Ç’bezdi recensionet!

Nga Alessandro Piperno

Një përkufizim të përshtatshëm për kritikun e ka bërë George Steiner: një lexues me laps në dorë. Lapsi është themelor, të ndihmon të zgjedhësh e të bën të guximshëm.

Ai që beson se leximi është një ushtrim pasiv nuk ka lexuar vërtet asnjëherë. Shkrimtari bën gjysmën e punës dhe ta beson ty pjesën tjetër të veprës.

Ai bën me shenjë, sugjeron, por po të imagjinon ty, po të jep shembull të mirë. Pa një kontribut tëndin një libër është inert. Kritiku është ai që bëhet i ngarkuar me një impenjim të tillë duke kapur një laps.

Nëse arti është ushtrim falas, është logjik pretendimi i atij që për shkak të zanatit është thirrur ta komentojë shumën e vogël bashkiake të trillit e të shkëlqimit.

Më vjen të them që ndërsa tregimtari apo poeti mund t’ia lejojnë vetes shmangiet e mërzitshme, hermetike, apo prej orakulli, një privilegj i tillë i është penguar kritikut.

Atij i takon detyra e pakëndshme të mbajë me muhabet, natyrisht, jo të gjykojë e as të informojë. Mjerë kush e merr seriozisht, duke tjetërsuar rolin e vet. Kritiku i mirë nuk harron të jetë një parazit.

Nëse arti shpreson objektivitetin, kritika është subjektive. Nëse arti ka shumë detyra, kritika përgjithësisht ka të drejta.

Nuk dimë çfarë t’u bëjmë gjykimeve të kalibruara e objektive, as normave që nuk hyjnë në punë; pretendojmë gjak dhe intriga; duam entuziastët dhe urrejtësit, vaktësitë që bëjnë të na hapet goja.

Normalisht recensionet janë kaq të mërzitshme sa mezi ç’pritet t’i mbarojnë edhe ata që e kanë lavdëruar librin tënd.

Më të thjeshtat zbulojnë intrigën, lavdërojnë pjesë të romanit në dëm të të tjerave, zbulojnë ndikimet letrare (a thua se i interesojnë kujt). Recensionet e mira janë ato që kanë kurajën të flasin për diçka tjetër.

Referuesi i shkëlqyer u jep rëndësi vogëlsirave dhe nuk pyet fare për ide kryesore; kapardiset shijesh, nuk i fsheh tekat.

Nganjëherë as nuk e merr mundimin ta përfundojë librin e analizuar (më të pacipët lexojnë vetëm skedën e botimit apo kthesën e mbështjellëses). Pastaj në akt i tillë pandershmërie hermenautike nuk është aq i urryer.

Një degustuesi nuk i kërkojmë të zbulojë gjithë shishen e verës. Oscar Wilde e quante “prova e lugës së kafes” (për të mos e ngatërruar me atë të gjellëbërësit).

Është e vërtetë, janë pak ata që ia dalin të flasin me hir e shkathtësi për libra që nuk i kanë lexuar, por pikërisht për këtë bëjnë lavdërime dhe japin kurajë.

Fantazia e kritikut

“Të lexosh një roman- shkruan Virxhinia Woolf- është një zanat i vështirë dhe i ndërlikuar. Duhet jo vetëm një kapacitet i mprehtë intuitiv, por një fantazi e ndezur për të kapur plotësisht gjithë çfarë romancieri, nëse është një artist i madh, di të japë.” Imagjinata është instrumenti i vërtetë i kritikut, jo inteligjenca, jo kultura, jo patriotizmi, aq më pak paanësia.

Nëse të lexuarit do të thotë t’i japësh shfrim të lirë fantazisë, të shkruarit e librave të shtyn të shpikësh çdo çast një diskurs të ri, mundësisht të freskët e befasues.

Trilli individual është për kritikun një nevojë fiziologjike. Për këtë një lexues i mrekullueshëm si Vladimir Nabokov thoshte për kuptimin e përgjithshëm: ai është “katror, ndërsa të gjitha vizionet dhe vlerat më thelbësore janë mrekullisht të rrumbullakëta, të rrumbullakëta si universi dhe si sytë e një fëmije, kur sheh një shfaqje në cirk”.

Çështje stili dhe vizioni

Pothuajse kurrë kritika nuk është art, por kur arrin të jetë nuk bie më poshtë nga çdo kryevepër tjetër. “Esetë” e Montenjit, “Salons” të Bodlerit, “Port-Royal” i Sent Bëv, “Të zhyturit e të shpëtuarit” e Levit sfidojnë kohën si një pikturë e altarit të Xhotos apo një sonatë e Bahut.

Sa më universale të jetë një vepër arti, aq më pak i duron zinxhirët e gjinive. Por në këto rrethana, të mos i trazojmë ca gjeni të largët e t’u kthehemi trishtueshëm mjerimeve tona.

Herë pas here më ndodh të marr prej botuesve bujarë e të specializuar ese mbi argumente që, për mendimin e tyre, mund të më interesojnë. Në rastet më të mira bëhet fjalë për monografi të pajisura me gjithçka të nevojshme: bibliografi të arsyetuara, stil standard, tema të zhvilluara me saktësi. Ajo që mungon është një arsye për t’i lexuar. E në fakt askush nuk i lexon më.

Dyshimi është se përkulja e marrë para disa dekadash nga disiplinat humane në mësimin e shencëzimit, karakterit të përgjithshëm, objektivizmit ka prodhuar këto produkte modeste dhe të pashërbyeshme.

E vërteta është se kur lexoj një ese, përveç lëndë së trajtuar, më intereson eseisti. Kur lexoj Walter Pater që shkruan për Mikelanxhelon apo Xhakomo Benedetin që shkruan për Sabën (dhe më ndodh ta lexoj herë pas here), më intereson aq sa tema, edhe autori që e trajton. Personaliteti, stili, këndvështrimi: ja tipari dallues i kritikut të madh.

Kritika nuk është një akt i njëanshëm. Ajo kremton takime, në raste të rralla e fatlume deri edhe martesa fatlume.

Motivi për të cilin vitet e fundit një eseist kompleks si W. G. Sebald ka gëzuar një konsideratë unanime, natyrisht ka të bëjë me personalitetin e tij: sedërmadh, i ankthshëm, jashtëzakonisht origjinal.

Kur një student i zoti më propozon një tezë mbi një autor të rëndësishëm, gjithmonë kam tentuar ta prapësoj. Por pastaj mendohem dhe them me vete.

Pse jo?

Fundja, më mirë një fjalëmadh që bën orvatje të kota se sa një tjetër mediokër i patëmetë.

Përktheu: Zija Vukaj

ObserverKult


Lexo edhe:

ZHAK PREVER: BARBARA…