Can Yücel: Jeta zgjat aq sa ke dashuruar

Poezi nga Can Yücel

Ti peshon aq sa të tërheq toka.
Je i lehtë aq sa i rreh krahët,
i gjallë për aq sa të rreh zemra,
i ri aq sa të shohin sytë larg,
je i mirë aq sa i do të tjerët
dhe i keq aq sa i urren ata.
S’ka rëndësi ç’ngjyrë kanë sytë e tu,
ata janë në ngjyrën që e shohin të gjithë.

Mos i merr për fitore gjërat që jetove.
Je pranë fundit për aq sa ke përjetuar.

Sado që të rrosh,
jeta zgjat aq sa ke dashuruar.
Je i lumtur aq sa mund të qeshësh.
Mos u ngrys, dije mirë se do qeshësh aq sa ke qarë.
Kurrë mos mendo se gjithçka mbaroi,
do të të duan aq sa i ke dashur.
Rëndësia që të dha natyra është në lindjen e diellit.
Je njeri aq sa i çmon ata që ke përballë.

Nëse një ditë do të gënjesh,
lëre tjetrin të të bindet për aq sa të beson.
Malli për të dashurën banon në dritën e hënës.
Je pranë të dashurës sate, aq sa përmallohesh për të….
Mos harro: je i lagur aq sa ka rënë shi
e i nxehtë për aq sa dielli denjon të të ngrohë.
Je aq vetëm sa ndjehesh i vetmuar,
i fortë aq sa ndjehesh i pathyeshëm,
je i hijshëm për aq sa ndjehesh i atillë.

Ja, kjo është jeta!
Ja ç’do të thotë të jetosh!
Ti do të rrosh përsa nuk e shqet këtë nga mendja.
Nëse e harron këtë, do të kesh ftohtë në secilën frymëmarrje
dhe do të të harrojnë aq shpejt sa ç’i harron ti të tjerët,
sepse lulja është e bukur përderisa e ujisim,
Zogjtë janë të këndshëm përsa kohë këndojnë
Fëmijët janë foshnja përsa kohë qajnë.
Ti i di gjërat aq sa i ke mësuar, dije edhe këtë:
do të të duan, aq sa i do dhe vetë.

*titulli i origjinalit “Të gjitha janë në ty”

Përktheu nga turqishtja: Vjollcë Berisha

ObserverKult


riza braholli të puthja

Lexo edhe:

RIZA BRAHOLLI: VETËM ME TY MUND TË ISHA DASHURUAR…

Poezi nga Riza Braholli

Vetëm me ty mund të isha dashuruar…
me ty e askënd tjetër!

Gjithë ç’kam njohur
ishin të mençura e të bukura, por ti…,
ehe ti, je shumë më shumë, o shpirt;

je malli i një kënge dëgjuar qysh herët
diku në shpatin e pjerrët të një mali
nga një shpirt që endej pyllit të ahishtës
e këndonte vetëm për vete,
si t’i drejtohej qiellit përmjet zemrës.

Je vërshëllima e shkujdesur e buzëmbrëmjeve
në buzët e një djali të dehur; ai
sapo ka marrë prej së dashurës puthjen e parë.

Je… je fill i ujit që shket nëpër myshkun e blertë
e bëhet lot gëzimi që ngarend,
plas qelqet e pritjes në vazon e agimit
duke e mbushur botën me një grishje të re.

Po jo vetëm kaq, je frymë, që gjoksi im
e pret me gaz, si një këngë të re,
si diç përtej njohjes, kufijve të materies, diçka
që së pari mbjell hijen e vet prej malli
e të mbush me mungesë e dëshirim të kadifenjtë.

Je… Po si ta them,
se prehja nuk ka konture, s’ka ngjyra
veç s’di si qetohet e ndalet të vështrojë thellë
me sytë e ngulur mbi sipërfaqen e një çasti të lumtur .

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult