
Nga Çapajev Gjokutaj
Ti ankohesh se koha ikën pa e kuptuar, javët e muajt bëhen fir pa lënë thuajse asnjë shenjë dhe, kur e mendon, të ngjan se i ke jetuar po nuk i ke përjetuar, si të ishe robot e jo njeri.
Të besoj, në fakt të gjithë të moshuarit e kanë këtë problem, pavarësisht se ca e vuajnë më pak e ca më shumë, kurse ca të tjerë nuk e vënë re, d.m.th nuk mendojnë për të, paçka se edhe për këta mbresat dhe kujtimet nga përditshmëria sa vijnë e paken, si puna e atij kokoshit që u katandis një thelë.
E gjithë kjo është një realitet fiziologjik. Me kalimin e moshës, si të gjitha organet edhe truri plaket e nuk punon më si më parë, rrjedhimisht regjistron më pak ngjarje e mbresa, ditët e javët lenë më pak kujtime dhe ti të duket se kanë ikur sa hap e mbyll sytë.
Fiziologjinë e biologjinë mbase nuk e ndryshojmë dot, po kemi në dorë diçka tjetër. Kur nuk e ndryshon dot botën, duhet të ndryshosh ti, tha i dituri.
Në këtë rast nuk duhet ndonjë ndryshim që kërkon mund herkulian, mjafton të moderosh sjelljet dhe oraret. Përpiqu p.sh. që mëngjeseve të bësh një lloj plani me punët dhe veprimet që duhet të kryesh asaj dite, pavarësisht sa të vogla e sa pak të rëndësishme të të duken. Në këtë rast nuk ka dhe aq rëndësi çfarë do bësh, po a do i japësh ritëm ditës apo do e lesh të zvarget si një masë xhelatinoze.
Po kështu dhe akoma më e rëndësishme: syno të shënjosh fundjavën, mos bëj të njëjtat gjëra që bën edhe ditët e javës, mos vish të njëjtat rroba, mos shko në të njëjtat vende, ler të bësh diçka speciale si p.sh. dëgjo në mëngjes muzikë që të pëlqen po nuk e dëgjon ditët e javës, lërë takim me persona që i takon rrallë etj. Poqëse ke mundësi të largohesh, qoftë edhe për pak orë, nga mjedisi ku kalon javën, kjo do të ishte pjergulla në fik të bardhë, që thotë proverbi.
Njeriun në këtë moshë e lodh dhe e bën apatik rutina, ajo që përsëritet e stërpërsëritet çdo ditë dhe i jep kohës një ritëm të zvargur, kurse jetën e kthen në një lloj angarie.
Mos i nëvlerëso ca gjëra të vogla që i japin ritëm ditës dhe e zbehin rutinën. Pa bukë e pa kripë jeta do ishte pa shije, këndoi ai ustai i fjalës, që e gjente poezinë pas gjërave të thjeshta.
ObserverKult
Lexo edhe:
Çapajev Gjokutaj: Respekto tjetrin, kushdo qoftë ai, lëri mundësi të flasë, të diskutojë…






