Nga Nevila Dervishi
Pirro, Mbreti i Epirit (319-272 p.K.), një territor që shtrihej në zona përgjithësisht të banuara nga ilirët dhe më tej nga pasardhësit e tyre, më së shumti njihet si strateg e gjeneral i papërsëritshëm në fushat e betejave.
Askush nuk di të thotë se në cilën gjuhë Pirro komunikonte me ushtarët e njerëzit e tij. Dihet vetëm që ai kishte një lidhje të fortë me gjakun ilir.
Ai ishte kushëri i Olimpias, nënës së Aleksandrit të Madh, ndërsa një lidhje tjetër me ilirët ishte fakti se ai, qysh fëmijë, ishte rritur në oborrin e Mbretit Glauk të Taulantëve, një prej fiseve më të mëdha ilire, zotërimet e të cilit, në kohë të ndryshme, kapnin hapësirën mes lumit Neretva (Bosnje-Hercegovinë) dhe Vjosës.
Por, Pirro i Epirit nuk njihet vetëm për bëmat e tij si strateg ushtarak i antikitetit.
Historia ka lënë pas edhe të dhëna që thonë se ai ishte një mbret i dhënë pas dijes dhe, sa duket, edhe i kujdesshëm për popullin e vet.
Dëshmohet se një pjesë të rregullave, apo normave, të cilat udhëhiqnin veprimtarinë e tij të përditshme, ai i kishte gdhendur në një unazë apo byzylyk, që mbante në dorë, për t’i patur gjithmonë përpara mendjes.
Këtë fakt e zbulon apo e sjell për herë të parë Gjon Muzaka, i quajtur Princ i Epirit, një nga aleatët dhe bashkëluftëtarët e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ai e ka përfshirë përmbajtjen e shkrimeve në unazën e Pirros në testamentin që u ka lënë pasardhësve të tij në vitin 1510, pak vite përpara se të vdiste.
Për herë të parë testamenti i tij është publikuar i përkthyer në shqip në nëntor të vitit 1931 në revistën “Leka” (nr.11), e cila shtypej në Shkodër.
Ja përkthimi i plotë nga italishtja i pjesës që flet për rregullat që Pirro i Epirit mbante të shkruara në unazën e vet:
1- Të fortin nuk e shpërblen sa duhet edhe sikur botën mbarë t’i japësh, të dobëtin nuk e ndëshkon sa duhet, edhe sikur vetë jetën t’ia marrësh.
2- Është më i nderuari ndër të nderuarit ai që goditet prej fatit, pa patur faj, dhe është më i poshtri ndër të poshtër ai që përkëdhelet nga fati pa e merituar.
3- Atë çka mund ta bëni me të mirë, mos e bëni me të keq.
4- Atë që mund ta arrini me paqe, mos e kërkoni me luftë.
5- Atë çka mund ta fitoni duke e kërkuar, mos e humbni duke kërcënuar.
6- Atë çka mund ta ndreqësh pa bërë zhurmë, mos e ekspozo në publik.
7- E ka bërë mirë detyrën ai prind, që lë pas një fëmijë të ditur, por të varfër dhe nuk e ka bërë detyrën ai tjetri, që lë pas një fëmijë të pasur, por budalla.
8- Ka më shumë vlerë një ndihmë e vogël, por e ardhur në kohë, se sa një e madhe, por që mbërrin me vonesë.
9- Njeriu që arrin të bëhet tiran i madh me forcë, meriton të kthehet në skllav me drejtësi.
10- Nuk mjafton që një person te jetë i mirë, është e domosdoshme që ai të ndreqë gjërat që kanë marrë për keq.
11- Në këtë jetë, njeriu duhet të verë në punë mendjen, sepse lumturia është një mall hua, kurse fatkeqësia është pasuria e natyrshme e tij./ObserverKult