Çfarë fshehin kompozimet e kokave të Arcimboldos?

Shaka të thjeshta apo shqetësime të piktorit? Fantazi apo makthe? Një triumf imagjinate apo thjesht kuriozitet i zjarrtë për vizualen? Pikturat ekstravagante të pikorit Arcimboldo nuk reshtin së intriguari bashkëkohësit. 

Kompozuesi i kokave të pabesueshme formuar nga zarzavate, minerale, kafshë ose sende të ndryshme, është ai një argëtim që të kredh në lojën e grumbujve të çuditshëm, dikush i mbërthyer nga frenezia për të pikturuar në një vend plot gjëra që ngjallin kërshëri, shastisur nga habia e Wunderkammernit (dhomat e mrekullive) të Vjenës dhe Pragës?

Në të gjallët e tij piktori mori jo pak lavdërime, homazhe apo komente që vinin në dukje ekstravagancën dhe veçantinë e punës së tij. “Ingegnosissimo pittorfantastico” (mendjemprehti piktori fantastik), “egjiptiani i ditur” u dha bashkëkohësve një sërë “tekash”, “shakash”, “piktura ekstravagante”: kaq shumë fjalë që evokojnë hijeshitë e fantazisë. Sigurisht, gjuha piktoreske e Arcimboldos vështirë se na flet tashmë.

Kjo shpjegohet me harresën e kriptimit dhe dekriptimit të vjetër. Skenat e kujtesës, loja e korespondencave midis të dukshmes dhe të padukshmes, mikrokozmosit dhe makrokozmosit, artit dhe natyrës janë pjesë e një kulture mbuluar nga harresa. Me gjithe hendekun midis shekujve dhe kulturave, duhet ta vlerësojmë me seriozitet këtë serio ludere të paradokseve arcimboldiane, tamam siç bënë pushtetarët dhe shkrimtarët e gjysmës së dytë të shekullit të 16-të.

Përfaqësimi i objekteve më të parëndësishme, mund të jetë rasti i një pyetjeje metafizike. Arcimboldo është piktori i një epoke të shqetësuar, nervoze, ku e reja gërryen harmoninë e të vjetrës dhe, nën thagmën humoristike të kompozimeve të tij, shkëlqen një melankoli e cila na godet. Kur u largua nga Milanoja, në 1562, për t’u bërë piktor dhe portretist i oborrit më të fuqishëm evropian, piktori krijues i festave, lojërave dhe kostumeve, Arcimboldo ishte përfaqësuesi i përsosur i manierizmit, rrymë e cila më pas përshkoi dhe trazoi Evropën.

Mishërues i përmbysjes së manierizmit, Arcimboldo i përket një epoke në perëndim, ku imagjinata e shfrenuar, jo pa shqetësim, i ledhaton shpatullat zvetënimit të ngadaltë të Rilindjes. Metoda arcimboldjane ishte vendosja e elementeve dhe emblemave në mënyrë që syri, prej së largu, të njohë në grumbullin e tyre një profil njerëzor. Forma e fshehur mund të shihet nga larg dhe teksa afohesh humbet. Zhanri i alegorisë përtërihet nga analogjitë vizuale. Kërpudha të kujton hundën, pjeshka faqen, flakët floknajë. Asgjë e pavetëdijshme ose automatike në këtë proces, çfarëdo që besonin surrealistët. Arcimboldo e përsosi në mënyrë të jashtëzakonshme këtë teknikë vizatimi vizual, njëherazi praktikoi të pikturuarin së prapthi, ku fytyra e fshehur shfaqet vetëm në një pasqyrë të vendosur përpara kanavacës. Më pas, virtuoziteti kombinohet me ironinë.

Roland Barthes shprehet: “Gjithçka ndodh sikur Arcimboldo prish sistemin e të pikturuarit, e kopjon atë në mënyrë të pahijshme, hipertrofizon virtualitetin domethënës, analogjik, duke prodhuar kësisoj një lloj monstre strukturore, burim i ndonjë sëmundjeje të brishtë, akoma më depërtues, edhe nëse lemeria do të vinte nga një ekzagjerim i thjeshtë ose nga një përzierje e thjeshtë elementesh: kjo pasi gjithçka nënkupton, në dy nivele, që piktura e Arcimboldos funksionon si një mohim disi i tmerrshëm i gjuhës piktoreske”, transmeton ‘konica.al’.

Çdo pjesë e fytyrës së njeriut arcimboldian është tashmë diçka para se të njihet si hundë, gojë, mjekër ose vetull: peshk, dardhë, kofshë lepuri, kastravec, llambë vaji, kalli gruri, qershi… Artisti luan, në të njëjtën sipërfaqe, me vizion të dyzuar: një vizion i ngushtë, që kërkon saktësinë e detajit, kuriozitetin për iluzionin mimetik dhe një vizion në distancë, që lejon të konsiderosh (fjalë për fjalë) figurën.

Prej kohësh imagjinata konceptohej si aftësi e njohurive të ndërmjetme midis ndjeshmërisë dhe intelektit, midis trupit dhe mendjes, midis të veçantës dhe universales. Festa e shpirtit, e cila të krijon përshtypjen sikur favorizon gënjeshtrën dhe të pazakontën, nuk duhet të reduktohet në soditjen narcisiste të krijimit të vetvetes. Përmes universit të Arcimboldos, kalojmë nga buzëqeshja fillestare në një soditje të mbarsur me serozitet dhe melankoli. “Vertumne”, një nga veprat e fundit e pikturuar për Rudolfin II, e shtyn artin e iluzionit deri në pikën e njohjes së tipareve të sovranit në grumbullin e frutave të gjithë vitit; Vertumne, perëndia e ndërrimit të stinëve, krahasuar sipas Comanini me Jupiterin që i jep fund kaosit të elementeve: a nuk ofron Vertumne gazmor shpresën e një figure njerëzore të aftë të orkestrojë harmoninë e universit, shumëllojshmërinë e pafundme, metamorfozën e përjetshme? Në njëfarë mënyre, po. Kjo pikturë do të ishte përpjekja ekstreme për të ruajtur dhe përmbajtur format lëvizëse në një njësi (një perandor!). Këto fantazi poetike ose sarkastike i ofrojnë shikuesit kënaqësinë e deshifrimit të simboleve dhe aludimeve, pas asaj të admirimit të aftësive të grumbullimeve.

LEXO EDHE: Xhoto, piktori që u shkëput nga Mesjeta dhe nisi modernitetin