Buqetë poetike nga Xhabir Tabaku: Për sytë e tu si Buna

Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura të Xhabir Tabakut.

PËR SYTË E TU SI BUNA

në kopshtin tim mbas shtëpisë
bregdetit e maleve në dimër
gjithandej poshtë mokrave të thata
përtej yjeve hënave të bardha
për sytë e tu si Buna oh
e gërshetat prej dielli
ku je fshehur që s’të gjej dot
që fëmijë të kërkoj e s’të shoh
mos je bërë rê
a dhelpër mos je


PRANVERË E VDEKUN

heshtje gjithkah
pranvera po lèn e vdekun
njerzia jan’ ndrye
në shtëpi të vogla frike
liqeni ndrit’ i paqt’
nji lil i bardh’ nji lil i verdhë
mjellmat përbri

BOTA DO T’DIGJET NATËN FLAKË

… e bota jonë do të ndërroj’
kafaz eshtrash për shtroje
qiellin me rê ngarkue – ploj’
e mallin amshim
muzeve do të jetojmë
raftave me xhama pluhnojm’
vetveten do të mallkojmë
dhe botën në rënkim?
bota do të digjet’ natën flakë
ne qeshim si të marrë
rrugëve të qytetit përdore kanë dalë
një burrë amoral-
një grua e përdalë

VETMITË S’BZAJNË

ti je larg-unë jam në nji largësi tjetër
si dy anët e nji ure të thyeme në mes,
si dy sy që s’shohin njêni-tjetrin
dy zogj bore ngrim’ n’vetmi.
vetmitë s’bzajnë! -në heshtje
vdesin, porsi dy hana t’verdha.

MË SHFAQESH NË ANDËRR

më shfaqesh në ândërr-
e çuditshme ândrra
të sjell si një sy të madh jeshil
plot jetë, plot jetë
dhe shpërthen
e mbushet bota me lot’-
me lotët valë të nxehtë
më shfaqesh në andërr natën
dhe më rrin në sy
plot lang, plot lang


DHE VJEN MESNATA

mbi nji tavolinë të vjetër pune
nji dorë letrash shuk,
dy tri lapsa plumbçash thyer,
m’nji pjatë do djathë, nji copë buk’
ndëmend nji poezi
dy gjuhësh të pështjellohet,
por n’shpirtin plot mërzi
asgja nuk bardhëllohet
… dhe vjen mesnata
nji dor’ e but’ mbi shpat’lla,
gishtat përmes flokësh,
ti shtriqesh n’shpinë t’karrikes,
ajo sytë njomun lotësh


SHI, SHUM’ SHI…

… e vjen prap vjeshta
me gjeth’ përdhe’
stuhira,
vranësira,
ditë të brishta.
Shi,
shum’ shi.
Mbasdite të përhimta,
mbramje të trishta.
Kohë për vetmitarë
e poetë.
Vetmitarë, që struken mejhanash,
poetë që natën mbajnë sekretet e botës
…të vetat i shkruajnë paketave të cigareve
dhe i lëshojnë n’mëngjes
trotuareve.
Bohemë të lindur,
artistë të krisur
thurin vargje të trishta, netëve rrugash.
Puthin, dejen m’aroma kurvash…
dhe recitojnë Yesenin-in.

DO T’RRIJMË NJË DITË T’ZYMTË TË DY

frikat e mbasmesnatës
lân’ hije mbas
vrraga mëngjesit të ftoftë
m’nji kand t’oborrit – lulebora
do të rrijmë një ditë të zymtë të dy
në një livadh sa qielli
t’i ndukim kohët e hershme malli
dhe lule shiu
t’u derdhim sytheve

ObserverKult