Çfarë mendimi kishte Platoni për dashurinë?

platoni

Platoni lindi rreth vitit 427 p.e.s dhe vdiq në vitin 347 p.e.s. Ishte i biri i Aristonit dhe Periktionisës, kishte dy vëllezër, Glaykonin dhe Adeimanton. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles por më vonë e quajtën Platoni sepse kishte “gjoks dhe ballë të gjerë”.  

Aristoteli na tregon se dikur gjatë rinisë, Platoni erdhi në kontakt me doktrinat e Kratilus, një nxënës i Heraklitit, i cili së bashku me mendimtarë të tjerë para-Sokratik si Pitagora dhe Parmenidi, i dhanë themelet metafizike dhe epistimologjike kërkimore. Por kur u takua me Sokratin filloi të thellonte më tej njohuritë drejt temës filozofike të virtytit.

E njohu Sokratin kur ishte 20 vjeç dhe qëndroi pranë tij deri në vdekjen e mësuesit të madh (399 para erës sonë).

Pas ekzekutimit të Sokratit kërkoi strehim për pak kohë në Megara, pranë shokut të klasës së tij, Euklidit. Më vonë u kthye në Athinë, ku për 10 vjet iu përkushtua shkrimit të veprave filozofike që mbajnë vulën e filozofisë Sokratike.

Platoni ka dhënë mësim në Akademi intensivisht dhe ka shkruar mbi shumë çështje filozofike, që kanë qënë veçanërisht të lidhura me politikën, etikën, metafizikën dhe epistimologjinë. Ndër shkrimet më të njohura të Platonit janë dialogjet e tij. Mendohet që të gjitha dialogjet autentike të Platonit kanë mbijetuar.

Ai la pas vetes shumë vepra ndër të cilat është “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi“, e cila në gjuhën shqipe erdhi e përkthyer nga Lazër Radi. Një pjesë nga kjo vepër ObserverKult e ka shkëputur dhe e sjell në vazhdim:

I dashur Agaton, m’u duk një fillim i bukur, kur nise fjalimin tënd dhe na the se duhet të tregojmë se ç’natyrë ka Dashuria e më pas të kalojmë në veprat që bën ajo. Ky ishte një prolog që vërtetë më pëlqeu.

Tani, pas asaj fjale të mrekullueshme mbi gjithçka që ka lidhje me natyrën e dashurisë, më thuaj një gjë: Dashuria, është dashuri për diçka të prekëshme apo për diçka që nuk egziston? Nuk të pyes për Dashurinë ndaj nënës apo babait (do të ishte qesharake nëse do të pyesja për një dashuri të tillë), por nëse të pyes, meqë ra fjala për babanë: babai a duhet të jetë baba i dikujt apo jo? Ti sigurisht duke dashur të më japësh një përgjigje sa më të saktë do të thuash: duhet të jetë detyrimisht baba i një djali apo i një vajze, apo jo?” “Sigurisht.”-pranoi Agatoni-“E njëjta gjë vlen edhe nënën?” Edhe në këtë pikë jemi dakord.

“M’u përgjigj edhe njëherë,”-vazhdoi Sokrati-“për një gjë fare të vogël, për të sqaruar pikën ku dua të arrij. Sikur të të pyesja: një vëlla si i tillë , a është vëllai i dikujt?”

“Sigurisht do të jetë vëllai i një vëllai, ose vëlla i një motre.”

“Dakort. Provo ta thuash të njëjtën gjë në lidhje me Dashurinë. Dashuria është Dashuri për diçka, apo Dashuri për asgjë?”

“Sigurisht, dashuri për diçka.”

“Mirë, pra,” –rifilloi Sokrati-“këtë mbaje mend mirë dhe më thuaj:

Dashuria e lakmon apo jo objektin që dashuron?”

“Sigurisht që e lakmon,”-u përgjigj Agatoni.

“Po atë që e dëshiron e dashuron, apo e dashuron dhe e dëshiron sepse e zotëron, apo përkundrazi, pikërisht pse ajo i mungon?”

“Ka mundësi, ngaqë nuk e zotëron,”-u përgjigj ai.

“Ki kujdes,”-këmbënguli Sokrati-“këtu nuk është fjala për mundësi, por për domosdoshmëri logjike; të dëshirosh diçka që nuk e disponon .

Diçka që e ke, s’ke pse ta dëshirosh. Këtu nuk ke nga të luash, sepse për këtë unë jam thellësisht i bindur, ndërsa ti po më dukesh sikur dyshon?”
“Jo, edhe unë jam i bindur.”

“E the mirë. Efektivisht, ai që është i madh a mund të dëshirojë që të bëhet i madh? Dhe të jetë i fortë aq që është i tillë?”

“Nga sa u tha këtu, është e pamundur.”

“Efektivisht, nuk mund të kërkohen ato veti që njeriu I ka.”
“Krejt e qartë.”

“Megjithatë,”-vërejti Sokrati-“ka edhe njerëz të tillë, të cilët ndonëse i kanë këto cilësi, prapë se prapë lakmojnë; fjala vjen ai që është i fortë kërkon të bëhet më i fortë, ai që është i shpejtë kërkon të bëhet më I shpejtë, një që është i shëndetshëm, këkon të bëhet edhe më i shëndetshëm, mjafton që dikush të mendojë kështu, përballë një shembulli të tillë apo rasteve të kësaj natyre, sepse ka persona, të cilët edhe pse i zotërojnë të gjitha këto cilësi, dëshirojnë diçka më tepër (i them të gjitha këto, për të mos rënë në gënjeshtra). Pra, o Agaton si thua ti, ata që i kanë gjithë cilësitë e nevojshme, që i posedojnë ato, a mund t’i dëshirojnë ato?

Po mund të thotë dikush: unë jam i shëndoshë, dëshiroj të bëhem më i shëndoshë, ose duke qenë i pasur, të thotë se do që të bëhet më i pasur , pra e dëshiron diçka të tillë edhe pse ka: ne do të mund ti thoshim: “Ti i dashur, ke pasuri, shëndet dhe forcë, ato do të vazhdosh t’i kesh edhe në të ardhmen, do apo nuk do ti, këto veti posedon; dhe kur thua se i dëshiron edhe ato që I ke , mos vallë kërkon të thuash se dëshiron t’I kesh edhe në të ardhmen ato që ke sot? A je dakord me këtë?”

Aristodemi më tha se Agatoni e pranoi arsyetimin, ndërsa Sokrati vazhdoi: “Të dëshirosh që ta ruash edhe në të ardhmen diçka që e ke sot, a nuk do të thotë kjo se dëshirojmë gjëra që ende s’i kemi poseduar, ose që tani për tani, nuk i kemi.?”

“Sigurisht,”-e pranoi.

“Prandaj, nëse Iksi apo Ypsiloni dëshirojnë diçka, ajo do të jetë gjithmonë diçka, të cilën ata nuk e kanë, të cilës ia ndiejnë mungesën.

A nuk qëndron në këtë pikë e gjithë dëshira dhe dashuria e tyre?”

“Pa dyshim,”-tha.

“Mirë pra, le ta përmbledhim atë për të cilën u morëm vesh. Dashuria para së gjithash është dashuri për diçka dhe, së dyti, është dëshirë për atë që të mungon?”

“Po, gjithmonë.”

“Tani kujtohu për ato që the pak më parë: që Dashuria synon të arrijë diçka. Nëse dëshiron, po përpiqemi të ta kujtoj: po të mos gaboj, se ti ke thënë poshtë e lartë se çështjet midis perëndive u rregulluan falë Dashurisë për të bukurën dhe se për gjërat e shëmtuara nuk ka dashuri: apo nuk është kjo që ke thënë?”

“Po, kjo është,”-pranoi Agatoni.
“E ke thënë thënë tamam në kohën e duhur, i dashur,”-rifilloi Sokrati-“nëse gjërat qëndrojnë kështu, atëherë çfarë është tjetër Dashuria, përveçse dashuri për të bukurën dhe jo për të shëmtuarën”

“Dakord.”

“A nuk e thamë gjithashtu se dashurohet diçka që nuk e ke?”

“Po,”-tha.

“Pra, dashuria nuk e paska të bukurën, pra ajo i mungon.”

“Sigurisht që i mungon.”

“Ai që nuk e zotëron të bukurën, ngaqë ajo i mungon, ti e quan të bukur?”

“Jo aspak.”

“Nëse punët qëndrojnë kështu, ti vazhdon të jesh i mendimit se Dashuria është e bukur?”

“Kam përshtypjen, o Sokrat, se nuk po marr vesh asgjë nga ajo që kam thënë deri tani.”-tha Agatoni.
“Megjithatë ke folur bukur, o Agaton,”-i tha Sokrati-“ më thuaj tani edhe diçka tjetër; ajo që është e mirë a duhet të jetë edhe e bukur?”

“Për mua, po.”

“Pra, nëse Dashuria nuk e paska të Bukurën, ndërkohë ajo që është e bukur është edhe e mirë, atëerë mund të themi se Dashurisë i mungon edhe mirësia?”

“Nuk jam në gjendje të të kundërvihem, o Sokrat, por po e pranoj ashtu si thua ti.”

“Kjo është e vërteta, o shumë i dashuri Agaton, dhe ti nuk mund ta kundërshtosh atë; Sokratin po, atij mund t’i kundërvihesh, pasi kjo gjë nuk është aspak e vështirë.”.

Përktheu: Lazër Radi

(Shkëputur nga libri i Platonit “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi”)

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

—————————————————————————–

neel burton: platoni

Lexo edhe:

NEEL BURTON: ALEGORIA E SHPELLËS SË PLATONIT

Nga Neel Burton

Ndoshta alegoria më e famshme në filozofi është Alegoria e Shpellës së Platonit, në të cilën Platoni, nëpërmjet Sokratit, krahason njerëzit të cilëve u mungon mësimi filozofik, me të burgosurit që kanë kaluar tërë jetën e tyre në një shpellë të nëndheshme dhe nuk e kuptojnë se ekziston një botë e madhe, përtej asaj që ata perceptojnë.

Alegoria e Shpellës nuk është tamam një mit, për aq sa i mungon dimensioni i shenjtë që është thelbi i mitit.

Por, Platoni shkroi gjithashtu mitet e ‘mirëfillta’ në dialogët e tij sokratikë. Duke kapërcyer kështu – dhe në mënyrë të pazakontë për kohën – ndarjen e mprehtë midis mitos dhe logos: midis rrëfimit dhe ligjërimit të arsyetuar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult