Preç Zogaj: Thellësia në thjeshtësi dhe anasjelltas

Nga Preç Zogaj

Emrin e shkrimtarit gjerman ma  kishte zënë syri  të shkruar  në afishet e Teatrit  Popullor, që lajmëronin  shfaqjet e  dramës   “Arturo Ui”. Kanë qenë vitet 1973-1974. Ishim një grup shokësh të vitit të parë e të dytë të  shkollës së mesme të Kulturës, dega Regjizurë, që  shkonim rregullisht në Teatër. Specifikat e një shfaqjeje  teatrore bëjnë  që emri i autorit  të  pjesës të  ngelet në hije, përkundrejt emrave të aktorëve  dhe regjjisorit.  Aktori i madh Kadri Roshi, që launte rolin e Arturo Ui-së, dukej sikur e merrte dhe e sillte në skenë  personazhin kryesor drejt e nga jeta e gjallë. Po ashtu gjithë kasti i aktorëve, njëri më i talentuar se tjetri, ku  spikaste  i paharruari  Prokop  Mima në rolin e Xhivolës. Kur shijonim shfaqjen e asaj  drame  të fuqishme,  që ishte një alegori e drejtpërdrejtë   e ngjitjes  banditeske të Hitlerit  në pushtet, asnjëri prej nesh nuk e dinte se autori i saj,  Bertold Breht,  kishte vdekur.

Do të kalonin disa vite dhe vetëm pasi mbarova  shkollën e mesme dhe  po prisja çfarë  më kishte rezervuar fati për shkollimin tim universitar, zbulova  Brehtin-poet në një vëllim  me titullin e thjeshtë “Poezi”, të cilin e mora në bibliotekën e Lezhës. Në atë përmbledhje të përkthyer nga Lasgush Poradeci,   Brehti vinte kryesisht  si  një poet  i angazhuar, gati-gati  revolucionar, sipas klisheve  letrare  që  mësoheshin në shkollë.  Gjeje aty  tituj dhe  vargje e të shkruara si trakte, si komunikata,  si thirrje.  Datonin periudhën e  Bojaxhiut – epiteti standard i  Brehtit për Adolf Hitlerin. Kuptohej se ishin shkruar  për nevoja utilitare të zgjimit  dhe bashkimit  të njerëzve kundër së  keqes  naziste. Gjeje ndërkaq  faqe pas faqeje poezi politike e sociale  të thella,  të mbështetura  në gjetje origjinale,  të shkruara  thjesht, të pasura në efektet emocionale që shkaktonin.  Dukej qartë se angazhimi  brehtian kishte  diçka të ndyshme nga  poezia e angazhuar që  shkruhej në vendin tonë. Nuk ishte i kërkuar;  autorit  nuk i kërkonte kush të ishte i angazhuar.  E kishte  vokacion të vetin prej njeriu  të lirë, prej poeti-tribun. Kuptohej  se nuk kishte ardhur nga shkolla e realizimit socialist  dhe nuk ishte idhtar  i saj.

Larmia tematike  brehtiane  e pasuroi  kuptimin tim për poezinë:  Mund të shkruhej për gjithçka, nëse kapje thelbe të dukurive  shoqërore dhe gjeje  forma stilistikore të thjeshta që mundësojnë një marrëdhënie ndëraktive me lexuesin e çdo shtrese. Kujtoj këtu, si një prej shembujve  ilustrues,  poezinë  me titull  “Bashkëshkollarët  me të varfër të mëhallave”, që më pati  prekur sa me pyetjet retorike  kuptimplote, aq edhe me aliazhin e  dhimbjes dhe hidhësisë  në fund të saj.

….Po përse u mësonin  gramatikën  greke,
Luftrat  e Çezarit, formulën e sulfurit, shifrën “Pi”?
Në Flandër, në varrezat e plebejve të paracaktuara për ta
S’kërkonin gjë tjetër veç  gëlqere.

Por poezitë që më mbajtën të lidhur përgjithmonë me atë vëllim të parë të Bertold Brehtit ishin dy. Njëra që i kushtohej poetit francez  Fransua Vijon dhe tjetra,  më e bukura,   ajo  me tutullin “Legjeda e rospisë Evelin Ru”. Sidomos te kjo e fundit,  autori e shtrinte idiomën e tij poetike në sferën e shpirtërores  dhe metafizikes. Me dhuntinë  e të mësuarit përmendësh,  i mbarta  shpejt nga letra në mendje,  të dyja  këto poezi.  Atë  kushtuar  Vijon-it, emrin e të cilit  nuk e kisha dëgjuar  deri atëherë,  ia kam recituar disa herë qiellit të Tiranës, një natë vere  të vitit 1977 nga bari i butë i  lulishtes para ish-kafenesë “Rinia”.

Frasua  Vijoni kish prindër të vobektë,
Ia tundën  djepin të ashprat stuhi,
Ne erë e borë i shkoi rini  e shkretë
I bukur ish veç qielli sipër tij.

Fransua Vijoni që s’njohu shtrat në botë
Kuptoi mirë e shpejt ç’e mirë ish erë e ftohtë.
Shpërblim i ëmbël  i qiellit s’e grishte,
Shpejt policia krenarinë  i theu:
Po dhe ky pra, një bir i zotit ishte
Megjithëse verë e shi: shtegtim të gjatë kreu
Fron’i torturës  në fund e shpërbleu.

“Legjenda  e rrospisë Evelin Ru” ishte një baladë  e keqardhjes së thellë,  përzier me  një cinizëm  të  frenuar  e të nënkuptuar të dijes  për rrengjet  dhe sarkazmat  që u rezervon  vrazhdësia  shpirtrave të  butë e të dlirë, të marrë në zotërim nga utopitë, nga  flateritë e ëmbla  eskatologjike, apo për ta thënë me një fjalë – që nuk duhej të tingëllonte si fjalë e keqe, nëse nuk do të shkaktonte tragjedi, – nga naiviteti. Tragjedia  në  fatin e së resë Elelin Ru, kalon  nëpër trajektoren  që starton nga  pafajësia  dhe thirrja e saj e brendshme për t’iu flijuar krijuesit. ( S’ish kurrë e qetë kur vinte pranvera/ Dhe deti ish ngjyrë blu,/ Dhe erdhi me lundrën e fundit në bord/ E reja Evlin Ru/ “Më merr kapiten në vendin  e  Shenjt’/ Te Jezu Krishti, im zot”/ “Moj femër  të vish se në jemi pa mend/ Dhe ti me hire plot”) – Lartohet e sheshohet në  kurthet,  mundimet dhe zhgënjimet  prej  të përdhunuare në anijen  e ëndrrës, që është bërë  anija  e mallkimit ( Vallëzonte  natën, vallëzonte ditën/ U bë si kufomë e zbehtë/“Kur vemë zoti kapiten/ Në qytetin e Krishtit të shenjtë”?/ E puthte kapiteni dhe qeshte,/ I shtrirë në gji të saj:/ “Në ka faj dikush që s’vemë kurrë/ Ti Evlin Ru ke faj”),  dhe  thyhet  me hedhjen e saj nga anija  në det  mes dallgëve  të errëta. (Dhe rendi shumë katart më katart/  I dhembin zemër e këmbë/ Dhe natën u hodh pa e parë njeri /Në det me shpirt ndër dhëmbë).

Por  nuk përfundon këtu. Legjenda e saj, një lloj eufemizmi paksa ironik, do të ketë për epilog  gjykimin e mbramë, ku do të lihet në askundin e dyerve të mbyllura  qoftë nga  Shën Pjetri, qoftë nga  Shejtani.

Kur erdh pranvera në qiell shën Pjetri
Ia mbylli derën, bubu!
“Më tha Perëndia: S’dua të kem
Rospinë  Evlinë  Ru!”
Dhe kur pataj në ferr ajo erdhi
Ia mbyllën derën , bubu!
Shejtani bërtiti: “ S’dua të kem
fetaren Evlin  Ru!”

Në fakt, në komleksitetin  e saj, kjo baladë mbetet një anatemë e fuqishme kundër fanatizmit  çnjerëzor, që  e mban qenien në  ndëshkimin  e përjetshëm dhe fatal të gabimit a  damkës.  Kur e pata lexuar në krye të herës, mu ngulit në mendje  si një baladë  mallëngjyese  thellësisht humane, pavarësisht  spërkatjeve me  pak hidhësi.  E di përmendësh të plotë, sot e kësaj dite.  Kam bindjen se do të jetë  balada  e fundit  që do të harrroj në ketë jetë.

Më vonë kam lexuar shumë  poezi  të  tjera të Brehtit, përkthyer nga  Robert Shvarc; poezi të zgjuara, të  guximshme, të thella,  të menduara dhe të shkruara nga lartësia sovrane e poetit, të mbajtshme mend lehtë.  Si për shembull, poezia  për  vendin e tij, shkruar në mërgim,  që mbyllet me vargjet;  “O Gjermani/ o nënë e zbehtë/ si të paskan katrandisur bijtë e tu/ që të qëndrosh në mes të vendeve/ si dordolec ose si tmerr”, vargje kuptimplote që fitonin një aktualizim  të frikshëm , mjaft të zevendësoje emrin Gjermani me emrin Shqipëri.  E njëjta gjë me episodin e  famshëm të dramës së tij  “Galileo Galilej”, ku  idhtari besnik deri në idolatri i  fizikanit gjenial, i përqeshur nga versnikët dhe i shkatërruar nga  tërheqja e Galileut  përballë kërcënimit me djegie në turrën e druve nga inkuizicioni, i drejtohet   Galileut me fjalët: “Mjerim për një popull që nuk ka një gjeni”, dhe Galieu i përgjigjet: “Jo, mjerim për një popull që ka nevojë për një gjeni”.

Borhesit i ishte bërë zakon  të  thoshte se e kishin  ndikuar të gjithë poetët që kishte  lexuar. E kujtoj këtë thënie, sa herë më kalon nëpër mend lista e autorëve që kanë lenë gjurmë në  fillimet e mia letrare. Brehti është një prej tyre. Ai më ka ndikuar me aftësinë për të kompozur  poezi mbi  tema jopoetike në dukje, sipas  recetave tematike të asaj kohe.  Nën ndikimin e  poezisë së tij  “Kënga e makinave”, kam shkruar poezinë  “Këngë për tekstilistet”, që vetëm këngë nuk është.  Nën ndikimin e  poezisë “ Kohë e keqe  për lirikën”, kam  shkruar  poezinë  “Stinë e thatë për poezinë”, e cila ka patur fatin të nderohet me fjalë të mira nga  poeti dhe  njohësi i shquar i  letërsisë, Gëzim Basha . “Fëmijët e   Kallmetit ngjisin duhan”, është  një  tjetër poezi e ndikimeve të mia brehtiane.

Kështu erdhi dhe mbeti ky poet në leximet e mia të rinisë, një krijues i thjeshtë  dhe i thellë, i përfshirë dhe  elitar, shpërbërës  i disa dogmave apo lidhjeve të shenjta dhe krijues i ca të tjerave;  shëmbëlltyrë  e ikanakut  të pakapshëm nga erinitë, nga ndjekësit dhe përdjekësit e tij, a thua se perëndia e tij mbrojtëse, intuita dhe gjenialiteti, e njoftonin në momentin e duhur të ndërronte  vend për të vazhduar punën  e shkrimtarit.  Në ketë përndjekje të pagjasë, vetëm koha me ndryshimet e saj do ta arrinte e do ta kalonte, duke ruajtur prej tij çfarë është artistike dhe universale./gazeta liberale

LEXO EDHE: Preç Zogaj: Kurrë s’do të dua të kthehem