie letrare.

Poeti, Adem Gashi nuk është aplikuesi, por krijuesi i figurave poetike dhe është gurra e formimit të fjalëve të reja, sipas metodologjisë së fjalëformimit të shqipes. Poezia e Adem Gashit dallohet për depërtimin e saj në honet e mistershme të shpirtit njerëzor dhe, po kështu, dallohet edhe për transmetimin e ideve, kuptimit e mendimit.

Prandaj, poezia e tij, për aq sa është poezi e ndjenjës, është edhe poezi cerebrale. Kjo dikotomi poetike, pra, e para që ka të bëjë me konfigurimin bërthamës emocionle si njësi autonome e sintaksës poetike, pikaset tek e dyta, në formulimin dhe shqiptimin e ideve nëpërmjet figuracionit, ndërtimit të kompozitave dhe intonimit estetik e filozofik të mendimit.

Poetit Adem Gashi nuk mundet askush t’i bëjë vëllamëri në ndërtimin e strukturës poetike. Ai mbetet autori i përkushtuar në sistemimin e materialit poetik duke gërshetuar dy sisteme, atë tematik dhe motivor, deri në shkallën e krativitetit artistik. Në këtë rast, ndër shumë të tjerë, do të përmendja librin “E shkrueme për Kryeshpendin”(Buzuku, 2019), i cili ka 64 madrigale dhe një sonet, të strukruar në katër cikle: Hana e moçme, Hana e plotë, Hana e re dhe Djelli. A nuk janë këto katër stinët e natyrës, katër stinët e jetës së njeriut, katër stinët edhe të kryeshpendit, shqiponjës pra, kësaj figure zoomorfike, e cila na vjen domosdoshmërisht në cilësinë e totemit poetik, jo vetëm të autorit, por edhe të etnikumit shqiptar.

Adem Gashi është mjeshtri i vargut të lirë dhe filigranisti i fjalës, qoftë kur shkruan në shqipen standarde, qoftë në dialiektin gegë, pa harruar këtu të përmendim edhe faktin se ka shkruar edhe poezi a motërzime poetike edhe në toskërishte. Por, diku tjetër qëndron e veçanta e këtij autori, kur flasim për gjuhën poetike: Adem Gashi, është poeti, i cili me vetëdije krijuese di t’i bëjë të bashkëfrymojnë në një të njëjtën poezi edhe standardi edhe dialekti, si dhe, për ta çuar edhe më tej nivelin artistik e estetik, ani pse rrallë, ai, guxon të “ekspretimentojë” me forma shprehëse, duke kombiniar madje, vargun lirik me vargun epik.

Adem Gashi, është dhe poetik, i cili sikur me stetoskop dëgjon të rrahurat e zemrës së poezisë, ai ia ndien pulsin vargut poetik, prandaj poezia e tij shquhet për ritmin, intonacionin dhe gradacionet e tij. Megjithëkëtë, Ademi është dhe poeti, i cili ka ditur ta reduktojë, madje ndonjëherë deri në abstenencë, emocionin personal për t’i hapur rrugë kështu, gradacioneve të ndryshme të përjetimit nga ana e recipientit. Shi për këtë, ky poet iu ka shmangur me elegancë piskamave e bërtitjeve, brohorimave e ofshameve patetike qoftë kur shkruan për humbjen, për vetminë, për dhembjen a pikëllimin, qoftë kur shkruan për plagët e atdheut, për copëtimin e gjeografisë kombëtare, për luftën dhe gjakun e dëshmorëve, për qiellin dhe njeriun shqiptar.

Dhe, para se ta përmbyll, më duhet të kthehem në fillimin e kësaj fjale, te figura shumëdimensionale e Adem Gashit.

Ata që e njohin krijimtarinë artistike dhe bibliografinë e Adem Gashit, e dinë se verpën e tij të dytë, të botuar nga Rilindja, më 1985 e ka titulluar “Duke punuar autoportretin”. Pse e solla këtë titull para jush?

Sepse, s’mend se, Adem Gashi, gjatë gjithë jetës, qoftë të asaj krijuese e artistike, qoftë të jetës së rëndontë personale, s’ka bërë gjë tjetër pos që ka piktuaruar autoportretin vetanak. Ka krijuar një portet që me veçantitë dhe me të gjitha ngjyrat e krijimtarisë së tij do të mbetet si njëri ndër autorët më të rëndësishëm të poezisë bashkëkohore shqipe.

*Fjalë rasti, në “Orën përkujtimore” për Adem Gashin, organizuar nga Art Club “Rifat Kukaj” dhe shtëpia botuese “Armagedoni”, sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë

adem gashi

Biografia

Adem Gashi ka lindur në Nekoc të Drenasit më 18 tetor 1953. Ka studiuar për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar si mësimdhënës në vendlindje. Nga viti 1977 e deri në 1990 në Radiotelevizionin e Prishtinës e pas lufte në RTK. Ka qenë edhe drejtor i Zyrës për komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Gashi është autor i 22 librave (romane, eseistikë, tregime e poezi) e po ashtu edhe i qindra teksteve të këngëve.
Ka botuar:

POEZI:
PA OMBRELLË, 1982, DUKE PUNUAR AUTOPORTRETIN, 1985, REALITETI OBJEKTIV*, 1990, ËNDRRA TË LIGA, 1995, DORËSHKRIM I DJEGUR, 2000, LULET E VETMUARA*, 2001/2002, LADY MAK(TH)BETH*, 2006, KTHIMI I PAMUNDUR, LADY**  2013, LABIRINTET E MAKTHIT (Lady 3), 2015, S’I DUHET KUJT GJAKU IM, 2016, SHI DHE ZOG I VETMUAR, 2016, DITËT PA GJË*, 2017, VIZATIMI I VETMISË NË LETRËN E BARDHË, 2017
TREGIME:
VDEKJA E MIXHËS, 1987, PËLLUMBI I PAQES, 1989, UDHËTIMI I FUNDIT*, 2002
ROMANE:
A…ZH – VETËTIMAT E NËNTORIT, 2005. DITA TJETËR E JETËS,  2014
ESEISTIKË, VËSHTRIME E STUDIME:
NOSTALGJIA E LETRËS, 2003, PORTALI I FSHEHTË I JETËS, (Shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it) 2007

Është nderuar me rreth 50 çmime letrare. Në viti 2022 Gashi ishte fitues i Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, i cili ndahet nga Ministria e Kulturës.
Adem Gashi u nda nga jeta më 16 janar 2024.

ObserverKult


Kliko edhe:

(VIDEO) HOMAZH PËR ADEM GASHIN/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS