Buqetë poetike nga Gerhard Pregapuca: T’i japim fund një herë e mirë!

iden poezi nga gerhard pregapuva nese martohemi observerkult

Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Gerhard Pregapuca.

IDEN

Iden!
Të kam thërritë në gjumë
E zgjimin s’e kam dashtë.

Iden!
Sa herë kam dalë kundra natyrës.
Erën…!
Kam urry kur flokët t’i ka prekë.
Shiun..!
Pse n’lëkurë të ka rrëshkitë
Si me pas qenë buzët e mia.
E buzët e mia, s’do mundnin
aq rrëmbyeshëm me t’puthë.
E dielli?!
Pse fuqi ka
me t’i ba sytë me shkëlqy
ma fort se unë.

Iden!
T’kam thërritë n’gjumë.
E forcë m’u zgju s’kam pasë.

E pse me u zgju?!
E pse jo…!

Iden!
As n’andërr
s’mundëm me qenë bashkë.
As n’zhgjandërr.

Po unë e gjej një forcë në vete,
veten me mujtë me e bindë
Se është ma mirë kështu.

Buzëqeshjen s’kam me ta marrë…
Por as lot padashje s’kam me të dhanë…

Çfarë pagimi për me humbë
Diçka që s’mujta me e pasë.

E MALLKUMJA PREJ BUKURISË, IZABEL!

Izabel!
E mallkumja prej bukurisë s’vet Izabel.
Me gjinjtë kryeneç, belin e hollë
e vithet përpjetë,
se…. kaq t’duken. E mallkumja Izabel!

M’fal!
Nuk u prezantum…
Jam ai djali me shpatull të ramê,
që ecte pak çalë.
E nga e ecuna pak çalë,
pati fatin e trishtë me u përplas’ n’shpatull me ty,
E për fatin e trishtë t’shoh përtej gjoksit
tand t’ngritun e kryeneç e të nigjoj zanin,
kur përsipër more “fajin” tem për mëshirë.

Eh… Izabel!
Mëshirë…

Ma shumë se dhimbjen e shtrembnimit tem
sot myt dhimbja për ty.
Dhimbja, që edhe ti si unë s’ke me mujt me e ndî
se kush të dashuron prej’njimend Izabel!
Dhimbja që kur të pysesh at’ djalë se,
“çfarë ngjyrë i ke sytë”,
padashje ka me t’u përgjigj për numrin e gjoksit,
ose “sa të ngrituna i ke vithet”.

E ti… ti do të qeshesh prej ktij komplimenti
e ke me e harru edhe vet’ ngjyrën e syve…
deri në darkë Izabel,
kur kryt’ ta kesh vu në jastëk e të kjash.
Të lotosh për ngjyrën e syve të tu…

E mallkumja prej bukurisë, Izabel!

Çfarë ngjyre i ke sytë?
Si të qujnë?

FLI, ENGJËLLI IM!

E qetë, ti fle engjëlli im,
Më bën të ndjehem xheloz,
Me gjumin, je dashuruar kaq ëmbël,
Ç’të bëj kur shpirti mu merakos?!

Të shikoj, e të ngopur s’kam
Të puth, ti dorën mbi mua e vë,

(Më fal, të shqetësova..?)

S’më erdhi keq!
Kastile e bëra, po hë!

Fli bukuroshja ime,
Ashtu paqësore siç je!
E në mëngjes, kur të zgjohesh,
Lërmë mua edhe pak të fle!

Se natën, siç të thash’ nuk pata gjumë,
Po të shikoja ty,
Xheloz e i merakosur për ëndrrat që sheh,
I etur, për ato dy sy!

Që nga qepallat jan’ mbuluar,
E shkëlqimin dot s’ja shoh,
Nga puthja i hap ashtu si përgjumësh,
E thua se më do!

Dhe i kënaqur,
Në jastëk kokën vendos,

(E ngadal mbyll sytë dhe unë)

I qetë jam tashmë, e ëmbla ime,
I lumtur, se të dua shumë!

ANAMARIA

AnaMaria kish’ flokë të verdhë.
Dhe trup të brishtë ajo e kish’,
Me sy të kaftë, buzëqeshje jetë,
Një mijë arsye, me të, të rrish.

AnaMaria kish’ flokë të verdhë,
Një mijë arsye, me të të rrish,
Ta puthje lehtë, të ipte jetë.
Kur ikte, ta merrte sërish.

VETJA JEME E NDAME N’DY!

E para ash’ e egër!
E shpërfytyrueme n’tnemuna!
Dhe e nemuna s’po di ku me nal.
T’mallkon, t’shan, t’urren..

Tash e dyta!
Ajo ash’ e butë…
E butë veç për ty.
E butë si puhiza prej t’dashmit ty.

E dyta ash’ ma e egër se e para!
E dyta kafshon gjuhën që n’mendim..
E nuk nal. As kur gjak rrjedh prej gjuhe…
As kur dhimta n’shpirt l’çon piskamë.

(E m’myt në lot).

Po e lam nji varg ‘bosh’
T’vetëm si mue tash…
E dyta ash’ ma e fort se e para.
Ani pse e butë puhizë si dashnia jonë..
Dhe e dhimt’ si ndarja jonë…

 JA, EDHE PAK, ZEMRA IME!

Ja!
Edhe pak…
Bëj durim zemra ime
Mbrëmja do t’zbres.
Gjumi qepallat e syve
Ka me ti rëndu.
E ke me qenë sërisht me të
Deri në mëngjes.

Ke me u përpëlit në krevat,
Për mos me ju largu.
E ke me i premtu se…

Mbrëmja!
Ka me ardh sërish,
Me ëndrra plot.

Dita s’ka qenë e shkruar
Për me qenë bashkë,
Po mos me u mërzit.
Në ëndrra ke mundësinë
Me i dhanë ngjyra qiellit
E me u puth me të
Edhe atje ku njeriu
Nuk preku kurrë për fat.

NËSE MARTOHEMI!

Nëse martohemi!
Shpesh do të besdisesh,
duke shfryrë nëpër shtëpi.
Do t’i lash edhe një herë,
të larat me të palarat.
E gjellës kripë,
mbi dy herë,
do t’i hedhësh pa dijeni.

Nëse martohemi!

Shpesh do të mallkosh,
dhe ditën kur u njohëm,
si ditë.
E unë,
do të puth, e përkëdhel
që të të zbus.
Se të kam,
mbi të gjitha,
Perënditë.

T’I JAPIM FUND NJË HERË E MIRË!

Ulu!
T’i japim fund një herë e mirë.
Të shahemi me rrënjë e degë.
Kush kujt, jetën ja ka nxirë.

Ulu!
T’i japim fund, fundit pa fund.
Të thyejm sende në nerva e sipër
Kush më fort themelet i tundë.

Ulu!
Të bëj një kafe si ditën e parë.
Të them që jeta jonë do jet’ ndryshe.
E çdo gjë do shkoj sërisht mbarë.

Ulu!
T’i japim fund, fundit pa fund,
Se nesër sërish do zihemi.
E sërisht dashuria do na mundë.

U MËRZITA… DHE SHKOVA PA BËRË ZË…

Nuk kish ç’të më jepte më!
I mora të gjitha prej saj,

E ika, pa bërë zë!

I mora buzëqeshjen,
Sytë plot shkëlqim,

Buzët,
Ah buzët, plot ëmbëlsi!

I mora dhe zërin.
Me të ëmblën melodi.

U mërzita…

Dhe shkova pa bërë zë!
Veç, zemrën,

Këtë detaj, kaq të vogël,
E lashë me të!

KAM MARRË PJESË N’VARRIMIN TËND DASHURI…

Kam marrë pjesë në varrimin tënd dashuri.
Me duart e mia të kam futur nën dhe.
Ti kam bërë të tëra homazhet një e nga një
Për të t’harruar natyrisht e kam bërë.
Por përkujtimoret nuk dita ku të t’i lë.

ObserverKult

Lexo edhe:

GERHARD PREGAPUCA: E KOHA SHKON, E TI SHKON, E UNË …