Çapajev Gjokutaj: “Se s’dashuronim as un’ as ti, po dashuronte dashuria…”

Çepajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Rashë në dashuri. Ka diçka që nuk shkon në këtë thënie. Folja ‘bie/rashë’ shpreh veprime aksidentale, që ndodhin pa vullnetin tonë. Vështirë ta quash aksident një ndjenjë si dashuria, që qëndron në themel të jetës.

Por kusuret mes gjuhës dhe dashurisë nuk mbarojnë këtu. ‘E do marrëzisht’, ‘i ka rënë në kokë’, ‘e zuri qymyri’. Këto dhe të tjera shprehje metaforike e paraqesin dashurinë si vuajtje, si lëngatë, madje edhe si roitje, si humbje të mendjes.
Problemi bëhet më serioz, kur kujtojmë dashurinë si zemër që pikon gjak, e shpuar nga shigjeta e Erosit antik; apo Shekspirin që thoshte ‘dashuria është thjesht marrëzi’; apo Niçen: ‘dashuria ka një përmasë çmendurie’; apo dhjetra këngë, tregime e filma me tituj ‘Dashuri e çmendur’, ‘Marrëzia e dashurisë’ etj.
Duket qartë se nuk kemi të bëjmë me arbitraritet gjuhësor, por me një dukuri universale që ushqehet nga shumë rrënjë.

I ka rrënjët tek historia, thotë një grup dijetarësh. Patriarkati, dmth pushteti i babait, rrezikohej nga dashuria si lidhje e lirë. Për ta demonizuar hidhnin në sulm taborret e mentaliteteve fisnore, klasore, etnike, etj.
I ka rrënjët tek kultura, thotë një grup tjetër. Gjuha, letërsia, arti ngjizin në mendjen e rinisë modelin e dashurisë si aksident, si dhimbje a marrëzi. Kur vjen koha ta përjetojnë vetë, të rinjtë e të rejat s’dinë model tjetër. Më shumë se të dashurin/të dashurën njerëzit dashurojnë dashurinë, shkruante filozofi, kurse Lasgushi këndonte: se s’dashuronim as un’ as ti/ po dashuronte dashuria…

Është thjesht kimi, thotë një grup i tretë. Analiza laboratori tregojnë se personat e porsarënë në dashuri e kanë nivelin e serotoninës të përafërt me atë të personave që vuajnë nga çrregullime obsesivo-kompulsive. Rrjedhimisht, fiksohen, u duket se s’bëjnë dot pa tjetrin, ndjejnë varësi prej tij/saj si prej drogës, gjithçka u ngjan iracionale, dehëse, sfilitëse.

Dashuria është dhe po bëhet partneritet, thotë një grup i katërt. Përditë e më shumë po zhvishet nga ngarkesat mistike e romantike, për t’u bërë marrëdhënie reale, e bukur dhe e dobishme.

Mbase secili nga grupet thotë një pjesë të së vërtetës. Por vulën e vë një grup tjetër, i përbërë nga miliarda njerëz. Këta vazhdojnë të bien në dashuri, të magjepsen e të vuajnë, pa e vrarë mendjen shumë. Madje edhe ditën e Shën Valentinit.
Gëzuar, për gjithë ata që e… besojnë.

(Nga cikli ‘Mademet e shpirtit”)


Lexo edhe:

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: E MOSHUARA E NGRIRË, KJO ËSHTË JETA SHQIPTARÇE