Buqetë poezish përkthyer në shqip nga Marjana Rustemi Zegali

marjana rustemi zegali poezish

Ju ftojmë të lexoni një buqetë të zgjedhur poezish nga Agostino Degas ( Agostino Degas Tommaso Notarstefano )
Sjell në shqip Marjana Rustemi Zegali
:

GRATË PA MOSHË

Ekzistojnë GRA që kanë mësuar
të mos i llogaritin më vitet e tyre
që jetojnë gjithmonë moshën
e krijimtarisë, të emocioneve, të dashurisë.
Që jetojnë në moshën për të qenë akoma kurioze,
për të mbjellë e rritur ëndrrat e tyre,
për të mos e ndalur fluturimin.
Ato nuk bartin më frikërat
pasiguritë e mëparshme,
e as nostalgjitë e së kaluarës,
Dhe kjo, nga që e përjetojnë dhe e duan të tashmen.
Ato zotërojnë atë moshë e cila u lejon të përballen me butësi
dhe përgjegjshmëri me jetën,
ta shprehin lirshëm atë që mendojnë,
të zgjedhin pak njerëz si miq.
Ato rrezatojnë përherë një pjekuri mahnitëse
nga çasti kur e braktisin zhurmën
dhe frymëmarrin ajrin qetësisht.
Sepse ato jetojnë në “të tyren” moshë
Në atë moshë që gjithmonë kanë dëshiruar,
në atë që kanë ditur me vite që t’i a dhurojnë vehtes.
Asgjë nuk është peshë,
mbi gratë që janë mësuar të lulëzojnë
në çdo stinë të jetës së tyre.

JANË TEPËR TË BUKURA

e në vështrim pasqyrojnë
kthjelltësinë dhe thellësinë e detit.
Gra që ecin me kokën lart
dhe nuk ndruhen kurrë të shprehin hapur
çka mendojnë.
Ato që nuk dinë se ç’është zilia
sepse ia njohin vlerat vetes.
Nuk janë kurrë të përcipta apo sipërfaqësore,
janë të thella, të kuptueshme e të përgjegjshme.
Parfumojnë brishtësi dhe mirësi
vetëpërmbajtje dhe dinjitet.
Janë të ndjeshme, delikate dhe të vendosura si pak të tjera.
Burojnë një atmosferë që nuk mund të blihet
as me para as me dredhira,
sepse nuk shfaqen, por “janë”.
Nuk vihen në garë me gra të tjera,
sepse s’e kanë të nevojshme
edhe kur ndeshen me zilinë
kthejnë krahët dhe vijojnë.
E pamundur t’i pushtosh me vërdallisje, apo me lojna e hojna fjalësh,
por me fakte, respekt dhe sinqeritet.
Kur dashurohen, edhe në miqësi, janë të vërteta.
Sepse janë të formuara kështu, nuk tjetërsohen!
Janë të tjera ato që u nevojiten sajesat,
e sipërfaqeshmja dhe veshjet firmato,
ndërsa këto Gra, firmato kanë shpirtin.

GRA SI MUZIKA

Ato janë Gra që nuk kalojnë pa u ndjerë,
që lëvizin si të ishin parfum,
që valëzojnë si melodia.
Gra, në të gjithë qenien muzikë.
Krijuese, medituese, të ndjeshme,
elegante e të lehta në të folur, në të ecur.
Gra që u pëlqen të mrekullohen e të të mrekullojnë gjatë gjithë kohës
tingujt e zërit të tyre e mbushin botën plotë.
Ecja e tyre ndjell, dikton ritmin
e një valleje mistike.
Vështrimi i tyre mbështjell si një simfoni.
Ato janë gra që frymëmarrin si era,
që dashurojnë furishëm me vërshimin e një lumi,
që përkëdhelin si tringuj kambanash të largëta.
Janë Femra që i japin ritmin e tyre kohës
që vallëzojnë me jetën, duke e rikrijuar atë çdo ditë.
Janë akorde delikate që shkrihen zemrës,
që rriten vrullshëm, që ndezin
dhe më pas shuhen në rrjedha vargjesh.
Me to, jeta është muzikë.
Është vështirë të dashurohesh nga këto gra,
rrallë lejojnë.
Të mbetet vetëm të magjepsesh
e t’u adhurosh melodinë në
ndjeshmërinë e thellë të shpirtit.

GRATË QË DUAN DETIN

e mbajnë brenda vetes,
është pjesë e thelbit të tyre.
Jetojnë mes rrymave dhe baticave të fuqishme,
alternuar me prekje të qeta
me fuqinë e pasionit.
Kur ndodhen nën rrebesh
shndërrohen në shtrëngata,
të paparashikueshme, vështirë për t’u përballur.
Befasojnë me dallgët e papritura emocionale,
por kur tërbimi i valëve ulet,
bëhen të ëmbëla, të heshtura, të përkujdesura.
Dinë të mahnisin me pasurinë
që mbart thellësia e tyre.
Pasi gratë që e dashurojnë detin
kanë karaktere të stuhishme dhe mikpritëse
ku do të donim të jetonim përgjithmonë …

EKZISTOJNË GRA, ESENCË PËR POEZI

nga shpirti paepur e i përulur,
rebel e i lëkundur,
natyra të tërhequra lulëzuar nga dashuria
me vrull ndjenjash
si stuhitë në fund të verës.
Vuajtjet e tyre janë metamorfoza të ngadalta,
flutura krahë lëshuar.
Shkëlqim diamanti
vragat e tyre të brendshme,
që dridhen dhe rezonojnë therrshëm
melodinë e paqes së humbur.
Janë Gra të vetëdijshme për të jetuar
mes çastit dhe përjetësisë,
si mbi një litar të tendosur midis hiçit dhe pafundësisë,
gjithmonë në ekuilibër
mes shpirtërores dhe mishërimit, iluzionit dhe ëndërrimit.
Janë Gra që jetojnë drobitjen,
mes indiferencës dhe dashurisë, dhimbjes dhe poezisë.
Janë në kërkim të vazhdueshëm
të asaj dashurie që na krijoi
dhe asaj me të cilën jemi vaditur,
hyjnores brenda nesh,
dashurisë që i jep kuptimin jetës sonë,
i dhuron muzën poezisë që është frymë,
trazim shpirti.

KA GRA

që jetojnë në pritjen e kahershme
që vazhdimisht ndihen jashtë vendit që u përket.
Me dëshirë për të qenë diku tjetër, larg
kohës dhe hapësirës ku ndodhen.
Ngaqë ndjejnë nevojën të bëjnë tjetër jetë:
atje ku të ndihen si hëna që i epohet detit,
dallga e papërmbajtur lëshuar shkëmbinjve
apo dredhza e brishtë buzë ujit në rërë,
përkulur e derdhur krahëve të erës.
Askund nuk gjejnë prehje,
as me veten përpara pasqyrës.
Kur ndonjëherë ndihen trazuar
u referohen periudhave magjike kur Gratë
jetonin mrekullisht në harmoni me natyrën
dhe nderoheshin si të ishin Hyjnesha.
Të ndjeshme ndaj nostalgjisë
për çka s’jetuan, për ëndërrat dashurore që s’provuan.
Jetojnë pa sens kohe
gjallojnë njëkohësisht
të shkuarën, të tashmen e të ardhmen.
Gratë që jetojnë në pritjen e kaherëshme
e kanë një ëndërr,
të jetojnë të sotmen,
çastin dhe atje ku ndodhen.
Ëndërrojnë magjinë e momentit.

EKZISTOJNË GRA QË ZOTËROJNË DRITËN


Gra që shkëlqimin e kanë të panevojshëm,
që nuk jetojnë me pamjen e tyre të jashtme.
Gra që kultivojnë së brendshmi ndriçimin,
në heshtje, si të ishte një orkide e çmuar.
Gra që bëjnë të dukshëm thellësinë e shpirtit,
Sepse e jetojnë motin e jetës së tyre,
me Dritë.
Gra që thithin errësirën për ta tretur
në thellësi rezesh drite,
në kërkim të zhvillimit, të armoniosë,
që e shndërrojnë edhe atë në Dritë.
Ekzistojnë këto Gra
Por janë të paktë ata që mund t’u tërheqin vështrimin.
T’u afrohen ndriçimit të tyre,
T’u rrëmbejnë shpirtin.

GRA QË DINË TË RILINDNIN

Ka GRA të forta,
të thjeshta dhe të përulura njëkohësisht.
Që ngjajnë si Engjëj të zbritur,
mbuluar nga brishtësi e tyre.
Që me vështrim kërkojnë gjithmonë qiellin
e me keqardhje mendojnë parajsën e humbur.
Por kanë mësuar prej zhgënjimeve
se dhimbjet e shpirtit
janë më të rëndësishmet nga cdo ndjesi,
si mënyra e vetme për të kuptuar dhe vazhduar.
Këto Gra dinë gjithmonë të ruajnë dinjitetin,
të jenë krenare
për t’i përballuar tallazet e jetës
me qeshje të veçantë në buzë
dhe dritë të fortë në sy.
Shpesh edhe janë lodhur duke qenë tepër të ndjeshme,
por kanë mundur të çohen,
të vazhdojnë të ëndërrojne fluturimin,
të shohin përtej horizontit.
Gra të tilla janë të ndërgjegjshme
se nuk ka fund pa një fillim të ri,
se ka vetëm transformim, evolucion,
zgjerim të shpirtit,
ndërgjegjësim, për hyjnoren që është mes nesh.
Janë FEMRA që kanë pranverë në shpirt,
që nuk e ndalin kurrë ringritjen, rilindjen.


GRA SI UJI

Ekzistojnë GRA të qeta, si uji
që mbajnë në brendësi të syve të tyre,
në gjithë qenien.
Të ngadalshme, të lëngshme, rrëshqitëse,
të lehta, bujare, të vendosura.
Si një përrua malor,
dinë të shndërrohen në lumë, liqen,
edhe det, oqean i pamasë.
Sfidojnë forcën e gravitetit
ngrihen lartësive,
bëhen re,
shi, rrebesh,
ndonjëherë stuhi.
Gra si uji.
Më të forta se shkëmbi
që ngadalë lëmohet dhe formësohet si ato.
Të përmbajtura, por të pandalshme,
arrijnë të marrin formën e çdo gjeje,
duke mbetur gjithmonë vetvetja.
Gra ujë, me forcë natyre,
krijuese të jetës. GRA.

ObserverKult

lexo edhe:

BUQETË POEZISH PËRKTHYER NË SHQIP NGA ELMAZ FIDA