Çfarë ndodh me një individ kur e jashtmja peshon më shumë se çdo gjë e brendshme e tij?

milan kundera
Milan Kundera

Nga Agim Baçi


(Shënime për romanin “Shakaja” të Milan Kunderës)


Çfarë ndodh me një individ kur e jashtmja peshon më shumë se çdo gjë e brendshme e tij? Milan Kundera na ka sjellë përmes romaneve të tij njeriun në një vend ku shteti ka marrë përsipër çlirimin dhe udhëheqjen e individit, ku janë pezulluar versionet individuale për të vërtetën dhe gënjeshtrën, sepse ato “i di vetëm partia”.
Personazhi kryesor i romanit “Shakaja”, Ludovik Jahn, është pikturë e këtij mekanizmi kur gjërat vendosen nga të tjerë e jo nga idetë e tua. Gjithçka nis kur Ludoviku, i shtyrë nga xhelozia, i shkruan pa u menduar gjatë një kartolinë bukuroshes Marketa, e cila ka pranuar me zell të shkojë në një stazh partie në Bohemi që të përsosë taktikat e lëvizjes revolucionare të komunistëve që sapo kanë marrë pushtetin në Pragë.
“Optimizmi është opium i llojit njerëzor
Fryma e shëndoshë qelbet era marrëzi.
Rroftë Trotski!
Ludoviku”
Kjo është thjesht një shaka, që vjen nga zemërimi i prishjes së planeve që studenti marksist, Ludovik, kishte në lidhje me bukuroshen Marketa. Por, në një vend të tillë, ku shteti ka marrë në dorë jetën dhe fatin e kujtdo, mjafton një shaka, një fjalë jashtë skemave, dhe nis të funksionojë vrullshëm mekanizmi i fajësisë, pa i dhënë të drejtë individit të ketë mendimin e tij për atë që ai tha, për atë që ai shkroi pa menduar asgjë përtej shakasë. Pasi nis ky proces i fajësimit, Ludoviku humb të drejtën për studimet në universitet, humb të drejtën për të bërë ushtri dhe përfundon në qytetin minator të Ostravës, pavarësisht se ai u thotë se nuk e njihte aspak Trotskin dhe se gjithçka ishte një shaka. “Ludoviku nuk është çkishëruar për idetë e tij të një dashnori tinzak, por nga një turmë nën ethet e revolucionit”, shkruante filozofi francez, Alain Finkielkraut, në kohën e prezantimit të romanit në Francë menjëherë pas botimit.
Pra, ethet e turmës kanë nevojë gjithnjë për një armik, që nuk ka nevojë që të bëjë një akt heroik kundër shtetit. Mjafton një fjalë – pikërisht fjala – që të mos jetë sipas asaj që ka vendosur Partia, dhe individi më pas është drejt humnerës së përditshme, i duartrokitur në këtë rrëzim nga ata që jetojnë në dehjen e ekstazës, duke menduar se kanë hipur në kalin e drejtë të historisë.
Romani i Kunderës është një përshkrim i pastër se si depersonalizimi i njeriut është instrumenti më i fuqishëm i një shoqërie totalitare apo autoritare. Pas depersonalizimit nis teknika e fajësimit të vetes dhe jo autoriteteve, që funksionon plotësisht për njeriun e dëshirave, njeriun larg së shenjtës, që e ka për gjënë më të thjeshtë të besojë se ka qenë ai vetë që nuk ka ditur të shfrytëzojë atë që iu dha. Dhe njeriu kthehet në hije të dëshirave të tij, ndërkohë që dikush tjetër, apo disa të tjerë, vendosin se cilat do të jenë tiparet e tij të përditshme. Frika nis pastaj të ketë pushtetin e vet, pa pasur më nevojë që ndaj tij të ketë ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për t’u sprapsur. Madje, në një situatë të tillë, ai mund të ndjejë edhe më shumë frikë që nuk është si disa që mendojnë se “Partia ka të drejtë të dyshojë tek ata, sepse ata nuk e kanë kuptuar mirë të vërtetën e realitetit revolucionar”!
A vlen rikthimi i Ludovikut në qytetin e tij të lindjes për hakmarrje? A ka të njëjtën vlerë me ëndrrën e tij të dikurshme, kur mendonte se i përkiste revolucionit, dhe u bë viktimë e mekanizmave me të cilat revolucionet mbajnë më pas flamujt lart? Kundera e ngre kurthin e rrëfimit te harresa, te pakontrollushmëria e plotë e realitetit të përditshëm. Ai zgjedh ta rikthejë Ludovikun në qytetin e tij duke e spërkatur me larminë e këndvështrimeve të ndryshme, nga Helena, Jerosllavi, Kostka dhe Luçia. Ndërkohë që hakmarrja me profesor Zemanekun është ndoshta edhe gjithë fuqia e komikes, ku ndeshet dëshira për hakmarrje me të përditshmen ekzistenciale.
Për Milan Kunderën, njeriu përballë pushtetit gjendet shpesh nëpër atë rrugë që as nuk mund të fshihet e as t’i kuptojë plotësisht. Kjo e bën shumicën e qytetarëve që në një shtet totalitar apo autoritar, t’i drejtohet një autoriteti, që më pas i çon në botën e dëshirave dhe zbavitjes, duke i joshur me idenë se ajo që po kërkojnë është zgjedhja e vetë atyre. Në një shoqëri të tillë intimiteti nuk është vetëm i individit. Në vend të mendimit funksionon bindja. Intimiteti bëhet më pas lehtësisht i ndashëm dhe i shumëdebatuar, duke krijuar kështu një spektakël të kohës, çka e bën më të rëndësishme se sa vendimet për jetën e gjithkujt. Ky debat për intimitetin në mënyrë publike është pasojë e jetës mekanike për çështjet e shoqërisë. “Agresiviteti i forcës është përsosmërisht i çinteresuar dhe i pamotivuar. Ai s’di gjë tjetër veç vetvetes. Ai është një irracionalitet i pastër”, shprehet Kundera në esse-në e tij “Arti i romanit”, duke shpjeguar edhe fatin e disa prej personazheve të romaneve të tij, përballë larmisë së shfrenuar revolucionare.

ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: MENDIMET JANË HIJET E NDJENJAVE TONA