Nga: Çapajev Gjokutaj
Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë një gjë për herë të parë? Kjo pyetje mund të të duket si lojë fjalësh. Në fakt është treguesi kryesor i jetëgjatësisë.
Mos u çudit. Jeta nuk matet me kohështrirje, dmth me ditë, muaj apo vite të jetuara. Matet me sasinë e gjërave që përjeton.
Dita e të rriturit ikën shpejt e si pa u kuptuar. Dita e të moshuarit nuk ikën, fluturon. Kurse ditët e fëminisë tënde ishin pafundësisht të gjata.
Jo si kohë, 24 orë ishin dhe ato, por mbusheshin me përjetime gjërash të reja, të paprovuara. Këto mund të ishin lindja e motrës, vdekja e gjyshit, por shumicën e herëve ishin gjëra të vogla si një zog që trokiste me sqep në dritare, një lule që kundërmonte mes barit, një zhuzhak gjithë ngjyra e gjithnjë i pakapshëm.
Parë kështu mos prit të përjetosh vetëm gjëra të mëdha. Përjeto e shijo gjëra të mëdha e të vogla. Edhe gatimin e një gjelle të re, edhe një teknikë të paprovuar meditimi, edhe lindjen e nipit a të mbesës.
Përjetoje çdo mëngjes sikur të ishte i fundit, thotë poeti. Por mbase del më i fituar po ta përjetosh sikur të ishte i pari.
Po qe se jeta është sasia e përjetimeve, jetëgjatësia nuk është në dorë të fatit, të gjenit apo të Zotit. Eshtë në dorën tënde.
(Nga cikli ‘Kioska e këshillave’)
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇAPAJEV GJOKUTAJ: DASHURONTE DASHURIA…
ObserverKult