Buqetë poetike nga Kujtim Paçaku: Kur dashuron një rom

rom tradhtuan poezi nga kujtim paçaku

“Kur dashuron një rom”, ObserverKult ju sjell një cikël të zgjedhur poezish nga Kujtim Paçaku

SI BËHET KËNGA ROME

Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim…

URIA

Vaji i fëmijëve nuk ka të ndalur
As këtë mbrëmje
Aroma e gjellës së fqinjit
As sonte nuk iu ngop barkun
Kur zemra ka acar
S’ka pranverë që mund ta shkrijë…


KËNGË E ZEZË

Nënë, ku i kam vëllezërit?
I kanë vrarë!

Po babai ku është, nënë?
Nuk u kthye!

As qeni i shtëpisë nuk dëgjohet!
E helmuan!

Nënë, këndoma një këngë!
Zëri më është shterrë, o bir!

Më jep pak bukë, nënë!
Nuk kemi as edhe një dromcë!

E ç’do të hamë sonte, moj nënë?
Do ta kafshojmë dhimbjen tonë
Dhe do të dehemi me lotë.

rom


DIALOG


Nënë,
Tenda na është çjerrë
Me se do ta arnojmë?
Me një cohë qielli, bija ime…

Nënë,
Zjarri na është fikur
A thua si do të ngrohemi?
Me rreze dielli, bija ime…

Nënë,
Bukë s’na ka ngelë më
Me se do të ushqehemi?
Me dromca këngësh, oj bija ime…

FESTA

Si mos të më këndohet e mos të jem
I gëzuar sot
Kur nën krah mbaj bukë
Bukë të nxehta valë
Për të gjithë ata që më presin në shtëpi
Nëna
Gruaja
Dhe shtatë fëmijët
Po nesër?
…Zoti është i madh!


ËNDRRA

Vura këmishën tënde nën jastëk
Që t’i ndjellë ëndrrat
Me aromën e gjinjve të tu
Ti vjen e veshur me qiellin e natës
Me hënë në dorë
E një trëndafil në buzët e përgjakura
Nëpër Rrugën e Qumështit ne arratisemi
Në karrocën tonë
Të mbështjellë me pluhur yjesh…

rom


KUR DASHURON NJË ROM

Kur dashuron një rom
Në pikë të dimrit ia thyen dallëndysheve
Rrugën e shtegtimit
Kur dashuron një rom
Ua shkund shtratin luleve të përgjumura
Myzhdenë t’ua japë
Kur dashuron një rom
Përrenjve të ngrirë
Ua fal çmendurinë e dallgëve
Eh, kur dashuron një rom..

JAM ROM

Po, jam Rom
Unë, ky që qëndron tash para jush
Jam nga stërnipat e Gangut
E bijtë e Lumbardhit
Kurrë nuk isha mjaft i bardhë
Për të bardhët
As tamam i zi për të zinjtë
Erdha vetëm t’u fal ca vargje
E të marr ndonjë duartrokitje në këmbim
Kaq më mjafton të ndihem i lumtur


MAESTRO PLAK DHE VIOLINA

Të gjithë më tradhtuan në këtë jetë…
Pos violinës
Gjak e mjaltë kemi ngjyer bashkë
Në sofrën e hënës
Tash që ditët i kam të numëruara
Veç një amanet po ua lë:
Në varr kur të më lëshoni
Mbi gjoks të ma lini violinën
Violinën time të vjetër
Oh, këtë dashnore gjithmonë të re

TESTAMENT

Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tepihun e jetës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj
V
E
R
T
I
K
A
L
I
SH
T
Meqë gjithë jetën
S’më lanë se s’më lanë të ngrihem në këmbë!

ObserverKult

Lexo edhe:

Buqetë poetike nga Jozef Radi: Kajherë trishtimi ka emën t’përveçëm…


Buqetë poetike nga Jevrem Bërkoviq: Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur!