“Censura ishte e llahtarshme”. Rrëfimi i rrallë i Zhuliana Jorganxhi: S’na lejonin më shumë se dy këngë dashurie…

Me trupin e paktë, por me një buzëqeshje të pavenitur nga koha, ajo shpërndan kaq shumë mirësi, sa të bën të përlotesh.

Zhuliana Jorganxhi, poetja, autorja e qindra këngëve të festivaleve, dekadave të majit, anketave muzikore, rrëfehet kohë më parë në një intervistë për gazetën “Panorama”. Që nga vitet e fëmijërisë, ndikimi i familjes në formimin e saj, roli i së motrës, Rozmarisë, vitet e shkollës, puna si gazetare e më pas si tekstshkruese e redaktore në Radio Tirana, ku përballonte jo vetëm një volum pune të jashtëzakonshëm, por edhe dhunën e censurës. E paskëtaj ndërrimi i sistemeve me shpresën e madhe, që mbeti sërish një zhgënjim. Mes pengjeve dhe dashurive të mëdha, një jetë e jashtëzakonshme!

Znj. Jorganxhi, për asnjë moment nuk e hiqni familjen nga goja, duket se ajo ka pasur një rol vendimtar në jetën tuaj…

Së pari, familja na mëkoi edukatën dhe respektin për të tjerët, mirësjelljen. Nëna na ushqeu me dashurinë për letërsinë, ndërsa babai me muzikën. Kur ishim fare të vegjël, ai na vinte në gjumë me kitarën e tij, duke na kënduar jo vetëm këngë korçare, që ai i këndoi për 65 vjet me grupin “Lira”, që në 1920, kur ishte 18 vjeç, e pastaj me ariet e operave. I këndonte ato në koncertet e ndryshme që zhvilloheshin para e pas çlirimit nga Pallati i Kulturës. Bashkë me këngëtarin Tole Adhami ka kënduar për 10 vjet në Radio Korça.

E, megjithatë, ju anuat nga “ana” e nënës, zgjodhët poezinë. Kur nisët të shkruanit?

Ishte motra ime, e ndritura Rozmari, që më njohu me shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj. Kur vinte nga studimet në Moskë, sillte me vete opera dhe m’i shpjegonte. Ishin opera me librete të Pushkinit, Gëtes Lermontovit… Më pëlqente letërsia, lexoja shumë, sidomos atë ruse, që kishim në atë kohë dhe nisa të dallohem që me hartimet e shkollës fillore, ku më vinin 5 me yll. Por shpërthimi im në rrugën e poezisë ka qenë në moshën 17-18 vjeç. Asokohe vjen në Korçë shkrimtari i njohur Petraq Qafëzezi, me të cilin kishim lidhje familjare. Ai lexoi disa poezi lirike, dashurie, të miat. Nuk i drejtoheshin kujt, por ishte fantazia e moshës. I redaktoi dhe u botuan në gazetën “Drita”, kur unë kisha mbrëmjen e maturës. Nuk e harroj kurrë. Ka qenë 28 qershor 1964. Ishin dy poezi lirike, që babai, kur i pa, më tha: Çfarë ke shkruar kështu?

Ishte fanatik babai?

Jo, nuk ishte nga ata baballarët “fanatikë”. Ai na ka mbështetur gjithë jetën me atë shpirtin e madh prej artisti. Babai ishte njeri shumë i civilizuar. Imagjinoni, ai nisi Rozmarinë me studime në Moskë kur ishte 15 vjeç, në vitin 1952, në një kohë kur ishte e pakonceptueshme që një femër të ikte vetëm aq larg. E gjitha nga dashuria për artin. Ai vetë e ka nxjerrë motrën për dore në skenë kur ishte 5 vjeç, madje kanë kënduar edhe të dy në të njëjtin koncert. Dhe motra nuk i harroi deri në fund të jetës së saj.

Por profilin tuaj si letrare e krijuat në Tiranë…

Studimet e larta më dolën për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, edhe pse kisha shënuar edhe anglisht dhe HistoriGjeografi. Erdha në Tiranë dhe kam jetuar në konvikt. Kisha edhe motrën në Tiranë dhe shtëpia e saj u bë shtëpia ime e dytë. Por jetova në konvikt, ku krijova miqësi të ngushtë, që e mbajmë edhe sot, me një shoqe nga Shkodra, Madalena Ujka Baci. Në konvikt kam jetuar për 15 vjet, edhe 11 vjet pas studimeve, se asokohe nuk të jepnin shtëpi po të ishe beqare. (Gjej rastin të kujtoj edhe shoqen time të fëmijërisë, Zhaneta Themeli Elezi, me të cilën kam ndarë shumëçka). Në atë kohë u aktivizova në rrethin letrar, ku ishin emra si: Kiço Blushi, Faik Ballanca, Koçi Petriti, Nasi Lera, Xhevahir Spahiu, Spiro Dede e shumë të tjerë. Por vajza ishin pak. Isha unë, Kozeta Mamaqi, më vonë erdhën dhe të tjera, që u bënë dhe gazetare, si Emine Sadiku, që shkruante shumë bukur.

Ju keni punuar disa vjet si gazetare, ç’ju lidhi me gazetarinë?

Në vitin e tretë u hap dega për Gazetari pranë Fakultetit Juridik. Ishte kurs 2-jeçar, ku ishte Ahmet Shqarri, Arshin Xhezo etj. Unë në fillim u emërova te “Shqiptarja e re”, një revistë kushtuar gruas, ku kam punuar për 6-7 vjet. Atëkohë kam njohur gjithë Shqipërinë, përveç Tropojës dhe Përmetit, ku nuk kam qenë. Nuk kam lënë qytet e fshat pa shkuar, pasi mbuloja problemet e gruas, kudo që ishin. Kur shkoje në fshat duhet të shkruaje ndryshe nga ajo që shikoje. E kemi bërë edhe këtë gabim, sepse ishte koha e tillë, kërkonte entuziazmin e gruas, emancipimin.

Besoj se aty e njohët Shqipërinë e vërtetë, pasi ju vinit nga një familje e ngritur apo jo?

Ashtu është, por edhe ne kemi vuajtur, si gjithë shqiptarët. Më kujtohet buka e misrit e gatimet që sajonte nëna, në kushtet e mungesave të mëdha. Vitet ’50 ishin shumë të vështira.

Vazhduat të shkruanit poezi? Sa e vështirë ishte të botoje?

Vazhdoja dhe shkruaja në shtypin letrar të kohës. Në vitin 1969 kam botuar vëllimin tim të parë, për të cilin më ndihmoi shumë Xhevat Beqaraj, “Net provimesh”. Ishin poezi lirike. Ndërsa më vonë, në 1973 nxora vëllimin e dytë, “Rritje”, ku ishte edhe një poemë, që i kushtohet qytetit të lindjes, rrugicave të Korçës. Mbresat e fëmijërisë janë të pashlyeshme gjithë jetën. Nxora edhe një vëllim me tregime për fëmijë, që u prit shumë mirë dhe Bedri Dedja do të shkruante shumë mirë për të, edhe pse ishte një vëllim i vogël. Në vitin 1982, letërsia do të politizohej shumë keq dhe më lanë vetëm dy poezi lirike, që edhe ato lidheshin me punën. M’i hoqën të gjitha. Ndërkohë, unë, si çdo poet, kisha bllokun tim të lirikave, ku kisha rreth 300 poezi, që nuk i botoja dot.

Si nisët të shkruanit tekste këngësh?

Kam filluar në vitin 1967. Ka qenë miku im i shtrenjtë, Ruzhdi Pulaha, që më mori për dore dhe më nxiti në këtë rrugë. Më tha për këngën e një të riu, Ruzhi Keraj, e cila kërkonte një tekst. E dëgjova muzikën dhe shkrova “Net provimesh”, që e ka kënduar Liljana Kondakçi, që fitoi çmimin e parë. Në konvikt kishim altoparlant, që lidhej me Radio Tiranën dhe gëzimi i shoqeve ishte aq i madh, pasi dukej një gjë aq e pazakontë. Një vit më pas mora pjesë në Festivalin e Shtatë, me një këngë të Gaqo Avrazit dhe fituam çmimin e tretë. Kështu vazhdova me radion, me anketa, festivale. Në Festivalin XIII, më thërret Liri Çeli dhe më thotë që ishte një këngë e Enver Shëngjergjit, pa tekst. Ai kishte bërë këngë shumë të bukura dhe pasi e takova, teksti u shkrua në jo më shumë se gjysmë ore. Nuk prisnim ndonjë çmim, madje as e dija kush do ta këndonte. Kur natën finale, i ndrituri Gjon Simoni doli dhe dha çmimin e parë për “Vajzat e fshatit tim”, ngriva. Asokohe më kishte kërkuar radioja për tekstet e këngëve, por unë, të them të drejtën, nuk kisha ndonjë dëshirë të madhe, sepse më pëlqen gazetaria. Kam shkuar edhe te Vito Kapo, që i kërkova duke qarë të mos ikja. Ajo më tha që ata të radios më kërkonin dhe kur fitova edhe këtë çmim, Vitoja më tha: “Epo e vulose vetë lëvizjen tani”.

Kur filluat në Radio?

Fillova në shkurt 1975. Fillimi ishte i vështirë, pasi çdo fillimmuaji bëheshin 4 këngë ankete dhe jo të gjitha kishin tekst, kështu që nisa të bëja tekste, madje kam pasur edhe ca të bukura aty. Dhe mund të them që atë që më ka dhënë Radio Televizioni, s’ma ka dhënë kush. Më njohu me të gjithë artistët: kompozitorë, orkestrues, këngëtarë, me të madhen, miken time, Vaçe Zela, hyjneshën Nexhmije Pagarusha, kam punuar me kompozitorë kosovarë në vitet ’70-’80. Kënaqësia ishte shumë e madhe dhe nuk pata pengje. Aq më tepër që kisha mundësi të shkruaja edhe në gazetë, botoja edhe poezi, por erdhi një moment që nuk shkruaja dot poezi pa muzikë.

Pak më parë thatë se ju kishin censuruar poezitë, si funksiononte mekanizmi i censurës për tekstet e këngëve?

Censura ishte e llahtarshme. Në gazetari nuk e kisha provuar sepse ishin të tjerë mbi mua që merrnin vërejtjet, kurse këtu isha direkt. Censurën dhe autocensurën që pësoja unë, nuk e di nëse e provonte ndonjë redaktor tjetër. Çdo vit, në dhjetor, kur ishte festivali, tekstet çoheshin në tri organizata të Radio Televizionit: në Komitetin Qendror të Partisë, në kryeministri, në Komitetin e Partisë në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe në Rajonin 1. Bëheshin 6 zarfe me tekste. Ata bënin vërejtje dhe çdo vit paraqitesha para sektorit të shtypit. Një natë përpara rrija pa gjumë. Ishte një stres aq i madh, saqë më sëmuri. Me Koncertet e Majit ishte më ndryshe, ndërsa në Koncertin e Pranverës, në 1985, gjërat ishin më të thjeshta. Ishin dy ide shumë të mira të Marash Hajatit, Festivali i Interpretuesve dhe koncerti “Kur vjen pranvera”, ku filluan të dalin të gjitha këngët e ndaluara, që u ishin dënuar kompozitorët ose këngëtarët. Kam bërë një punë të jashtëzakonshme në fonotekë. Këngë si “Fqinja”, “Ofelia”, “Kabina nr.3”, “Fëmija e parë”, “Erë pranverore”. Për vite me radhë, unë kam bërë edhe skenarët dhe nuk jam paguar asnjëherë për ta.

Nuk ndiheshit e rrezikuar?

Rrezikoja, por dija ta justifikoja. Nuk na lejonin më shumë se dy këngë dashurie dhe unë një vit futa 4 apo 6. Sa hyra në sektorin e shtypit në Komitetin Qendror, më thanë: Festivali i dashurisë! Dhe unë u thashë: Më mirë t’ua japim ne këngët e dashurisë, rinisë, se sa të këndojë ato që ju i quani ‘këngë të zeza’. Kishte instruktorë pate që thoshin: Zhuliana, ne nuk marrim vesh nga muzika, po nga letërsia po. “Po, i thashë njërit, u zhduk analfabetizmi në Shqipëri e të gjithë marrin vesh nga poezia, u bënë të gjithë poetë!”.

Keni bërë këngë për diktatorin?

Ato do t’i bëje se s’bën, ndryshe nuk bëhej festivali. Unë kam hequr një lirikë dashurie me Hajg Zaharian dhe bëra një këngë për Enver Hoxhën, por pa ia përmendur emrin. Nuk e mbante kënga. Fitoi çmimin e tretë. Më kujtohet kënga “Festë ka sot Shqipëria” për tërmetin. Kam punuar me Agim Prodanin deri në 2 të natës.

Kishit një kompozitor të preferuar?

Me të gjithë kam punuar shumë mirë. Nuk kam pasur ngërçe, më frymëzonin. Kam punuar që nga Gaqo Avrazi, te Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Aleksandër Gashi, Kujtim Laron, Kastriot Gjinin… madje edhe me amatoë. Nuk e mbaj mend se sa shumë tekste kam krijuar. Në Dekadat e Majit, emri im dilte 15 herë, aq sa shkodranët e kishin nxjerrë një batutë: Çfarë kemi për darkë? Kos dhe një tekst nga Zhuliana Jorganxhi.

Po nga këngëtarët?

Një majë ka pasur: Vaçe Zela! Ajo të falte fjalë. Te kënga “Shokët”, “Shoqet tona ilegale”, ajo i gjente vetë fjalët që i shkonin me muzikën.

A e ndienin artistët se kohët po ndryshonin?

Natyrisht. E ndjeva menjëherë. Dhe kam futur për herë të parë fjalën “demokraci” në këngë. Në mars të 1990 kam bërë këngën “Bijtë e lirisë” me tim nip, Gjergj Lekën. Ishte kënga që hapte dhe mbyllte mitingjet e studentëve, në sheshin “Demokracia”, një këngë e kënduar nga Frederik Ndoci. Një varg i këngës thoshte: “Sytë e bukur i ka rinia, por ja dikush kërkon t’ia verbojë”. Më thirrën “lart”, u shqetësuan dhe më kërkuan ta vë “diku”, ta largoj nga Shqipëria. Në atë kohë kishin filluar trazirat e Kavajës dhe dikush do thoshte që Zhuliana me Gjergj Lekën ka bërë himnin e Kavajës. Një tjetër këngë për demokracinë kemi bërë me Ilir Dangëllinë, që e këndonte Ermira Babaliu me Andon Joron.

Ju rikthyet në skenë Sherif Merdanin…

Kënga “Se kënduat Let it be” ishte një nga momentet e paharrueshme. Ishte një ide e Osman Mulës, të bënim një këngë për Sherifin. E krijova tekstin. Këngën e përfundoi Luan Zhegu. Më erdhën në shtëpi me Sherifin dhe aty kemi bërë edhe provat. Sherifi dilte pas 20 vjetësh në skenë.. po ashtu, nxora në skenë Nevruz Yzeirin, që këndoi këngën “Qershiza e dhimbjes”, për qershinë e mbirë në oborrin e burgut të Burrelit.

Si e përjetuat ju Festivalin e 11-të?

Ishte një situatë shumë e dhimbshme. Më kujtohet, jetoja në konvikt dhe të gjitha vajzat ishim mbledhur në sallën e televizorit. Ishin shumë entuziaste për festivalin, kur vjen dikush na thotë që kishte dalë një fletërrufe nga Ministria e Brendshme. Nuk ma merrte mendja kurrë. U ndje ajo që në fjalimin e marsit 1973, të Enverit. Pastaj, në dhjetor të ’74, mbajti atë fjalimin që “merrte me të mirë” artistët, që i quante “ndihmës të Partisë”. Unë nuk kisha marrë pjesë në Festivalin e 11-të dhe kam marrë pjesë në të 13-in. Censura dhe stresi ishte shumë i madh. Im nip më quan “rrufepritësja”, sepse nuk përgjigjesha vetëm për vete, por dhe për të tjerët. Tekstet e mia unë i përfundoja ose pa filluar festivali, ose në fund fare. Arrinte një moment që më dukej sikur do të më hapej koka. Para se të fillonte festivali, pas skene i jepnim dorën njëri-tjetrit e thoshim: Na vaftë barë! Censura arrinte deri në presje. Jo “me”, po “në”.

Pra, më shumë se çmimi, ju uronit “t’ia hidhnit” edhe këtë herë?

Çfarë çmimi! Unë nuk kam luftuar për çmime. Unë gëzoja për të gjithë. Ishin kompozitorët që vinin tek unë, jo unë tek ata. Nuk kam kërkuar asnjëherë tituj, nuk kam tituj dhe marr një pension 155 mijë lekë të vjetër. Ne paguheshim 10 lekë vargu dhe për “Shoqet tona ilegale”, që kishte 16 vargje, kam marrë 160 lekë. Për çmim të parë kam marrë një orë të konsumit të gjerë; shokëve të mi, që të merrnin ndonjë lekë më shumë ia numëroja dy herë refrenin.

E përmbushi demokracia pritshmërinë tuaj?

Ëndërruam shumë, por u zhgënjyem. “Ne besuam si fëmijë”.. ai zhgënjim na ndoqi pas.. Pamë se si u ndërruan teserat e partive. Unë s’kam qenë kurrë anëtare partie.

Ju thatë se kishit një bllok me lirika që i mbanit në sirtar, kur i botuat?

Në 2008 i botova të dy vëllimet. Një e quajta “Dhimbje e ndaluar”, sepse brezi im e kishte të ndaluar të shprehej edhe në dhimbjen e tij. Ke ndonjë këngë për vdekjen e babait, të nënës… Jo. Kënga “Në duart e nënës” i kushtohet nënës, por më së shumti motrës sime, nënës së Gjergj Lekës. Një mikesha ime më tha: Të lumtë, sepse ne ‘e shtrenjta’ i thoshim vetëm partisë.

Tani po riktheheni për të njëjtin libër, por kësaj here me tekstet më të mira të këngëve..

Ato janë vetëm bërthama e bërthamës së teksteve të mia, pasi kanë qenë shumë. Falënderoj Ilirin për këtë dhuratë të jashtëzakonshme që më ka bërë dhe botuesin Henri Çili për dashamirësinë e treguar, për ta botuar këtë libër./Alma Mile, Panorama.com.al

LEXO EDHE: Zhuliana Jorganxhi: Aroma jote më deh…