Çështje të krijimit letrar në kontekstin e kujtesës dhe traumës në studimin e Blerina Rogova Gaxhës

memorie dhe traume blerina

Studimi i Blerina Rogova Gaxhës rrok çështje të krijimit letrar në kontekstin e kujtesës dhe traumës së luftës,[1] si letërsi komplekse dhe njëkohësisht si mjeti përmes të cilit shkrimtarët dokumentojnë historinë, por dhe si mënyrë e shprehjes së traumës së përjetuar nga individi dhe shoqëria. I gjithë studimi mbështetet në krijimtarinë e 48 autorëve në gjini të tilla krijuese si poezi, tregimi, romani. Krijimtaria e tyre prek harkun kohor nga 1999 e deri më 2023.

ermira ymeraj



Nga Dr. Ermira Ymeraj

E organizuar tematikisht në 11 kapituj përkatësisht: te letërsia si dëshmi,[2] autorja zbërthen poetikën e autorëve në raport me kujtesën dhe luftën si poetikë e hirit dhe transformimit të traumës në fiksion, mbartet si dëshmi poetike te poetët e mërguar, vizualizohet e memorizohet në ngjarje të përjetuara si viktimë e dhunës, kornizohet në kujtesë si krim ciklik që flet metaforikisht. Përdorimi i gjuhës dhe imazheve të forta letrare shpërthen nga një kujtesë e dhimbshme dhe traumatike. Përdorimi i simboleve, metaforave dhe detajeve të vështira ndihmon në transmetimin e ndjenjave dhe atmosferës së luftës. Studimi mbështetet mbi poezi të fragmentuara, që reflektojnë kujtesën traumatike. Studiuesja vë në pah teknika të ndryshme narrative që përfaqësojnë kaosin e traumës dhe dokumentojnë histori personale e kolektive të krijuesve që kanë përjetuar luftën. Kjo përfshin përshkrime të ngjarjeve, vendodhjeve, dhe situatave që kanë lënë ndikim të thellë në kujtesën e individit krijues. Studiuesja eksploron në këto krijime se si lufta ndryshon themelet dhe ndërgjegjet e individëve, duke shpallur ndjenja të ndryshme të humbjes dhe gjetjes së vetvetes përkundër disa shkrimtarëve që te rezistenca dhe shpresa si pjesë e kujtesës traumatike, gjejnë forcën për të mbijetuar dhe për të reflektuar mbi pasojat afatgjata të luftës, duke përfshirë siç thekson studiuesja “ndikimi i letërsisë që e paraqet luftën nuk është kurrë vetëm estetik, por edhe social, moral dhe psikologjik”[3]

Kujtesa e të zhdukurve të vdekur e të gjallëve të mbetur është një klithmë e tejskajshme poetike që flet e shenjohet poetikisht. Autorët si Xhevdet Bajraj, Arben Idrizi[4], Donika Dabishveci e Shqiptar Oseku shprehin traumën dhe dhimbjen e përjetuar gjatë luftës nëpërmjet gjuhës dhe imazheve të fuqishme letrare. Studimi i tyre nga studiuesja e ndihmon lexuesin të kuptojë thellësinë e vuajtjeve dhe pasojave të luftës[5].

Studiuesja Gaxha në kapitullin Trauma e të mbijetuarve hulumton letërsinë e narratorëve dhe poetëve që krijojnë letërsi mbi dëshmitë e të mbijetuarve të përdhunimit.[6] E lidh ngushtë dhe me hulumtimin psikologjik si e kaluar e nyjëtuar dhe e ardhme e ngatërruar ku vdekja si prelud, memorizohet te gruaja e dhunuar, krijimi poetik nuk vjen vetëm si njohje e fenomenit, po dhe si revoltë, për shkak të heshtjes ndaj krimit ku gjuha memorizuese gdhend. Autoria thekson: Diskutimi alternohet mes dy aspekteve të temës: pretendimit të veçantë për të vërtetën që parashtron letërsia si dëshmi dhe procesit që çon nga katastrofa në krijimtari, duke e kthyer viktimën në shkrimtar/dëshmitar me fuqinë e pezullimit të harresës dhe dokumentimit të së vërtetës[7].

Te Vlora Ademi[8], përjetimi i torturës seksuale si dramë shpirtërore dhe si mohim social, shkruhet fill e krye si përjetim në vetë të parë, si një rikonfirmim i humbjes dhe izolimit, apo pre e një mashtrimi kolektiv. Studiuesja konstaton se: Rrëfimi në veprën e Shefkije Islamajt i bën një lakore logjike pasojës së përdhunimit, pikërisht për shkak të mospranimit social dhe refuzimit. Paragjykimet e familjes, rrethit, stigma sociale, rezultojnë tejet komplekse. Heshtja, mohimi dhe vetëvrasja, kanë qenë kryesisht udhët më “të lehta”.[9]

Autorët si Fahredin Shehu, Lulëzim Tafa, Selajdin Salihi, Flora Brovina, Isuf Sherifi, Halil Matoshi në krijimet e tyre identifikojnë dhe ndihmojnë në formimin e identitetit të individëve dhe komuniteteve në kontekstin e traumës së përjetuar. Përmes personazheve dhe ngjarjeve letrare, të hulumtuar nga studiuesja ndjehen lidhjet emocionale dhe kuptohen ndryshimet thelbësore në identitetin njerëzor[10]. Krijimet letrare të analizuara shërbejnë si dokumente të vlefshme historike, ato ruajnë dhe transmetojnë memorien e luftës dhe traumës për brezat e ardhshëm si një burim i pasur për historianët për të kuptuar më mirë periudhën dhe ndikimin e saj.

Te fenomenologjia e vdekjes[11] autorja gjen e trajton një temë të thellë dhe të ndjeshme që reflekton mbi jetën, vdekjen, ndjenjat, pasojat e luftës dhe konflikteve. Ajo e ka eksploruar këtë temë te ato krijues që nëpërmjet vështrimit të ngjarjeve konkrete, emocioneve, përshkruajnë vuajtjet dhe humbjet e heronjëve lirik të tyre, të cilat janë të lidhur me vdekjen. Përdorimi i simboleve dhe metaforave është mjeti që shpreh fenomenin e vdekjes në një nivel më thelbësor. Këto elemente letrare përshkruajnë vdekjen si një kalim, një ndryshim, apo një rrugëtim të pashmangshëm, duke shtuar dimensionin e thellë simbolik.

Kujtesa e humbjes është e ruajtur dhe e transmetuar përmes fjalëve dhe rrëfimeve. Kujtimet e vdekjeve ndërtojnë identitetin dhe sjellin ndjenja të tilla si dhimbje, nostalgji, dhe respekt.

Autorë si Adil Olluri, Majlinda Bregasi shpalosin fenomenologjinë e vdekjes duke analizuar mjedisin dhe ngjarjet rreth vdekjes, duke bërë përshkrime të hollësishme të momenteve të fundit të personazheve ndikojnë në perceptimin e vdekjes dhe ndryshimin që ajo sjell në jetën e të mbijetuarve. Studiuesja thekson se: Lufta nuk është një histori e përfunduar, na kujton autorja, meqë e kaluara është aq e pranishme në të sotmen, jo më si përvojë e të ndodhshmes po si rrjedhojë, ndikimi i së cilës do të përcaktojë sërish fatin e njeriut të saj.[12]

Këmbët e tua shkelën në stacion gjysmë ore para se të nisej treni, ashtu siç kishte parashikuar gruaja jote. Me qindra njerëz prisnin para dyerve të humbura ngjyre të hekurndryshkurit. Edhe ata e prisnin me padurim hapjen e tyre, siç i prisje edhe ti. Ato të dukeshin si porta përmes të cilave kalohet në një botë më të epërme, ku nuk do të gjalloje me ankthin se i tërbuari me uniformën kaltëroshe mund të të godiste me kondakun e pushkës a me kërbaç vetëm për faktin se mund të mos u pëlqente ngjyra e xhaketës sate.[13]

Vendet reale të memories së Kujtesës të fëmijëve të vrarë vjen si kapitull më vete ku studiuesja analizon ato shkrimtarë të cilët në krijimtarinë e tyre përcjellin vendet e memories së traumës dhe fuqinë e rrëfimit të fëmijëve fantazmë. Lufta është gjenerator i një sërë traumash i tillë është dhe kapitulli mbi Traumën e refugjatëve që vjen si narrativë, kujtesë e dëshmi lirike e burgut të gruas. Taksa e luftës është kapitull që trajton kujtesën e nënës që pret fëmijët e luftës, ata të vrarët, të humburit e të mbijetuarit e shprehur në krijimtari. Studiuesja thekson se: Narrativa e fëmijëve të zhdukur është taksa e lartë që lufta la pas. Dëshmia e të papranishmes, mungesës dhe e të dëshirueshmes; dëshmia e absurdit, e dhunës dhe e mohimit të jetës. Tërësia e trajtave që ka ky rrëfim shplon bërthamën e ankthit, pritjes, kërkimit dhe shpresës.[14]

Poezia si dëshmi, fati personal dhe ai nacional trajtohen te kapitulli Anatomia e traumës. Përmes këtyre elementëve letrarë, letërsia kosovare shpreh fenomenologjinë e vdekjes në një mënyrë të veçantë, duke përqendruar vëmendjen në kontekstin historik dhe kulturor të ngjarjeve. Këto krijime shpesh ofrojnë një perspektivë të pasur dhe të ndjeshme mbi aftësinë e letërsisë për të shprehur thellësinë e eksperiencave njerëzore në kohërat e vështira.

Rikrijimi i së shkuarës është një gjurmim i studiueses mbi luftën në perspektiven e vogël të narrativës së një të vrari, përmes (auto) biografisë dhe rrëfimit personal. Në shumicën e rasteve, poetët përdorin poezinë për të shprehur dhimbjen dhe humbjen e njerëzve të dashur dhe të njohur gjatë luftës. Vdekja është një temë e rëndësishme, dhe ata përdorin poezinë për të evokuar imazhe të fuqishme dhe ndjenja të thella lidhur me vdekjen.

Në mes të dëshpërimit dhe humbjes, poetët Shqiptar Oseku, Ag Apolloni, Gazmend Bërlajolli, Imer Topanica, shprehin edhe rezistencë edhe shpresë. Gjuha dhe zëri i tyre poetik përmes metaforës krijon e shpreh një larmi ndjenjash dhe përvojash që lidhen me kujtesën e luftës dhe ndikimin që ajo ka pasuar në jetën e tyre dhe në shoqërinë ku kanë lindur.

Proza e zonës traumatike, është kapitull më vete që trajton koncepte si liria, tranzicioni i njeriut kosovar në udhëkryqet e reja të pasluftës dhe të eksplorojë pyetje të vështira rreth vrasjes, sakrificës, dhe drejtësisë, duke theksuar sfidat dhe konfliktet që vijnë me këto situata. Autorë si Uran Krasniqi, Shaip Beqiri, Shqipe Bytyqi, Sali Bashota, Sabit Gecaj, Muharrem Kurti, Eduard Frrokaj, trajtojnë tjetërsimin e qenies. Ndërdija e errët, palimpsesti i kujtimeve traumatike trajtohen ngushtësisht nga studiuesja në kapitullin Vetja e traumatizuar. Edhe pse trajtojnë tema të rënda të traumës, shumë krijime të luftës shprehin edhe rezistencën dhe shpresën. Autorët si Abdullah Konushevci, Fahredin Shehu,  Edi Shukriu, Kadrush Radogoshi, Engjell Berisha, Mehmet Kraja, Beqe Cufaj, Agron Gashi, Rrahman Paqarizi, Shpetim Selmani, Ervina Halili, Nora Prekazi, Ndue Ujkaj, Basri Çapriçi, e ndihmojnë lexuesin të shohë një dritë në fund të tunelit, duke theksuar forcën e shpirtit njerëzor për të përballuar dhe shëruar gradualisht veten nga trauma.

Autoret si Vlora Konushevci, Dije Demiri Frangu, Ardiana Shala Prishtina, Ilire Zajmi, Sibel Halimi, Naime Beqiraj, Shefkije Islamaj, eksplorojnë qenien gjatë konfliktit, duke kërkuar ndërgjegjësim dhe ndryshime në nivel shoqëror. Kjo periudhë e ndërlikuar dhe e dhimbshme, edhe pse ka lënë ndikim të thellë në shoqërinë dhe kulturën kosovare, ka bërë që këto autore ta përdorin letërsinë si një mjet për të shprehur, kujtuar, dhe reflektuar mbi këto ngjarje. Me të drejtë studiuesja shprehet: Letërsia si paraqitje e një jete të rrënuar dhe e një njeriu në margjina, bëhet e pashmangshme. Një rrëfim i rritur për një jetë infantile të vrarë e të lënë përgjysmë, krijon parabola interesante të së shkuarës me të tashmen dhe të traumës si rrjedhojë. Megjithëse subjektet janë tashmë të rritur, dhe drama e jetës po ashtu rritet, autorët nuk akuzojnë, nuk proklamojnë, por shpallin qenien njerëzore në kompleksitetin e saj, një qenie e revoltuar, shpesh e zhgënjyer dhe dëshpëruar.[15]

Studiuesja e përmbyll hulumtimin e saj me krijuesit e poezisë së revoltës dhe protestës, që trajtojnë konceptet e lirisë, tranzicionit dhe identitetit, si poezi e thirrjeve për revoltë kundër luftës, autoritetit dhe dominimit, dhe si thirrje e revoltë kundër tmerrit. Kjo për disa arsye si: revoltë kundër luftës, protestë kundër dominimit dhe dhunës, thirrje për identitet, reflektim i ankthit, tmerrit, frikës dhe ndjeshmërisë ndaj tmerrit dhe pasojave të tyre, mesazh aktiv. Studiuesja konfirmon se: Zëra të dallueshëm të poezisë shqipe, sidomos asaj të dy dekadave të fundit, e ndjejnë dhe e shprehin paradoksin dhe kanë zhvilluar vargun disident ndaj socialitetit dhe rendit shqiptar ku personalja ballafaqohet me realen sociale e politike. Në poezinë e re shqipe do të shfaqen kështu poetët të cilët e angazhojnë hapur letërsinë për një botë tjetër, një botë më njerëzore.[16]

Në këtë studim eksplorohet dhe mënyra sesi praktikat kulturore në letërsinë e pasluftës e mobilizojnë kujtesën për një politikë shprese; hulumtohet pra nga paradigma e traumës te pikëpamjet jetës së pasluftës dhe perspektivat në mijëvjeçarin e ri[17], duke mos shmangur qëllimin aktiv në përcjelljen e mesazheve të kritikës për ato heshtje e ndrydhje të ndërgjegjësimit shoqëror. Njëkohësisht vetë studiuesja me të drejtë cilëson se këto rrëfime letrare shpalosin mikroperspektivën e historisë së luftës nga këndvështrime dhe qasje të ndryshme, duke amplifikuar kështu zërat e viktimave, por edhe duke përforcuar zërin e njeriut në tranzicion dhe luftën e tij për mbijetesë dhe fuqizim.[18]

ObserverKult


[1] Gaxha, Blerinë., “Memorie dhe traumë: Kujtesa e luftës 1998-199 në letërsinë shqipe në Kosovë”, Prishtinë 2023, f. 11. Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letërsinë shqipe në Kosovë, shqyrton natyrën dhe funksionin e memories dhe traumës së luftës të viteve 1998-1999 në letërsi, raportin e këtyre koncepteve me aktin e shkrimit dhe aktin e dëshmisë letrare. Duke kaluar nga historia në letrat e bukura, nga autobiografia në artistiken, nga dëshmitë faktike në dëshminë fiksionale, studimi shqyrton se si letërsia e dokumenton traumën e luftës dhe nocionet komplekse të memories kolektive dhe individuale, për të dëshmuar kështu tronditjen radikale të një shoqërie në kryqëzimin e saj historik dhe luftën si fenomen që e eliminon dëshmitarin e vet.
[2] Po aty, f. 14. Studimi hulumton dhe interpreton reprezentimin dhe qarkullimin e memories kolektive dhe individuale dhe funksionin e traumës në letërsinë aktuale në Kosovë. Studimi synon të sjellë rezultate që dëshmojnë fuqinë e letërsisë si medium i kujtesës kulturore (Erll 2008; 2012) për ta mbajtur të gjallë kryqëzimin e madh të jetës gjatë viteve 1998-99, dhe rrjedhimisht, gjurmët e saj.
[3] Po aty, f. 26.
[4] Po aty, f. 49. Në veprën e Idrizit është dominues trajtimi kritik ndaj autoritetit, tranzicionit, luftëtarëve dhe patriotëve të rremë. Impulsi i tij poetik aktualizon dokumentaren e biografiken për ta ushqyer kureshtjen poetike, pa e dëmtuar në esencë fiksionin. Ajo ofron një iluzion vërtetësie, motivuar në realitetin e pasluftës dhe përfaqësuar dimensionet dramatike të mendjes dhe shpirtit të njeriut në një teatër ku secili zgjedh rolin e vet.
[5] Po aty, f. 32. “Është detyrë e poetit që t’ia huazojë zërin kohës në të cilën jeton. Ai është dëshmitar. Historinë që mësohet e shkruajnë fituesit, ndërsa historia e vërtetë shkruhet në letërsi” (Avdyli 2018).
[6] Po aty,. f. 108. Studiuesja thekson: Trauma e dhunës seksuale është një nga traumat personale më të thella, që rrjedh nga ndjesia e shkeljes dhe ndikon në çdo aspekt të jetës së viktimës, si në aspektin fizik, mental, seksual, social dhe spiritual. Nga vetë natyra, trauma seksuale i shndërron viktimat në qenie të vetmuara dhe të izoluara, komponent që rri i ngulitur në çdo shtresë të kësaj përvoje
[7] Po aty, f. 15.
[8] Po aty., f. 124.
[9] Po aty., f. 131. Një fatkeqësi e tillë reprezentohet në romanin Mos më thuaj se më ke parë ëndërr (2004).
[10] Po aty, f. 39. Nga imazhi hapës i fëmijës së shtrirë nën kufomën e nënës, është e qartë se ligjërimi i luftës në poezinë e Bajrajt është vepër e një vizionari të pakompromis. Brutal, i zymtë dhe i butë, me imazhe të errëta dhe befasuese, “për ta goditur ndërgjegjen, për ta strehuar në kujtesë ose për ta ngulur drejt e në fyt” (Dançev 2015: 193).
[11] Po aty, f. 63. Shih: Vdekja rri në themelin e të gjitha kulturave, përderisa kultura formësohet nga gjendja njerëzore e vdekshmërisë.
[12] Po aty., f. 81.
[13] Po aty., f. 170.
[14] Po aty., f. 201.
[15] Po aty., f. 285.
[16] Po aty., f. 309.
[17] Po aty., f. 16.
[18] Po aty., f. 327.

ObserverKult

Lexo edhe:

E VËRTETA LETRARE MBIJETON SHEKUJT!