Umberto Galimberti: Dashuria është varfëri, mungesë…

Nga: Umberto Galimberti

Ekzistojnë vështrime dashurie dhe vështrime dëshire.

Dashuria është varfëri, mungesë. Është pritja që trupi tjetër të përshkojë hapësirën dhe, duke mbushur zbrazëtinë, të takohet me tonin.

Kur ndodh takimi, nuk gëzon trupi, por është pranim i dhuratës, gjestet nuk mbërthejnë, por fshikin, vështrimet nuk zotërojnë, pranojnë atë dhuratë të falur që jep tjetri, në plotësinë e të qenit subjektiv.

Ndërsa dëshira, nuk njeh takime, nuk e mpak subjektivitetin e vet për të krijuar atë hapësirë të domosdoshme, të nevojshme për shfaqjen e subjektivitetit të tjetrit. Dëshira njeh vetëm ngopjen për shkak të zotërimit.

Në vështrimin e saj nuk ka gjurmë pritjeje, por vetëm epsh të çmendur për të gjetur te tjetri veç vetveten.

Prandaj, kur zhvesh një trup e bën për t’i zotëruar mishin, për t’i zhvatur, bashkë me teshat, çdo gjurmë subjektiviteti që vështrimi i dëshirës, ndryshe nga ai i dashurisë, nuk di ta përballojë.

Mbyllur në vetminë e vet, vështrimi i dëshirës ngopet me ato imazhe obsesive dhe të rënda që vetëm trupat, të zhveshur nga teshat dhe nga hijeshia e gjesteve, ofrojnë si plogëti të mishit.

Prej këtu lind revolta e turpit, “fillimi i atij zemërimi për diçka që nuk duhet të ndodhë”.

Turpi nuk mbron shpirtin nga vulgariteti i trupit, por jetën e trupit nga plogëtia e mishit, subjektivitetin e një trupi të gjallë nga objektiviteti i hidhur i mishit të zotëruar. 

*Titulli i origjinal: Dashuria dhe dëshira

Fragment i shkëputur nga Umberto Galimberti,  “Il gioco delle opinioni”

Në shqip: Aida Baro

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR NJË DASHURI MBARON, NE MBESIM PA IDENTITET!

Kur e humbim një dashuri…

Nga Umberto Galimberti

Në lojë nuk është aq shumë marrëdhënia sesa identiteti ynë; dashuria është një gjendje ku për kohën kur jemi të dashuruar, nuk e afirmojmë identitetin tonë. Por e marrim nga njohja e tjetrit; dhe kur largohet tjetri, ne mbetemi pa identitet.

Por është faji ynë që jemi shkëputur nga vetja, që kemi bërë identitetin tonë të varet nga dashuria e tjetrit.

Dhe pastaj, pas mbarimit të një lidhjeje dashurore, prioritare nuk është të përpiqemi të rikuperojmë marrëdhënien e tjetrit, por të ribëjmë atë veten tonë.

Pra atë që i kishim besuar tjetrit, dashurisë, vlerësimit të tij ose të saj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult