Në kuadër të Tetorit të Librit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në 110-vjetorin e personalitetit të jashtëzakonshëm të gjuhës dhe të kulturës shqipe, Vedat Kokona, kanë hapur ekspozitën e titulluar “Vedat Kokona në 110-vjetorin e lindjes”.
Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.
Drejtori i BKSH-së, Piro Misha, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, përkthyesit dhe shkrimtarët e pranishëm vlerësuan figurën e Vedat Kokonës, duke vënë theksin në rëndësinë e veprimtarive të tilla si forma më e mirë për të kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj gjurmën dhe trashëgiminë që këto personalitete kanë lënë në kulturën shqiptare.
Në këtë ekspozitë morën pjesë familjarë, miq, shkrimtarë, përkthyes, studiues, pedagogë, si dhe dashamirës të librit e të kulturës.
Ndërkaq kjo ekspozitë tenton të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë dhe të veprimtarisë së Vedat Kokonës, si shkrimtar, përkthyes dhe leksikograf; fillesa e saj nis që në moshën 16-vjeçare në revistat dhe gazetat e viteve ’20-’30, si: “Iliria”, “Ora”, “Vatra”, “Diana”, “Minerva”, “Përpjekja shqiptare” etj., me poezinë e tij të parë “Elfet”, botuar në gazetën “Ora”, në vitin 1929, apo novelën “Lutja e fundit”, botuar në gazetën “Vatra”, më 1933, e cila është edhe fituese e çmimit të parë letrar.
Për të vijuar pastaj me botimet e veprave të para “Nga Tirana në Stockholm: përshtypje udhëtimi” (1935); “Dritë dhe hije” (1939) dhe “Shtatë prilli” (1943).
Sprova e tij e parë në fushën e përkthimit sjell në gjuhën shqipe shkrimtarin francez Victor Hugo, botuar në gazetën “Illyria”, në vitin 1934, kontribut ky që do të vijonte të sillte në shqip emrat më të rëndësishëm të letërsisë botërore, si: Victor Hugo, Pierre Corneille, Volter, La Fonten, Honoré de Balzac, Charles Dickens, William Shakespeare, Jean-Baptiste Racine, Ivan Turgenev etj.
Një vend të veçantë në ekspozitë zë edhe kontributi i tij në fushën e leksikografisë përmes hartimit të fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-shqip, të cilët konsiderohen si “gurë themeltarë” të mësimit të gjuhës franceze.
Ndryshe, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun për disa ditë me radhë.
ObserverKult
Lexo edhe:
EKSPOZITË, DISKUTIM E PROMOVIM NË GALERINË “QAHILI”
Me datë 26 tetor duke filluar nga ora 17:00, në Galerinë “Qahili” në Prishtinë do të mbahet ekspozita “Udhëtojmë”, diskutimi për ribotimin e librit “Beni ecën vet” të shkrimtarit Kiço Blushi me ilustrime nga artisti Zamir Mati.
Zamir Mati, artist e piktor i merituar nga Shqipëria identifikohet si krijues unik në botën e arteve pamore.
Ndërsa punimet e tij të veçanta e njëkohësisht magjepsëse janë një dëshmi e rrugëtimit të tij jetësor, ndikimeve dhe përjetimeve, dhe krijimtarisë së pakufishme.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
FREDERIK RRESHPJA: NËNA IME, TI DHEMBJE E PASHUAR
Poezi nga Frederik Rreshpja
Nëna ime ti dhembje e pashuar,
Ka kaq vjet që rri në dhe të zi,
Edhe yt bir siç duket së shpejti
Do e lërë këtë botë, nënë, e di.
S’më vjen keq që iki kështu
Se asnjëherë i lumtur nuk kam qenë
Veç në pyjet ku xhindet vallëzojnë
Rreth drurëve të galvanizuar me hënë.
Shkoj te lumi ku qajnë ciganët
Për rërat e largëta me dritë
Po përse dreqin jam gatuar kështu
Të grindem me të tëra qeveritë?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult