Çfarë fshihet pas skandalit të Apolonisë?!

Gjatë muajve të karantinës, saktësisht 13 prill, është kryer një akt vandal duke dëmtuar kolonën e Nymfeut të Apollonisë, në sitin më të rëndësishëm arkeologjik të Adriatikut Jugor. Por, ky akt është denoncuar, bërë i njohur publikisht vetëm fundjavën që sapo kaluam, pra me 11 qershor nga Forumi për Mbrotjen e Trashëgimisë.
Disa thonë është shkatërruar nga dora e njeriut, ndërsa dje, del se dëmtimi ka ndodhur nga “shëtitja” e lopëve në Park arkeologjik. Ndërkohë që kolonat ende qëndrojnë përdhe, ky skandal është përpjekur të mbahej i fshehur nga sytë e publikut, duke ushqyer më shumë debate personale, partiake sesa shqetësimin real. Mjafton që në këtë rast të vërejmë se, deri tani nuk ka reaguar ministrja e kulturës Elva Margariti. Për skandalin e fshehur në dy muaj, vetëm një ditë me parë kanë reaguar edhe zyrtaret e Parkut Arkeologjik të Apolonisë të cilët janë munduar të mbulojnë përgjegjësitë e tyre.

Në deklaratën sqaruar për këtë ngjarje të hedhur në rrjetin social thuhet: “Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis është vënë këto ditë, në qendër të një vale sulmi, të pambështetur në fakte, në lidhje me dëmtimin e një prej monumenteve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë. Përgjegjës përpara opinionit publik dhe taksapaguesit shqiptar, sqarojmë: Dy kolona të fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë, fatkeqësisht, dëmtuar dy muaj më pare, gjatë periudhës së izolimit për shkak të Covid 19. Kolonat janë gjetur të thyera në datën 13 prill. Po atë ditë, pas mbajtjes së procesverbalit nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, është lajmëruar Ministria e Kulturës dhe është bërë denoncimi në Polici. Ekspertët e kësaj të fundit kanë ardhur në sit po atë ditë dhe kanë konstatuar dëmet në terren. Tashmë çështja po trajtohet nga organet kompetente. Ndërkaq, mbështetur në konsultimet me restauratorë dhe arkeologë të ekipeve, që kryejnë gërmime arkeologjike në Apoloni, është hartuar nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut, një projekt restaurimi, i cili është paraqitur për aprovim pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve. Pasi ka marrë aprovimin e këtij Këshilli, projekti ka kaluar për miratim dhe në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës. Është tërësisht i pavërtetë dhe i paqendrueshëm pretendimi se Instituti i Arkeologjisë nuk ka pasur dijeni për këtë ngjarje, duke qenë se Instituti Arkeologjik ka stafin e vet brenda Parkut të Apolonisë dhe përfaqësues të tij janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore”.

Zyrtarët e këtij Parku, pranojnë skandalin e prishjes së kolonës antike, por nuk mbajnë përgjegjësi as nuk sqarojnë si ka mundësi të dëmtohet një Park aq i mbrojtur dhe me staf që mbahen nga taksapaguesit për t’u mirëmbajtur, kujdesur e ruajtur.Pas denoncimit publik të Forumit, drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Apollonisë, e pranuan vandalizimin e ndodhur me 13 prill nga dora e njeriut e dy prej kolonave te fontanes monumentale te Apollonise, një monument unikal në bootë, por Forumi këmbëngul se në përgjigjen publike, për hir të “opinionin publik dhe taksapaguesit shqiptar”, ka ende shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje: “1. Përse nuk u përfshi monumenti i Nymfeut te Apollonisë, si monument unik i qytetërimit antik në projektin prej 800.000 euro të viteve 2016-2017, që parashikonte ndërhyrje në Manastirin e Apollonisë dhe në hapësirën e Parkut Arkeologjik? Kush i hartoi termat e referencës dhe a përgjigjen ata për lënien në mëshirën e fatit të monumenteve të tilla si Nymfeu, Teatri, Kolona e Shtyllasit apo nekropoli?

  1. Çfarë përgjegjësie ka kompania që ruan Muzeun dhe Parkun Arkeologjik për këtë vandalizim dhe çfarë masash janë marrë nga ana e drejtorisë dhe ministrisë së Kulturës ndaj saj?
  2. Nëse qenka denoncuar ky krim në polici, si janë ndjekur hetimet e drejtorisë së policisë Fier, drejtoria e anti-terrorit apo seksione të tjera që hetojnë këtë krim të rëndësishëm? Sa shoqërime janë bërë, sa takime me grupin hetimor janë kryer ? A ka ndonjë të dyshuar për autorët dhe motivet e tyre?
  3. Çfarë përgjegjësie ka drejtoria e parkut dhe Ministria e Kulturës për faktin që monumenti ishte i parrethuar, pa tabelen e monumentit të kulturës, pa tabelën shpjeguese te monumentit.
  4. Pas deklarates së drejtorisë së Parkut, që ua lë përgjegjësinë arkeologëve për njoftimin e Institutit të Arkeologjisë, (është e vërtetuar se nuk është njoftuar as drejtori i Institutit e as autori i gërmimit të monumentit, prof. Neritan Ceka), a mund të ngrihet pyetja përse nuk u bë publik në media ky dëmtim? Nuk ka të drejtë opinioni publik të njoftohet për dëmtimin e trashëgimisë së tij kulturore? Publikimi i rasteve të tilla është i nevojshëm për të informuar dhe edukuar publikun për të evituar përsëritjen e vandalizimeve të mëtejshme.” Duke mbetur shumë pyetje pa përgjigje, së paku deri tani, pa asnjë transparencë se çfarë ka ndodhur realisht, Forumi bën thirrje Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, që të zhvillojë një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të kërkojë përgjigje për këtë çështje që nuk mund të trajtohet kaq periferike.

Pas këtij denoncimi publik, dhe një sqarimi të cekët nga drejtuesit e Parkut, ka reaguar edhe arkeologu Neritan Ceka i cili është marrë me gërmimet në këtë sit unik: “Zonja ministre e Kultures, këtë monument të shkaterruar barbarisht 200 metra nga zyra e drejtoreshes se Parkut Apolloni – Bylis, e ka zbuluar miku i gjyshit tuaj, Hasan Ceka, te cilin e kam asistuar une deri ne zbulimin e plote, dhe e ka restauruar Koço Zheku i Institutit të Monumenteve. Eshtë i vetmi monument i këtij lloji në botën antike. Më thoni tani se me çfarë gjuhe duhet të flas me ronxho bonxhot që menaxhojnë këtë pasuri që arkeologët shqiptarë e krijuan me aq mund për 50 vjet. Mund të më thoni përse nuk u rrethua monumenti me ato 800.000 eurot që shpenzuat në Apolloni? Akoma do vazhdoni t’i mbroni këta shkatërrimtare? Me shumë keqardhje dhe revoltë”.

Pra, siç shihet në deklarimet e specialistëve vendin qëndror e zë shpërdorimi i parave të hedhura këtë vit në Apoloni duke lënë jashtë mbrotjes kolonat unike. Specialisti i monumenteve, Kreshnik Merxhani shprehet: “Vandalizmi është skandal ashtu sikundër dhe planifikimet e investimeve të mëparshme (ato 800.000 Euro) janë gjithashtu skandaloze, nëse vërtetohet fshehja e këtij demtimi është skandal dhe kjo (une pres të shprehen zyrtarët për këtë pjesë). Merxhani dyshon tek “menaxhuesit” e shpenzimeve të bëra në Apoloni, duke vazhduar më tej se “…se ka individë që punojnë në kushte MIZERABEL dhe që në fund janë pre e vandalizmave. Si t’ja bëjmë kur fondet çohen për projekte si veliera dhe aty gjithë strukturat krijojnë lehtësi për barbarizma të tilla?! Vandalizmat e ripërsëritura (kujtoj Shen e Premten në Vlash) janë pasojë e eliminimit të strukturave si “kujdestaret e monumenteve” në 2009 apo dhe mosformimi i inspektoriatit (një fare reinxhersash” planifikuar në ligjin 27/2018, ende të pa formuar apo funksionalizuar. Fokusi është tjetërkund. Shkaku duhet zgjidhur sepse pasojat thjesht do shtohen”.

Ndërsa skandali në Apoloni reflektohet edhe në mediat greke, vandalzimit ministria e kulturës i përgjigjet me “fetesën” për të vizituar parqet arkeologjike falas, por po vazhduan kështu ato do kthehen në parqe kazanësh. Ka ndoshta ndonjë vetëdije nga ana këtij lloj shteti për të shkatërruar deri ne degradim total monumentet që, më pas të ketë justifikim për mirëmbatjeje duke futuir në lojë nismën e PPP-ve, se shteti nuk i mban dot. Po me lekët e traksapaguesve ç’bëhet, me biletat ç’bëhet, me fondet që hedhin tëhuajt për projekte ç’bëhet, me buxhetin e për trashëgimisë ç’bëhet?! Drejtuesit e Parkut e pranojnë vandalizmin që na paska ndodhur më 13 prill nga dora e njeriut e dy prej kolonave të fontanës monumentale të Apollonisë, një monument unikal në botë, por harrojnë përgjegjësitë publike./standard