Ç’do të ndodhte nëse papritur të gjithë, nuk pajtohemi me një padrejtësi, me një të vetme?

Mario Benedetti: Ç’DO TË NDODHTE?

Ç’do të ndodhte nëse një ditë zgjohemi dhe e kuptojmë se jemi shumica?

Ç’do të ndodhte nëse papritur të gjithë, të gjithë sa jemi të gjithë, jo ca, jo disa, por të gjithë, nuk pajtohemi me një padrejtësi, me një të vetme?

Ç’do të ndodhte nëse shumëfishohemi, mblidhemi, në vend që të vazhdojmë të ndarë, dhe zbresim armiqtë që zënë rrugën tonë?

Ç’do të ndodhte nëse organizohemi dhe në të njëjtën kohë përballemi pa armë, në heshtje, të shumtë, në miliona vështrime, me fytyrën e shtypësve, pa “rroftë”, pa duartrokitje, pa buzëqeshje, pa rrahje-shpine, pa himne partiake, pa himne?

Ç’do të ndodhte nëse unë kërkoj për ty që je aq larg, dhe ti për mua që jam kaq larg, e të dy bashkë për të tjerët që janë shumë larg dhe të tjerët për ne edhe pse jemi larg?

Ç’do të ndodhte nëse britma e një kontinenti do të qe britma e gjithë kontinenteve?

Ç’do të ndodhte nëse do vendosnim gjoksin në vend që të qaheshim?

Ç’do të ndodhte nëse i thyejmë kufijtë dhe avancojmë, e avancojmë, e avancojmë, e avancojmë?

Ç’do të ndodhte nëse i djegim gjithë flamujt për të pasur vetëm një, atë tonin, atë të të gjithëve, ose më mirë asnjë pasi nuk na nevojitet?

Ç’do të ndodhte nëse papritur reshtim së qeni patriotë për të qenë thjesht njerëz?

Nuk e di… pyes veten, ç’do të ndodhte?

(Në shqip: Erion Karabolli)

ObserverKult

———————

Lexo edhe:

REXHEP QOSJA: NJË A DY ATDHE I KANË SHQIPTARËT?

ndodhte rexhep qosja

Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!
Gabim i dyfishtë.

Fjala At- dhe vjen prej fjalës toka, dheu i babait, i gjyshit, i stërgjyshit. Dhe i të parëve të tjerë.

Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin.

E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!

Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni?

A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po.
Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme.

Nuk ka dyshim se edhe për pasardhësit e atyre që thonë sot se Kosova është i vetmi Atdhe i tyre, pashmangshëm do të vijë dita kur do të thonë se Shqipëria e bashkuar me Kosovën, se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, është Atdheu i tyre, siç ishte kurdoherë.

Mospajtimi me këtë ideal kombëtar domethënë mospajtim me kohezionin shpirtëror, shoqëror, moral e kombëtar të shqiptarëve që është kusht i zhvillimit e i përparimit të tyre.

Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!

ObserverKult

Lexo edhe:

REXHEP QOSJA I REAGON BLUSHIT PËR DEKLARATËN E TIJ SE “KOSOVA ËSHTË KOLONI KULTURORE E SHQIPËRISË”