Çelet te “Vila e Enverit” ekspozita “Fytyrat e Diktaturës”

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit së bashku me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, hapën këtë të hënë ekspozitën “Fytyrat e Diktaturës”.

Ky aktivitet u ndërmorrë në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” dhe paraqet figurat e funksionarëve të regjimit komunist që përdorën dhunën, represionin, dhe torturën ndaj atyre që konsideronin armiq.

Hyrja për këtë aktivitet do të jetë falas për të gjithë qytetarët, dhe do të zgjasë nga data 21 deri më 23 shkurt, ora 9:00-19:00, tek ish-vila e diktatorit Enver Hoxha.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” ISKK, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe IDMC, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, çelin ekspozitën “Fytyrat e Diktaturës”. Kjo ekspozitë vjen si një reflektim që duhet të kemi mbi drejtuesit e atyre institucioneve që mbajnë përgjegjësi direkte për instalimin dhe mirëfunksionimin e mekanizmave që mbajtën në këmbë regjimin komunist duke përdorur represionin, përndjekjen, dhunën dhe terrorin ndaj çdo personi që konsideronin “armik”, përfshi këtu edhe fëmijët.

Rënia e diktaturës në vendin tonë nuk u pasua me një hetim të krimeve të kryera, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të regjimit komunist.

Në murin e kësaj ekspozite janë vendosur fotografitë e atyre personave, të cilët mbajnë përgjegjësi direkte për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të individit dhe represionin e ushtruar nga regjimi komunist. Kategoritë që përfshihen në të janë: Anëtarët e Byrosë Politike, si organi më i lartë ekzekutiv i PPSH-së, Drejtorët e armës së Sigurimit të Shtetit, kryesisht të asaj që më pas njihet si Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, gjyqtarë, prokurorë, hetues, kryetarë degëve të punëve të brendshme, oficerë sigurimi, komandantë e komisarë burgjesh e kampesh.

Misioni i ISKK dhe IDMC përmbushen më së miri nëpërmjet kësaj ekspozite për ruajtjen e kujtesës historike dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi krimet dhe pasojat e sistemit diktatorial.

Ceremonia e hapjes zhvillohet më datë 21 shkurt 2022, në orën 17:00, në ish-vilën e diktatorit Hoxha, e cila sot përdoret si shtëpi pritjesh, por dikur ka qenë vendi ku merrnin jetë vendimet kriminale të regjimit komunist që transmetoheshin më tej në institucionet dhe organet e tjera të represionit dhe përndjekjes.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun e gjerë nga data 21 deri më 23 shkurt, ora 9:00-19:00. Hyrja është e lirë.

Ju mirëpresim gjatë prezantimit të kësaj ekspozite si edhe në ditët në vazhdim.


Lexo edhe:

‘SPAÇI I DËSHMUAR’, SKICOHEN VUAJTJET E TË BURGOSURVE (VIDEO)

ObserverKult