Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Lul Beshaj:
Unë e mata jetën me ty Gabrielë
Mua më ka gjuajtur jeta shpesh me gurë
E unë prapë qëndrova si mali përballë
E di një i vdekur pranë s’të gjendet kurrë
por dhembka kur pranë s’të rri një i gjallë…
Unë shpesh e mata shpirtin dhe me shkretëtirën
U ngrysa në ditë që s’më dhanë një zë
Por nuk hoqa dorë të kërkoj të mirën
Tek një fije shprese që tek zemra fle…
Unë e bëra udhën shpesh edhe më vetëm
Mijëra qenë të gjallët, por s’mu gjend asnjë…
Por unë kurrë, kurrë, s’e urreva jetën
Më bëri t’a dua fort një tjetër gjë.
Më bëri t’ia ndjej jetës gjithë kuptimin
Drit’ e artë e yllit që në zemër ngel…
Jeta e mat forcën me sa ke durimin
Unë e mata jetën me ty, Gabrielë.
Gabrielë, kam frigë me kenë pa ty
Unë mund të bëhem një ditë, dritë
E deri atëherë asht ende nji rrahje zemre larg,
Domethanë,
Nji pafundësi.
Unë kam frigë me kenë pa ty
Ballë dritës,
Nuk di me pa pa ty.
Edhe ballë territ
Kam frigë mos me t’pasun në udhën e shpirtit
Ti je pika e ujit në bunarin e përmallimit për ty.
Unë kam frigë me kenë pa ty ballë jetës
Ti je lidhorja e parë e syve me dritën.
Unë nuk e mohoj,
Du me mbajt nji meshë për dritën!
Tash Gabrielë,
Ti nuk je e ajrit,
E kohës,
E luleve,
Ti je e emja!
Ti je e përveçmja e syve të mi.
Edhe na jemi si zogjtë
Kthehemi ku na bien pendët e mallit
E bahemi kangë
Se na na Frigë mungesa e:
Mori malli me m’shkrue.
Flemë,
Gjum të jetshëm,
Gabrielë.
Ti dua sytë e zemrës
Ndoshta ti s’do as t’a dëgjosh
Kur unë të them: s’t’i dua sytë e ballit
Tjetër gjë më solli gjer tek ty
Që është përtej ndjesisë së mallit.
Ti ndoshta trishtohesh, mbase dhe mërzitesh
Se sytë e ballit s’t’i dua aq fort
Ti ke padyshim sytë më mahnitës
Por mua tjetër gjë më soll’ në tënden botë..
E them, sytë e ballit nuk mundem t’i dua
Ti ke tjetër gjë që mua më çmend
Është një e përtejme më shumë se e çmuar
Diçka që kalon çdo kohë, çdo vend…
Edhe po t’a them ti ke sy mahnitës
Sy që i përngjasin padyshim veç ëndrrës
Por ti ke dy sy të papërsëritshëm
Dy sytë që unë dua, sytë e tu të zemrës!
Gabrielë, lërmë të të ndjej
Gji i bardhë
Ardhsh si vjen me u dashtë
ardhsh si vjen dora, derës
Ardhsh si dritë ndajnatherës
ama zemrën t’a ndi
bëje dritë të më ndri’
Pastaj dhomën e ftohtë
Bëje zemër të ngrohtë
Që të ketë imja botë
Dritë në sy.
Pastaj mbushe me ty
Jepi frymë tejetej
Pastaj lërmë të të ndjej
Përtej gjithë sa mban zemra
Përtej gjithë sa fsheh brenda
Përtej ç’është shpirt e mish
Dashurisht…
Udha e shpirtit dhemb
Dëgjo, ti më duhesh që unë të çel në sy
T’i dalë përpara natës e dritë t’a bëj me ty
E di, udha e shpirtit dhemb dhe shpesh të tremb
Por unë kur të kam ty dhe malin di, e shemb.
Dëgjo, ti më duhesh të mbjellë një arë me dritë
Dhe farën që do hedh t’a marrë nga yti shpirt
Të rritet e asgjëje tjetër mos t’i ngjajë
Po mundet vallë toka ty të t’shohë pastaj?
Jo, e di, s’do mundet, s’mundi as kur s’qe
Veçse një vend dreqërish që marrin frymë mbi dhe
Paj mendoje pak kjo botë në terr e mpitë
a mundet t’a duroj të bukurën tënde dritë?
Dëgjo, ti më duhesh, e di dhe unë të duhem
Unë nga e keqja dije, kurrë nuk druhem
Druhem nga e mira që thuhet, por nuk bëhet
Druhem dhe nga zemra që lotit i rrëfehet…
Por dije ti s’më duhesh, më duhet tjetër gjë
Më duhet veç një tingull nga ai i bukuri zë
Që kurrë nuk e kam ndjerë nga gjithë sa njoh të gjallë
Më duhet dhe diçka që them është aq e rrallë
Atë që dot s’e mban fuqia e kësaj bote…
Më duhet gjithë e mira që mban tek zemra jote…
Por prit se harrova, vërtetë prit pak, prit
Dëgjo, ti më duhesh të mbjellë nga shpirti, shpirt.
___________________
Unë jam mësuar vetëm me ty
Dëgjo, unë jam mësuar vetëm
Me ujin
Me erën
Me dheun
Me gjurmën tënde
Me ajrin
Me dhomën
Me hënën që mban fytyrën tënde..
Me heshtjen
Me dritën
Me letrat e tua
Me sytë e mi pa ty…
Unë jam mësuar vetëm
Me malet e mia
Me dimrin tim
Unë jam mësuar vetëm me ty…
Si dreri me dëborën e bardhë…
Si dashuria Gabrielë, me emrin tënd.
Unë jam mirë Gabrielë,
Sa kohë që ti je në jetë.
T’kam Gabrielë, t’kam…
E dashtun Gabrielë,
Në nadje kur shpirti em asht pupël
Ti bahesh masa e andrrave.
E ashtu plazmohet qenia jote prej fryme
Në sytë e mi.
Si me t’thanë Gabrielë
T’kam sa rania e dritës
Të shejtë
Të shtrenjtë
Në shpirt
Për shpirt.
Kam ba jetë me ty në kohë andrrash,
Ama ballin
Du me t’lanë tre dashni:
Të syve, për ty
Të zanit, me ty
Të pakohës, me t’dy.
T’kam Gabrielë,
t’kam!
U dashka Gabrielë…
U dashka Gabrielë
T’i kërkosh rrajët e dritës tek ty
Të kesh dhe mos kesh yjet
Të kesh dhe mos kesh veten
Të kesh dhe mos kesh ty,
Por u dashka Gabrielë
t’i thërrasësh jetës me tanë fuqinë e heshtjes
E me i lanë ajrit emnin tand dëshmi
Se sa t’kam thirr
Se sa t’kam ndi
Se sa t’kam dashtë.
U dashka Gabrielë
Me i ngjasue bota fytyrës tande
Atëherë Zoti ka me na dashtë ma shpirtshëm…
U dashka Gabrielë
Që shpirti im t’a kërkoj të mirën
tek ardhja jote në jetë…
U dashka Gabrielë,
Mos me pat krahë ejlli
E ashtu veç me u ndi zemrash me ty.
U dashka Gabrielë
Që ti me kenë në jetë
Kur të marrësh frymë ndi
Se t’kam lanë dëshmi emnin në ajër…
Se aq t’kam thirr
Se aq t’kam ndi
Se aq t’kam dashtë.
U dashka Gabrielë
Sa shumë u dashka e mira
tek ty.
Ungjilli sipas Gabrielës…
Dëshmoj:
Në fillim ishte Dashuria…
Asaj i lindi zemra
Zemrës i lindi e pafundmja
E asaj heshtja
E heshtjes ti.
Jo…jo… zëri
Atij i lindën tingujt
Tingujt u bënë gërma
E prej tyre lindi emri yt…
Jo jo, fjala…
Asaj i lindën zanoret
Bashkëthirrmoret,
Klithma e mungesës
Dhe Dashuria.
Kësaj të fundit
I lindën: Unë mungesa jote.
Prej saj lindën yjet,
Dhe poezia.
Kësaj i lindi koha,
E kësaj prania jote.
Kësaj i lindën sy
Prej tyre drita,
Kësaj i ngjajte ti.
Prej kësaj lindi Dashuria
Kësaj të fundit i lindën: Ti dhe mungesa ime.
Pastaj u bënë qiejtë
Ditët
Dhe shkrimi i parë për dashurinë.
Kështu jetë pas jete,
Në fillim ishte Dashuria
Asaj i lindi zemra
imja dhe e jotja.
Përjetësisht.
Amen!
Amen!
Amen!
Gabrielë…je thirrja e parë
Në gjysmën e botës ti rri e bërë hënë
Në gjysmën e botës rri unë, i bërë zjarr
Në ngjizjen e dritës ne bashkë jemi zënë
Por fati e deshi të rrijmë të ndarë…
Në gjysmën e botës rri ti e bën dritë
Në gjysmën e errët rri unë e ndez zjarr
Ti vjen edhe emrin më thua tek sytë
Dhe zemra e di, je thirrja e parë…
Në gjysmën e botës ti rri e praruar
Në gjysmën e botës rri ti e bërë hënë…
Në gjysmën e botës një zjarr rri pa shuar
Ty Zoti dëshmi tek unë të ka lënë…
Në ngjizjen e dritës ne bashkë jemi zënë…
E trëndafilta ime
O e trëndafilta ime
Ne një ditë do takohemi si malet në ndarje ..
Si yjet në hirin e dritës
Si toka në tharje…
O trëndafilta ime,
Parzmi ku kemi thirrur emrat
Do na bëhet thërrime
Si zemrat…
O e trëndafilta ime
Po unë jam ende një ti në mua
I ardhur në jetë veç me t’thanë
Se të dua.
E kam me të dashtë
Sa malet që duhen e shihen
Sa zemrat kur ndihen
Sa ashti në asht!
Tash, eja këtu mbi qerpikë
E Zoti na mbroftë, me dritë!
Mu bëfsh ditë e shpirtit, Gabrielë
Sa e bukur je!
Kam pa këmisha lulesh tek bien nga yjet Gabrielë.
Adama të trishtuar me kova faji.
E nji pus të zi me netë të bardha trandesh.
E unë tuj lëçitun buri zanash, kam pa diçka prej vetmie të bardhë
E di çka asht vetmia e bardhë?
Asht me u zgjatun në flokët e tu
Në gjakun tand e me u ba prej jete.
Me u mat me dy male që heshtin e duhen
E me prit rrufetë në mollëza të gishtave.
Ti je kaq e bukur… Veç fjala ime asht ende e pa bamun për emnin tand.
Fli..
Mu lemz zemra për nji andërr me ty.
Mu bëfsh ditë e shpirtit.
Agu im.
Imja, Gabrielë
U bë koha ti …
Ti një dashuri…
Ti u bë dhe jeta
Ti u bë dhe fleta
Ti u bë dhe Zoti..
Malli u bë ti
Ti u bë dhe zemra..
Ti u bënë shirat
Ti u bë e mira…
Drita ti u bë
Ti u bëre zë..
Ti u bëre krahë
Zemra ku unë rrah
Ti, një bukuri
Ti sa ti se di…
Ti një e pathënë
Ti një hënë e ngrënë
Ti një fletë ku shkruhem
ti qenia ku duhem
Ti qenia që dua
Ti që më ke mua…
Ti u bë dhe fjala
Ti u bë e gjalla
Ti u bë sa rron
Ti gjithë sa jeton..
Ti u bëre lutja
E fshehta dhe dukja..
Ti je kaq e rrallë
Sa puthja në ballë
Zemra je me fron
Dhe kur je, mungon
Dhe kur mungon je…
Ti u bëre dje…
Ti u bë një botë
Ti je sa kam sot…
Ti je sa do kem
Ti kur thua “ndjemë”
Ti u bë dhe unë…
Ti u bë pafund…
Ty s’mund të të humb.
Se je gjithë sa kam…
Gjithë ç’na zemra del
gjithë ç’tek zemra ngel…
Imja, Gabrielë!
Ti je dëshirorja e syve dhe e gojës…
Eja mbillemi në mollëzat e gishtave…
Ti, ji pika e ujit
Unë pika e dritës…
Pastaj duhemi gërmash…
U bëfsh!
Qofsh!
Ji!
Ti je dëshirorja e syve dhe e gojës…
Ti je veta e parë e mënyrës time…
Shpirtërore.
Më rrihet në honet e zemrës tënde..
Aty, mund të t’a klith emrin
Në tre pasthirrma…
Ji!
Qofsh!
Mbetsh!
T’kam andërr, Gabrielë
Gabrielë,
ti je andrra me Jetë
E jetës në andërr…
S’di sa me t’pas
Ama t’kam..
Andërr
puhizë
strehëz të vedit në amshim…
Trokthin që m’zgjon mallin
E emnin që baj lutje n’Zot…
Kjoft bekue dita kur u bane za i Zotit në zemrën teme…
Kjoft bekue drita jote në qerpikun tim…
Ty asht andërr me të dashtë…
Ty asht pak mos me t’a dashtë dritën.
Tash gjuemi sytë me gura malli…
Gabrielë,
T’kam në Zot,
Emnin që buza i vu zemrës…
Ama t’kam,
Njeriun tim.
ObserverKult
Kliko edhe:
LUL BESHAJ INTERPRETON POEZINË E TIJ “UNË E KAM DASHUR FORT NJË VAJZË”