reklamë

Çelet Panairi i Librit Akademik, përurohet dhe shtypshkronja “Akademia”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë çeli sot në Tiranë, Panairin e 5-të Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor.

Panairi do të zhvillohet nga data 22–24 prill 2026, në ambientet e jashtme dhe të brendshme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ky panair mbledh rreth 40 institucione nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe përgjatë tri ditëve do të organizohen mbi 100 promovime të botimeve të reja në fushën akademike dhe shkencore.

ASHSH thekson se, Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor nuk është vetëm një pasqyrë e librit shkencor, as thjesht festë e një botimi të veçantë me treg të vështirë, po një moment reflektimi e promovimi i faktit se në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, shkenca dhe shkencëtarët janë pjesë integrale e zhvillimit.

E pranishme në këtë panair ishte edhe kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Justina Shiroka Pula si dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku.

Ky panair zhvillohet si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, duke synuar promovimin e arritjeve më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.

Tashmë është bërë traditë që zhvillimi i panairit të përkojë me një ditë të rëndësishme për autorët e botuesit, Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, e cila është nesër (23 prill).

Akademi Vasil Tole tha në fjalën e tij përshëndetëse se, si rrallë organizim tjetër, ky panair i jep vëmendjen e merituar figurës së kërkuesit dhe produktit shkencor, botimeve, projekteve e të tjerë.

“Librat dhe botimet që prezantohen këtu, jo vetëm nëpër stenda, por edhe me seanca maratonë promovimesh në sallat e akademisë, nuk janë thjesht rezultate pune; ato janë kontribute konkrete në ndërtimin e një shoqërie të hapur për të përballuar sfidat në rrugën integruese në Bashkimin Evropian”, u shpreh akad. Tole.

Falë mbështetjes financiare të TIKA-s (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) u bë e mundur që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të ketë sot shtypshkronjën e saj digjitale dhe entin e saj botues me emrin “Akademia”.

Shtypshkronja “Akademia” u përurua sot në ditën e parë të panairit. ASHSH tha se, kjo nuk është hera e parë që TIKA bashkëpunon me Akademinë në të mirë të kërkuesve dhe produktit shkencor në Shqipëri.

“Akademia”u inaugurua nga kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi dhe zëvendëspresidenti i TIKA-s, Yahya Coşkun.

Akad. Vasil Tole tha se, beson që këto tri ditë panairi do të shndërrohen në festë të librit shkencor dhe akademik dhe kujtoi se vitin që vjen veprimtaria do të zhvillohet në Prishtinë./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

“Kur të jesh mërzitur shumë” e Agollit është më shumë se një poezi: është një testament shpirtëror…