Po e them pa asnjë kompleks. Unë kam qenë një nga spektatorët e Pallatit të Kongreseve kur Goran Bregoviç mbajti koncert në Tiranë. Ndonëse nuk i përkas asaj pjese të bashkëmoshatarëve të mi, që në vitet e fundit të komunizmit në Shqipëri çmendeshin për Bijelo Dugme, megjithëse i dija qëndrimet e këtij jugo nostalgjiku për bombardimet e Natos dhe faktin se kurrë nuk pati guxuar të dënojë krimet në Kosovë, kjo nuk më pengoi të shkoja drejt asaj salle.
Nga Andi Bushati
E bëra këtë pa asnjë ndjenjë faji: po ashtu siç nuk do paragjykoja një francez me origjinë hebreje që zgjedh të lexojë romanet e mrekullueshme të Celine, po ashtu sikurse nuk do e shihja shtrembër një amerikan, gjyshërit e të cilit kanë zbarkuar për të çliruar kontinentin e vjetër, të shijonte poezitë e Ezra Pound, po ashtu siç nuk do paragjykoja një shtëpi botuese shqiptare, që vendos të përkthejë librat e nobelistit Peter Handke.
Solla në kujtesë këto raste ekstreme, ndonëse Goran Bregoviç edhe nga stigmatizuesit e tij më të flaktë akuzohet për shumë më pak sesa kaq, për të thënë se unë nuk rreshtohem me atë grupim që do ta pengojë pjesmarrjen e një pijetari të thekur uiski, në një festë birre.
Por pavarësisht nga insistimi i ndonjë reperi trutharë, kontributi më i madh publik i të cilit është të mbjellë fidanë tel liqeni përkrah Lali Erit, për ta prishur atë koncert, mendoj se diskutimi i mbajtjes apo jo të tij e ka kaluar cakun e një preference kulturore apo patriotike.
Ai ka marrë dukshëm formën e një beteje politike.
Prej ditësh po shoh me kureshtje, sesi,me regji qëndrore, të gjithë mbrojtësit e krimve më të mëdha të Ramës, të gjithë ata që kanë hedhur firma për shembjen e teatrit, që i kanë vënë gjoksin vjedhjeve me koncesione dhe PPP, që kanë amnistuar skandalet mostruoze elektorale, që kanë mbyllur sytë për hashashin, për Habilajt, Avdylajt e kështu me radhë, janë bërë mbrojtës të flaktë pro performancës së Goran Bregoviçit në Korçë.
Pra i njëjti kor është hedhur me betejë si me telekomandë.
Do të ishte, në një lloj këndvështrimi, normale që mbështetësit publikë të Ramës ta bënin këtë. Duke i dalë në krah liderit të tyre të preferuar ata do të mbronin edhe vizionin e tij për botën, që ka marrë stampën e kozmopolitit, anti- nacionalistit dhe njeriut kulturalisht të hapur e pa tabu.
Por, fatkeqësisht, kjo nuk është e vërtetë. Sepse lëvizja pro mbajtjes së koncertit të Bregoviçit, që deri në këtë pikë mund të quhet legjitime, po degradon, ditë pas dite, një një fushatë kundër atyre që protestojnë kundër tij. E kjo nuk është as e hapur, as demokratike dhe bie në kundërshtim me qasjen “moderne” të pro ramistëve.
Dhe këtu duket se ka një paradoks që kërkon shpjegim: pse janë hedhur në sulm taborët e Ramës?
Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhen parë tezat e tyre që më shumë sesa pro Bregoviçit janë të fokusuara kundër atyre që kundërshtojnë vajtjen e tij në Korçë.
Pikërisht këtu gjendet kyçi i kësaj fushate. Ajo kërkon lënien pak krahëve të së shkuarës. Mosndikimin e të tashmes nga masakrat që serbët kanë shkaktuar mbi shqiptarët. Pavarësinë e mardhënies Tiranë Beograd, nga sentimentet dhe emocionet dhe interesat e Prishtinës. Stigmatizimin si arkaikë, nacionalistë, të prapambetur, të atyre kosovarëve që mëtojnë të vendosin një qasje më moraliste në qëndrimin që ne mbajmë ndaj fqinjëve tanë ballkanikë.
E pra, po ti kqyrësh veç e veç argumentat e atyre që kanë dalë hapur pro mbajtjes së konceritit të Bregoviçit në Korçë, ato janë identikisht të ngjashme dhe artikulohen nga të njëjtit emra, që justifikojnë historinë e dashurisë Rama- Vuçiç, që nga koha e projekteve për ndarjen e Kosovës e deri tani në periudhën e “Open Balkan”.
Pra kjo e shpjegon më së miri pse kori i mështetësve të Ramës u hodh njëkohësisht në një betejë që ngjan shumë larg së qeni vetëm patriotike.
Eshtë vështirë të besosh se vetë pjesëmarrja e Bregoviçit në festën e birrës në Korçë u planifikua me një qëllim politik. Kjo do të ngjante disi si paranojë.
Por, ama, një gjë është e sigurtë. Duke ditur edhe debatin që u ndez gjatë koncertit të parë të këngëtarit serbo boshnjak, në 2006, makineria e propogandës së Ramës ka planifikuar gjithçka. Mjaftuan disa teprime nacionalistësh të rremë apo reperësh idiotë, që ajo të vihej në punë.
Dhe sot kemi mbëritur në pikën kur debati rreth koncertit të Bregoviçit në Korçë po shërben si ndihmesa me sfond kulturor për marëdhënien okulte politike mes Ramës dhe Vuçiçit.
Pikërisht për këtë ai duhet bojkotuar.
Jo për faktin se meloditë e autorit të “Kallashnikov-it” frymëzuan për krime çetnikët serbë, por se fabula e tij po përdoret sot, që Tirana dhe Beogradi të projektojnë politika të së nesërmes, që ngrihen mbi fshirjen nga kujtesa të së shkuarës./lapsi.al