Çelet Panairi i Librit në Frankfurt, edhe sivjet Kosova është pjesëmarrëse

Ka hapur dyert Panairi më i madh i Librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, edicioni i 75-të me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”.

Në këtë panair, janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair. Ndërsa tradicionalisht, e pranishme në këtë panair është edhe Kosova, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kështu ka njoftuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Nën moton “Koshere e fjalëve”, e ftuar e nderit e këtij viti Sllovenia, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese.

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt.

Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt fokusohet në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Hamasit në Izrael, duke artikuluar problemin e dhunës dhe agresioneve aktuale.

Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj.

Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Skanderbeg Books”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Të shtunën, në aktivitetin gjithëditor, shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit. Promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj, prezentë në Panairin e Librit në Frankfurt edhe fizikisht, me ç’rast takohen me lexuesit dhe të interesuarit, koordinuar nga Seveme Fetiqi e Bekim Gashi.

Ndryshe, të dielen, stenda e Kosovës do të shërbejë si pikëtakim për Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt dhe takimet mes autorëve e lexuesve.

ObserverKult


Fotografi e realizuar nga Berat Dakaj

Lexo edhe:

NISI PANAIRI I LIBRIT TË VJETËR, TË RRALLË DHE TË PËRDORUR… KA LIBRA QË JANË BOTUAR MBI 100 VJET MË PARË

Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, për herë të katërt, synon të kthejë vëmendjen te librat të cilat në qarkullim janë tash e disa vjet, mirëpo që vlerën e kanë përherë të freskët.

Përderisa sot nisi edicioni i 4-të, organizatori Berat Dakaj në një lidhje të drejtpërdrejtë ka treguar detajet e sivjetme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


ervin hatibi

ERVIN HATIBI: DUA T’I HARROJ SOT FJALËT…

Poezi nga Ervin Hatibi

Dua t’i harroj sot fjalët
le te flasin vetë vështrimet,
le të flasë dora që dridhet,
këtu mbi kitarën time.

Se kur erret bie nata
një dritë ndizet brenda meje,
njerëzit fytyrat fiken,
asgjë tjetër s’ndjej veç teje.

Nëpër javë rrjedh trishtimi,
cigaren prapë kam filluar,
nuk je ndryshe nga të tjerat,
vetëm unë kam ndryshuar.

E tërheq imazhin tënd,
dhe veten nëpër gjumë,
jemi bashkë, por në agim,
i vetëm mbetem unë.

Të shoh më qartë kur ti je larg,
afrohu të të dua,
dhe nëse kjo është lojë
nuk me pëlqen të luaj.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult