Frederik Rreshpja: Nëna ime, ti dhembje e pashuar

Me një jetë të vështirë prej poeti, natyrshëm i trishtuar, si dhe përndjekjes politike, Frederik Rreshpja mbeti i pavlerësuar për kohën
Frederik Rreshpja, portret nga Aleksandër Vreko

Poezi nga Frederik Rreshpja

Nëna ime ti dhembje e pashuar,
Ka kaq vjet që rri në dhe të zi,
Edhe yt bir siç duket së shpejti
Do e lërë këtë botë, nënë, e di.

S’më vjen keq që iki kështu
Se asnjëherë i lumtur nuk kam qenë
Veç në pyjet ku xhindet vallëzojnë
Rreth drurëve të galvanizuar me hënë.

Shkoj te lumi ku qajnë ciganët
Për rërat e largëta me dritë
Po përse dreqin jam gatuar kështu
Të grindem me të tëra qeveritë?

Nënë, nuk kam qenë në faltore kaq vjet
Por do t’i lutem Shën Mërisë për ty.
Eh, mundet që edhe mua ndokush
Do ma gdhendë një kryq mbi krye.

*Titulli i origjinalit: “Nënës”

ObserverKult


Lexo edhe:

FREDERIK RRESHPJA: KAM SHUMË DHIMBJE NË TRUP, S’KAM FUQI TË EC, NUK SHOH FARE…


FREDERIK RRESHPJA: TANI E TUTJE SHIRAT DO TË JENË LOTËT E MI…

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
I mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur
Peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet.
Në vend të borës binin zogj në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shëmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave,
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrani i djalërisë,
I mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
Dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
Të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Por, kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe ,
Se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinën kur bien gjethet
Do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!

*Titulli i origjinalit: “Testament”

ObserverKult


LEXO EDHE: FREDERIK RRESHPJA: TANI QË NËNA NUK ËSHTË MË…