…- Mua s’më pëlqen kur të tjerët flasin shumë për përulësinë e tyre, – ia prita, – ose për diçka tjetër që ka të bëjë me veten e tyre.
– Oh, po pse, a nuk e dija një gjë të tillë? – tha Uriahu dhe atë çast fytyra e tij, nën dritën e hënës, dukej e qullët dhe ngjyrë plumbi. – Sa pak që e njihni përulësinë e vërtetë të një njeriu që ndodhet në gjendjen time, master Koperfild!
Im atë dhe unë kemi mësuar me bursë në shkollë për djem; nëna u rrit në një shtëpi, si të thuash, bamirësie. Nga mëngjesi gjer në darkë na mësonim të ishim të përulur, vetëm këtë na mësonin dhe asgjë tjetër! Duhet të ishim të përulur përpara atij personi, të ishim të përulur edhe përpara këtij personi; të hiqnim kapelën këtu, të përuleshin në shenjë nderimi aty, dhe të dinim përherë vendin tonë dhe t’u rrinim me dorë në zemër atyre që qëndronin më lart se ne.
Dhe sa njerëz kishte që qëndronin më lart se ne! Im atë ishte aq i përulur, sa i dhanë “medaljen e kujdestarit”. Po atë medalje e mora edhe unë.
Ngaqë ishte njeri i përulur im atë u bë kandilonaft. Fisnikët e mbanin për njeri me sjellje shumë të mirë dhe për këtë arsye, vendosën ta gradonin. “Ji i përulur, Uriah, – më thoshte im atë, – dhe ke për të shkuar larg.
Mos harro se kështu na kanë mësuar në shkollë si mua, ashtu edhe ty. Kështu punët shkojnë më mirë. Ji i përulur, Uriah, – më thoshte im atë, – dhe do t’ia arrish qëllimit”. Dhe me të vërtetë që nuk më doli keq.
Atë natë, për herë të parë, e kuptova se ajo përulja e neveritshme sa për sy e faqe ishte diçka e trashëguar në familjen e Hipit. Kisha parë të korrat, por s’kisha menduar kurrë për farën…
(fragment nga “David Koperfild”- Përktheu Vedat Kokona, botim i vitit 1960)
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇARLS DIKENS: S’KEMI NEVOJË TË TURPËROHEMI PËR LOTËT TANË…
S’kemi nevojë të turpërohemi për lotët tanë… nga Çarls Dikens
“Qielli e di se ne nuk kurrë s’kemi nevojë të turpërohemi për lotët tanë, sepse ata janë shiu mbi pluhurin verbues të tokës, i cili i zë frymën zemrave tona.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult