Çfarë mund t’i lehtësojë njeriut barrën e përditshmërisë?

namir lapardhaja
Namir Lapardhaja

Nga Namir Lapardhaja

Çfarë mund t’i lehtësojë njeriut barrën e përditshmërisë?

Ka një moment kur ti kridhesh në det, noton, largohesh nga zhurma e bregut dhe, kur sheh që nuk të ndjek askush, qëndron.
E lëshon veten me shpinë mbi ujë, përshëndet diellin me një shkelje të lehtë syri, lëshon lehtësisht kokën dhe veshët të zihen nga uji. Nuk pipëtin asgjë. Nuk ndihet askush. Asnjë zhurmë njerëzore. Vetëm disa oshëtima dëgjon nga larg. Nuk kupton fjalët e njerëzve, vetëm ndjen jehonën e tyre që përcillet nga valët e detit.


Je vetëm mbi ujë.
Ke hapur duar dhe këmbë, je gjysmë i zhytur dhe dëgjohet vetëm hukama jote.
Je ti që dëgjon jehonën e vetvetes.
Është qielli si një tavan i kaltër gjigant, deti me hapësirën e pafundme, ti një pikë e vogël në këtë gjithësi dhe vetja që të shndërrohet në celuloidë dhe të kalon përpara syve.
Ke frikë t’i hapësh sytë, sepse dielli të pengon, ndaj i mrrol ato.
T’i hapësh, nuk mundesh, t’i mbyllësh ke frikë. Qëndron ashtu në një gjendje pezulltie. Ndërkohë merr frymë thellë dhe veshët e zhytur në ujë ta përcjellin në një mënyrë të çuditshme.

Ndihesh i lirë. I lehtë mbi ujë.
Ti, një trup i rëndë dhe i zënë nga intesiteti i ditës, noton mbi ujë si një pendë.
Je aq i lehtë saqë do doje të ishe në këtë gjendje edhe kur të mbaronin këto çaste dhe kur këmbët e tua do të preknin tokën.
Qëndron ashtu dhe do të mos mbarojnë ato çaste.

Tenton sërish të hapësh sytë plotësisht, por sërish nuk mundesh. Këtë radhë nuk është vetëm dielli, që duket sikur të ka vënë në lojë dhe po kënaqet me ty, por edhe kripa e detit që duket se bën të sajën tek cepat e syve.
Por ti vijon dhe qëndron. Nuk do të mbarojnë ato momente. Është lehtësia e trupit dhe largësia e zhurmave që të jep një kënaqësi të pashpjegueshme.
Në ato çaste të vijnë ndër mend disa vargje poetike:


“Det…,
gjithmonë det…
Det që kaltëron përmbi retë…
sa frikë i shtin detarit të shkretë…”


Të kujtohet poeti i këtyre rreshtave dhe pyet veten: a e ka shijuar edhe ai detin, ndërkohë që hidhte në letër këto vargje apo frymëzimi poetik i ka ardhur si një ngasje e brendshme?
Çfarë mendojnë njerëzit e tjerë në këtë gjendje? Çfarë mund t’i lehtësojë njeriut barrën e përditshmërisë? Po të mos ishte kjo mënyrë e të qëndruarit mbi det, a mund ta bënte njeriu dallimin mes peshës dhe lehtësisë së vetes?
Në mendim e sipër, ai që të ndërpret është dielli.
Është i vetmi që e ke kundër në atë gjendjeje. Trupi fillon një djegie të lehtë. Fytyra, po ashtu. E kupton që duhet të ndryshosh qëndrim dhe të bësh diçka, të vijosh notin, ose të kthehesh në breg, aty ku të presin zhurmat, pesha e vetes, dëgjimi i të tjerëve dhe një largësi e pamatshme me këto çaste të ndijimit të vetvetes.

ObserverKult

Lexo edhe:

NXITOJMË SHUMË PËR DY GRUSHT DHE NË FUND…