Nga Mikaela Minga
Festivali i fundvitit ka më shumë se 10 ditë që ka mbyllur siparin e vet. Është shuar gjithashtu edhe “zhurmërima” mediatike që i vjen si iso nga pas.
Megjithatë, mendoj se jeta e vërtetë e këngëve nis pas tij. Ndaj, e mendova të arsyeshme të ndaj disa mendime që vijnë prej dëgjimit të këngëve si përvojë reflektive.
Kënga që do të veçoja në mënyrë të posaçme ishte “Përsëritja” e Luan Durmishit. Ky krijim hyn tek gjinitë e muzikës elektro pop, me elemente nga rave, techno music, industrial-pop.
Bazës elektronike, i ndërhynin harqet, me motive gërvishtëse, një kombinim tingullor mjaft i gjetur. Kësisoj, kënga arrinte të përshtatej mjaft bukur me formatin “klasik – akustik” festivalor, tek i cili tingulli i orkestrës simfonike zë një vend thelbësor.
Produksioni i këngës (kupto: kompozimin, tekstin, aranzhimin) mbante emrat e një grupi muzikantësh të mirënjohur të skenës kosovare që i ishin bashkuar Durmishit: Tomor e Visar Kuçi, Dren Suldashi. Kjo gjë më dha ndjesinë e një grupi të talentuar e kërkues, mbledhur bashkë për të sprovuar e për të dhënë më të mirën te kënga. Luan Durmishi, ndonëse me formim klasik, si tenor, ka disa vite që eksperimenton në këtë drejtim dhe këtë lidhje nuk e shpalos thjesht si krijimtari, por si një identitet e mënyrë të qeni përmes muzikës.
Teksti e kishte zanafillën tek fraza latine: Repetitio est master studiorium/Përsëritja është mëma e dijes, e cila deklamohej mbi beat-et e këngës. Teksa dëgjoja nuk munda të mos e lidhja me rezultatet e PISA 2022, problematikat e reformës arsimore që i ka besuar gjithnjë e më pak kësaj metodologjie pune. Pa e pasur si qëllim në vetvete (krijimi i këngës daton më parë), teksti na rikujton nevojën për t’ju referuar atyre mekanizmave që ndonëse mund të duken të vjetëruar, ngelen thelbësorë në nxënie e mësimdhënie dhe që, si të tillë, hapin shtegun për të mbajtur mend, por edhe për t’u thelluar dhe reflektuar.
Vjen një moment që përsëritja fillon e formësohet edhe si dije e shtresëzuar, brez pas brezi; dhe kështu mësojmë ta perceptojmë si traditë, zakon.
E në fund të fundit, a nuk është vetë muzika popullore moderne (kupto:popular music), një formë përsëritjeje, rimarrje modelesh, skemash, formulash të cilat, si na tregon Richard Middleton, artikulohen për të përcjellë kuptime të caktuara, në disa raste edhe krejt të kundërta apo të ndryshme me ato që materiali mund të kishte në një gjendje të mëparshme? A nuk është një ilustrim për këtë edhe vetë Festivali i Këngës, bashkë me këngët që historikisht janë ngjitur në skenë?
Pa u ngatërruar shumë me pyetje retorike, këtë proces e tregon qartë kënga që do të na përfaqësojë në Eurovizion: “Zemrën n’dorë” nga Besa Kokëdhima.
Ky produksion pop, i kujdesur në detaje rimerr skema harmonike dhe formula shumë të përdorura brenda kuadrit të muzikës pop. Një vesh i sprovuar i dallon qartësisht, kurse ai më pak i provuar, priret t’i pëlqejë menjëherë sepse i ka të dëgjuara edhe më parë.
Prej këtu vjen edhe ngjashmëria e madhe e refrenit me një fragment nga “Changing” e interpretuar nga Sigma (feat. Paloma Faith). Nuk kemi të bëjmë me plagjiaturë.
Më shumë kjo mund të përcaktohet si fenomeni “zimasamshevy”. Kjo fjalë slang është anagramë e togfjalëshit “miza pas veshit” dhe përdoret nga artistët hip-hop (Lyrical Son ka edhe një album me këtë titull). Krahas vokalit potencial e performativitetit të Kokëdhimës, elementet standartë harmonikë e vokalë kanë pasur rolin e tyre për t’iu ngulitur në vesh publikut dhe për t’i siguruar këngës suksesin.
Por, le t’i rikthehemi edhe njëherë krijimit të Durmishit. Megjithë përsiatjet e mia, “Përsëritja” nuk ishte lloji i këngës që mbante publikun të distancuar.
Përkundrazi, ajo rezultoi krejt “e kapshme” mes audiencave në sallë. Dhe, në fakt, rave, techno, elektro pop janë gjini “në modë” dhe mjaft popullore. Me pak fjalë, nuk mund të themi se krijimi ishte një “shpikje” e padëgjuar. Por, mënyra si ishte punuar, mbarte individualitet.
Ndoshta kjo ishte arsyeja pse kënga më dha ndjesinë sikur kisha rigjetur diçka që përgjithësisht i mungon Festivalit: prurje cilësore dhe mbi të gjitha identitet artistik e muzikor individual, me shprehje muzikore jo të marra shabllon, por të përbrendësuara, e të artikuluara nën shenjën e origjinalitetit.
Ajo sinjalizonte në mënyrë shumë kuptimplotë atë hapin cilësor të pretenduar vazhdimisht nga organizatorët vit pas viti, por jo gjithmonë të arritur. Mirëpo, kënga e Luan Durmishit nuk kaloi në finale. Fryma eksperimentale, provokuese, dhe deri diku, sfiduese ndaj konvencionalizmit të një festivali si ai i këngës, nuk përmbushi kriteret për t’u zgjedhur në finale.
Gjithsesi, dua të qëndroj te prurja cilësore dhe, te ai identitet artistik e muzikor individual, me formate muzikore jo të marra shabllon, por të përbrendësuara, e të artikuluara nën shenjën e origjinalitetit (repetitio est madre studiorum). Edhe Shpat Deda i qëndron kësaj linje. Deda e reflekton muzikën që bën në gjithë qenien e vet.
Nëse do t’i referoheshim traditës festivalore, të kujton emocionalitetin që përcillte Elton Deda, apo Redon Makashi dikur. Nuk nënkuptoj me këtë ndikim në stil apo krijimtari, por thjesht një linjë autoriale të spikatur për të cilën një Festival si ai i Këngës ka shumë nevojë. Shpat Deda solli një baladë emocionale, akustike, në frymën e atij stili që e identifikon dhe tek i cili qëndron plot origjinalitet. Kënga, në mendimin tim, është një nga më të realizuarat nga repertori që i kam dëgjuar deri tani.
Brenda kësaj linje autoriale mëton të hyjë edhe Sergio Hajdini, me këngën “Uragan”, e gjitha e përshkuar nga një lirizëm i cili vinte duke u fuqizuar në refren, por pa humbur finesën dhe hijeshinë, të cilat Hajdini i përcillte bukur nëpërmjet vokalit gati në falsetto; vokal që mund të përshkruhet metaforikisht si “i lehtë” dhe gati-gati “fluid”.
Po ashtu do veçoja Piter Pan Quartet me këngën “Edhe një herë”. Ky band muzikor, ashtu si edhe kënga e tyre ishin në suazën e indie rock. Teksti artikulonte temat e një rock-u të angazhuar anti-luftë, duke i kënduar shpresës, nevojës për të rinisur nga fillimi, edhe një herë.
Mund të ngjajnë mesazhe disi të normalizuara tanimë, por kur ngjizen natyrshëm tek krijuesi/interpretuesi, i ikin normimit. Nga kënga do veçoja si mjaft të gjetur, thyerjen ritmike mes strofës dhe refrenit që nxiste një energji të brendshme.
Me sa lexova, Piter Pan Quartet nuk ishte përzgjedhur në fazën paraprake. Hyri pas dorëheqjeve të Samantha Karavellos, Kejsi Tolës dhe Sardi Strugajt. Nuk i kam dëgjuar këngët e tyre, por mendoj se ky band duhet të ishte, ndër të tjera, edhe si një linjë që ripërtërin gjurmë të suksesshme grupesh brenda traditës festivalore.
Në përgjithësi muzika rock kishte marrë hapësirë të përveçme në konkurim. Kishte interpretime individuale dhe në grup; me emra të angazhuar prej vitesh në skenat e muzikës live (Olsi Ballta, Andi Tanko), dhe të rinj (Arsi Bako, Troy Band, Erina and the Elementals).
Kjo prurje paraqet interes në vetvete sidomos për praninë e zërave mjaft të mirë dhe individualiteteve që ata përcjellin. Por, ka rëndësi ta konsiderojmë edhe në raport me hapësirën që rock-u zë brenda Festivalit, si gjini që ka nevojë për krijime origjinale, të cilat shpresoj që të mund të bëjnë jetë aktive, krahas repertorit “cover” që këta artistë i interpretojnë gjerësisht në skenat “live”.
Këtij festivali i rrinin mirë, në mënyrën e tyre, edhe interpretimet e Martina Serreqit me “Vetëm ty”, këngë që u identifikua sidomos me emrin e kompozitorit të saj, Markelian Kapidani. Jemi tek një krijim që lidhet me “këngën e lehtë historike” festivalore, traditë që sidomos kompozitori i saj e njeh me rrënjë dhe e ripërtërin me inteligjencë. Po ashtu, Big Basta dhe Vesa Luma me “Mbinatyrale”, një hip-hop tërheqës, i kapshëm dhe motivues që me sa vura re, u pëlqye mjaft.
Elsa Lila rimori të njëjtat modele të “Evitës”. Potenciali tingullor i këngës festivalore me orkestrën dhe “seksionin ritmik” u dallua plotësisht. Por teksti, ndonëse me referenca autobiografike, nuk arriti të jepte emocionalisht atë që pati dhënë “Evita”, me temat e mëmësisë, femërores, që u ngjizën fort me interpretimin e saj vitin e shkuar. Mund të thuhet se këngëtarja kishte zgjedhur të përsëriste veten dhe jo të eksperimentonte diçka të re. Gjithsesi është për t’u vlerësuar fakti që Lila pranon të jetë pjesë e garës, sepse nxjerr sërish në pah nevojën e madhe që ka ky festival jo aq për këngëtarë të afirmuar sesa për kulturë të kënduari. Nuk munguan zërat e mirë të interpretuesve si Arsi Bako, Irma Lepuri, Anduel Kovaçi, Tiri Gjoci, Eldis Arrnjeti, etj., siç u vu re, sidomos në natën e parë, mungesa e kësaj kulture të kënduari me interpretues/e të cilët stononin plotësisht.
Problematikën e kësaj kulture të kënduari e vura re edhe te kënga e Mal Retkocerit, por nuk i kushtova vëmendje deri në momentin kur u shpall fituese e Festivalit.
Kishte tek ai elemente të një vokaliteti të përveçëm rock, me të kënduarin emotiv, zërin gërvishtës, gati në kufijtë e growling (teknikë vokale e aplikuar tek muzika rock, heavy metal etj). Por, këto nuk arrinin të artikuloheshin në një nivel të tillë bindës, me një performancë në zgrip të stonimit, që të lë me dyshimin nëse jemi ende në fazën e stërvitjes e palestrimit zanor, të maskuar me spektakolaritetin e performancës.
“Çmendur” përmbante një energji të fortë, që vinte si rrjedhojë e një reagimi ndaj një gjendje shtypjeje, një lloj shfrimi të mbledhur prej kohësh dhe çlirimi thuajse të pakontrolluar.
Kjo reflektohej edhe në performancë. Por, pyetja që shtrova është a ishte kjo këngë një shkëndijë spontane e një Zoomer-i tipik të brezit të vet që, më në fund, ka gjetur zgjidhjen e problemeve të tij duke u marrë me muzikë, apo diçka më shumë se kaq? Megjithëse publiku shqiptar ka kufizimet e veta dëgjimore, prapëseprapë ka dëgjuar, qoftë edhe sipërfaqësisht, se ç’do të thotë të sundosh skenën me interpretime dhe zëra në kufi të primordiales e të shformimit të vokalitetit “të kulluar” për të pohuar identitete ndryshe nga norma, për të protestuar, shfryrë, për t’u çliruar, deri edhe në orgazëm. (Janis Joplin më vjen në mend, sa për të cituar një emër, por pa dashur të bëj kurrfarë krahasimi të drejtpërdrejtë, sepse do të ishte krejt pa vend).
Nga ana tjetër, atë e kurorëzoi një festival që gjithsesi nuk arrin dot të jetë aq “i çmendur” për ta tejkaluar konvencionalizmin e vet. Sepse, ky është një kusht që nuk mund të tejkalohet me një këngë. Na ofroi një gjë të tillë Sanremoja para disa vitesh me Maneskin, por këta ishin “të marrë” dhe “të ndryshëm nga ata” (fuori di testa e diversi da loro) me vetëdijen e muzikës që bënin, mesazhit që përcillnin, dhe gjithashtu me radhën e menaxherëve që kishin pas krahëve dhe që pastaj i çuan aty ku i çuan.
Do të ishte një gjë mjaft frymëzuese sikur në entropinë që zotëron botën muzikore shqiptare prej vitesh tanimë, “Çmendur” të ofrohej si një vektor reflektimi i një force të tillë spontane; aq më tepër, përmes një ngjarjeje historikisht të normuar si Festivali. Por druaj se Mal Retkoceri nuk arrin dot ta bëjë këtë gjë, megjithë qëllimin e mirë për ta vlerësuar si këngën më të mirë. Dhe këtë druajtje ma konfirmojnë tërthorazi komentet e tij pas fitores, bashkë me reagimet kontradiktore të publikut ndaj tij si fitues. Nga ana tjetër, interpretim ikonik i Aurela Gaçes me “Fati ynë, shpresë e marrëzi”, aranzhuar mjeshtërisht nga Shpëtim Saraçi tregoi më së miri se kënga jo domosdoshmërisht ka nevojë për çmimin e parë për të qenë një nga më të mirat e gjithë traditës festivalore shqiptare. (E kujtoj mirë debatin e fortë që është bërë brenda jurive të atëhershme për të dhe “Larg urrejtjes” nga Elsa Lila. Fitoi kjo e fundit, por publiku vërtetoi të kundërtën).
Kësisoj, ndërsa do të na duhet të presim se çdo të sjellë në vijim Mal Retkoceri për ta përligjur më qartësisht në art identitetin e vet eksentrik e shpërthyes, do të doja ta vija theksin edhe njëherë te rëndësia që Festivali i këngës ka ofruar dhe ofron si kulturë dëgjimi nga viti në vit (gjë që e kam theksuar edhe më herët Festivali i 61-të i këngës në RTSH).
Për këtë, është thelbësor prania e publikut si dëgjues i angazhuar dhe jo thjesht si sehirxhi i festivalit të radhës që shkruan pastaj statusin apo story-n e radhës.
Një mënyrë e parë angazhimi do të ishte duke votuar, ndërkohë që vetë produksioni i Festivalit do të duhet ta bëjë publik rezultatin e këtij votimi. Por, përtej votimit, angazhimi vjen përmes dëgjimit të këngëve, jetësimit të tyre përtej festivalit, me vetëdijen që edhe ai si publik është pjesë përbërëse e kësaj këngëbërjeje.
ObserverKult
Lexo edhe:
PABLO NERUDA: KA ME KENË SIKUR TË MOS ISHIM KURRË…
Nji ditë kena më vdekë të dy,
njeni larg prej tjetrit,
e askush s’ka me u kujtu ma për ne.
Askush.
Askush s’ka me u kujtu
për kohën tonë së bashku,
kaq e shkurtë, kaq përjetësisht e shkurtë,
sa me u dukë nji jetë.
Nji ditë s’kena me kenë ma,
e kush ka me u kujtu për ne?
Për ditët tona të para
për ty, për se si ishe e brishtë dhe e bardhë,
për mu, që ma mirë mos ta flasim kët’ eee?
Askush.
Nji ditë, kjo asht e sigurtë
nuk kena me kenë ma,
e kush ka me u kujtu
për botën tonë të vogël bashkë?
Kaq të ngrohtë, por edhe të ftohtë,
kaq të lehtë, por edhe kaq të vështirë
sa me e heqë qafe?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ANILA VARFI: ME M’DASHT’ SI TI!
Të dua ma shumë se erën,
Ma fort se diellin e qiellin të dua…
Ma fort se veten…
E din a s’e din?
Veç dije, kur syrit tand i flas…
I them se ia du fort dritën.
Kur zanin tand e puth …
Rrëmbyeshëm i përçoj eter dashnie!
Kur zemrën tande shtrëngoj fort, sa fort!
E ndjej se ia marr
E i jap timen frymë!!
ObserverKult