(Për ne që gjithë kohës pyesim veç për çmimin, e jo për vlerën)
Nga Albana Tare
Gjithë jeta na shkon duke rendur drejt blerjeve! Blerjeve pa fund!
Blejmë mall, blejmë shërbim, blejmë kujdesje, blejmë shkollim!
Blejmë dhe vetëm blejmë!
Blejmë duke pyetur fillimisht për çmimin…! Është pyetja e parë që bëjmë! Nuk e harrojmë kurrë!
Pyesim për të, jo vetëm se është njerëzore, por edhe se e kemi edukatë, edukatë nga e shkuara jonë e përvuajtur si komb, pa shume bollëk e rehatira alternativash!
Pyesim se duhet të bëjmë mirë llogari, llogari për ato që kemi dhe ato qe duhet të na mbesin…!
Por, gabojmë, gabojmë rënde ama, kur pyetjen e parë e bëjmë pikërisht për çmimin!
Duhet pyetur për vlerën më së pari… Është ajo që e përcakton çmimin!
Ajo që tregon vërtet se sa vlen gjëja!
Ajo që duhet të na çoj drejt blerjes!
E sot, sot kur çdo gjë para nesh është veç komercializëm e veç fallcitet, nuk kuptoj përse të gjorët ne, edhe pse e dimë dhe e pranojmë çdo çast se nuk duhet, përsëri pyetjen e parë e bëjmë për çmimin?!
Na kandis, na josh i gjori çmim kur është i ulët, e na bën të nxitojmë në blerje!
Nxitojmë të blejmë lirë ushqim, të blejmë lirë veshje, të blejmë lirë shërbim!
I kënaqemi dhe nuk mendojmë pasoja!
E deri këtu bëjmë si bëjmë me injorancën tonë njerëzore!
Por kur rendim të blejmë lirë edhe shkollim e edukim, kjo pastaj nuk na falet!
Nuk na falet se është vetëshkatërrim!
Vetëshkatërrim që të gjitha blerjet e tjera do t’i kthejë në skarcitete…!
Po si nuk pyesim një herë për vlerë xhanëm?!
Si nuk kuptojmë se ushqimi i blerë lirë sjell sëmundje, se veshja e lirë sjell parehati?!
Pse rendim të kemi shumë e shumë pavlera, kur fare mirë me zgjedhje të vlerës edhe pse ndoshta pak, shijojmë më shumë?!
Si nuk mendojmë një herë sa vlen ky mall, ky shërbim, ky edukim apo shkollim?!
Ka ardhur koha të hedhim sytë nga vlera, nga vlerat e vërteta, e kurrë më nga çmimet joshëse që na ftojnë drejt hiçgjësë e na gremisin drejt greminave të pavlerës!
Çmime joshëse që na bëjnë “të kemi shumë”, por shume pavlerësi ama…!
Është e vërtetë shumë thënia e Nietzches se “çdo gjëje i dimë çmimin, por jo vlerën!”, por ne duhet të përpiqemi të rendim drejt njohjes së vlerave tanimë, se vetëm kështu do arrijmë diçka si komb, duke treguar edhe vlerat tona që vërtetë i kemi!
Duke mos e harruar as thënien tjetër pikante se “nuk jam i pasur që të blej lirë!” do thoja se rendja drejt lirësisë së çmimit na çon drejt uljes së vlerave të vlerës edhe të atyre vlerave që ne fatmirësisht i zotërojmë!
Do të na shijonte shumë nëse do të blinim vlerë dhe jo çmim!
ObserverKult
Lexo edhe:
PËR T’U EDUKUAR NUK MJAFTON ARSIMIMI
Është domosdoshmëri jetike që më parë na duhen qytetarë të edukuar, e pastaj njerëz të arsimuar. Një i mençur pa edukatë është nje mençuri e shkuar dëm.
Nga Albana Tare
E vërtetë shumë që: “Për t’u edukuar nuk mjafton arsimimi”. I mençur Frojdi kur çirrej me kohë për këtë. Është domosdoshmëri jetike që më parë na duhen qytetarë të edukuar, e pastaj njerëz të arsimuar.
Ndiehet qartazi sot se niveli i arsimimit të popullsisë është rritur. Me ose pa objektivitet, njerëzit që sot zotërojnë më shumë se një diplomë universiteti, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult