Anton Çetta: Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo

Nga: Blerim Latifi

Në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, një pjesë të madhe të kohës së tij, Anton Çetta, e kishte kaluar nëpër fshatra të Drenicës. Ai ishte etnograf dhe kishte marrë përsipër projektin e mbledhjes së tregimeve popullore në gjithë Kosovën, para se tregimtarët e fundit të tyre të vdisnin.

Rezultatet e punës së tij etnografike në Drenicë u publikuan në tri vëllime me titullin “Prozë popullore nga Drenica”. Për tre muaj Anton Çetta kishte qëndruar edhe në Prekaz, përkatësisht në konakun e Hazir Lutit, i cili dallohej nga pleqtë e tjerë të fshatit me faktin se njihte qindra tregime popullore, përralla, legjenda e mite, por edhe tekste këngësh të vjetra. Ai ishte një thesar aq i pasur etnografik, saqë Anton Çettës iu desh një kohë e gjatë derisa ta eksploronte të tërin, për ta hedhur pastaj në letër.

Ishte një kohë kur në Kosovë nuk ekzistonin fare mjetet e qarkullimit, nuk kishte makina dhe autobusë, kështuqë Anton Çetta ishte i detyruar të banonte gjithë kohën në konakun e plakut Hazir. Aq mirë e trajtonin, saqë ai kishte nisur të ndihej si të ishte në shtëpinë e tij. Seancat e mbledhjes së materialit etnografik zhvilloheshin në mbrëmje, pasi burrat mbaronin punët e tyre në fusha e ara dhe ktheheshin në shtëpi. Konaku i vogël i plakut Hazir nuk i zinte të gjithë ata që vinin nga lagjet tjera të fshatit për të dëgjuar bisedat midis tij dhe Anton Çettës.

Sa herë e kam dëgjuar rrëfimin për këto mbrëmje, më është kujtuar “Dosja H” e Ismail Kadaresë, në të cilën flitet për dy etnologë amerikanë që vijnë në Veriun e Shqipërisë për të mbledhur eposin e lashtë të kreshnikëve, në të cilin ende ruheshin elementet e eposit homerik. Tregojnë se Antoni nuk u fliste vetëm për rëndësinë e folklorit dhe mbledhjes së tij. Në shumë raste u fliste edhe për problemet e kohës dhe për të ardhmen e Kosovës, siç ai e besonte se duhej të ishte. Në fund të atij qëndrimi të gjatë, derisa po përshëndetej me plakun Hazir dhe mikpritësit e tjerë, ai u kishte thënë : “Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo!”

Tridhjetë vite më vonë, kur në Kosovë filloi pajtimi i gjaqeve dhe njerëzit e panë se në krye të këtij pajtimi ishte mësuesi i dikurshëm shëndetdobët, tani dukshëm i plakur, atyre iu kujtuan fjalët e tij të përshëndetjes me ta: “Do të vij prapë, por për një punë tjetër, edhe ma të madhe se kjo!” Plaku Hazir nuk e kishte arritur ditën kur do të përmbushej premtimi i Anton Çettës. Ai kishte vdekur shumë kohë më parë. Sot kushdo që merr në dorë tre vëllimet “Prozë popullore nga Drenica” mund ta gjej emrin e tij në fund të dhjetëra e dhjetëra tregimeve, përrallave e legjendave të botuara aty.

*Marrë nga profili në “Facebook” i Blerim Latifit

ObserverKult


Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: E VETMUAR TI, I VETMUAR UNË…