Çfarë “testamenti” e kishte lënë aktori i njohur, Bekim Fehmiu…

Sivjet bëhen 14 vjet prej kur Bekim Fehmiu u nda nga jeta. La pas vetes djemtë dhe bashkëshorten Branka Petriq.

Aktorja Branka Petriq ka pohuar në intervista të ndryshme se ende e ka të freskët në kujtesë ditën kur i dashuri i saj, Bekimi, e la këtë botë. Gjërat e tij personale Branka i ruan me devotshmëri në shtëpi.

“…Atë ditë ishte tmerrësisht nxehtë, e mbajë në mend për mrekulli. Ai më nuk është, por gati gjithçka që i takoi atij, gjërat e tij, syzet, topat për ushtrimet e dorës, rrobat, janë në shtëpi dhe për mua secila ditë është e njëjtë sikur këto dhjetë vjet që kaluan”, tha ajo.

Artist i njohur, Bekim Fehmiu, e kishte lënë edhe një si testament, për t’i recituar në mbledhjen komemorative në Prishtinë: “Njeriu këndon pas luftës” nga Dushan Vasiljev.

Unë kam shkelur në gjak deri në gju
Dhe ëndrra më nuk kam.
Motra ime është shitur, nënës flokët e thinjur ia kanë prerë
Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur.
Unë jam i etshëm për ajër, qumësht
Dhe për këtë vesë të bardhë mëngjesi.
Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjë
Dhe nuk kam ditur pse?
Vëllanë armik të madh e kam quajtur
Dhe jam sulur në errësirë përpara duke klithur
Dhe atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikami
Fluturojnë në ferr.
Dhe sot i qetë shikoj se si cikërrimtari zgjeban
Të dashurën grua ma përqafon
Se si vërshima pullazin ma shpartallon
Dhe nuk kam dëshirë e as fuqi që t’i hakmirrem.
Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe qumësht
Dhe pakëz vesë,
Vesë të bardhë mëngjesi
Të tjerat i paçit për nder.

***

Bekim Fehmiu: Besa është vlera më e lartë etike njerëzore

Bekim Fehmiu, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, në vitin 2001 në një intervistë për gazetën serbe “Vreme” ka folur edhe për besën, virtyt ky që dallon te shqiptarët.

“Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…” – ka thënë ai.

Gjurmët e Bekim Fehmiut në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare janë të mëdha. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Petriq: Si e gjeta pasi kishte ndërruar jetë?

Aktorja Branka Petriq dhe bashkëshorti i saj, Bekim Fehmiu ishin të martuar për gati pesë dekada, dhe ishin çift për t’u pasur zili.

“Kemi kaluar momente të shkëlqyera dhe të tmerrshme, por ajo që ishte konstante, si një spirancë, ishte dashuria jonë. Dhe ajo, aspak patetike, mbeti deri në fund të jetës sonë. Kemi pasur qetësi dhe stuhi, ngritje dhe zbritje në jetë, e cila zgjati gati pesëdhjetë vjet”, ka deklaruar Branka, e cila me aktorin shqiptar ka dy djem, Uliksin dhe Hedonin, transmeton ‘espresso.rs’.

Megjithatë, një e shtënë me armë ka ndryshuar gjithçka në jetën e tyre. Bekimi ka kryer vetëvrasje në vitin 2010 në apartamentin e çiftit në Beograd.

“Ato ditë të fundit, Bekimi ishte i njëjtë dhe asgjë nuk tregonte se tragjedia ishte në ‘prag të derës’. Një ditë më parë, luajta në shfaqjen ‘Ashtu është duhur të jetë’, në të cilën personazhi kryesor kryen vet ëvrasje me armë. ‘Çfarë ironie?’. Të nesërmen kemi qenë së bashku në shtëpi, dhe rreth orës 14 i kam thënë Bekimit se po shkojë te floktarja. Më përcolli deri te dera dhe më pyeti a kam shfaqje sot. Iu përgjigja që jo dhe i thashë që tërë mbrëmjen do të jemi së bashku, dhe ai më përqafoi. Me asgjë nuk e ka vërejtë se do të jetë kjo hera e fundit që do ta shoh të gjallë në jetën time”.

Detajet e aktit i mori vesh në momentin kur u kthye nga floktarja ndërsa u ballafaqua edhe me momentet e para të pas vet ëvrasjes së aktorit.

“Kam hyrë në dhomën e punës, ku gjendet një bibliotekë dhe një kompjuter. Bekimi ishte shtrirë në një karrige ngjyrë vishnje, e cila ishte e mbuluar plotësisht me një çarçaf të bardhë. ‘Shih çfarë flokë kam tani’ i thashë gjersa iu afrova atij duke pritur si gjithmonë komentin e Bekimit, por nuk kishte asnjë përgjigje. Madje, e pyesja veten se pse e mbulonte kokën me çarçaf të bardhë. Në tryezë, përkrah kompjuterit kishte vendosur letërnjoftimin, patentën e shoferit dhe armën. Aty ishte edhe një letër që më kishte drejtuar pas vetëvrasjes, ku kishte shkruar edhe për të bijtë dhe vëllezërit e tij. Unë mendoj se e kishte mbuluar veten me rastin e vetëvrasjes në mënyrë që ne mos të përjetojmë tronditje dhe muret mos të zhyteshin. Çfarë vdekje estetike. Ai gjithçka e kishte llogaritur”, tha ndër të tjerash Branka, duke e përshkruar momentin më të vështirë të jetës.

Ajo e zbuloi se çka kishte shkruar edhe në letrën e lamtumirës.

“Letra ishte e shkruar me një bukurshkrim, që mund të ndodh që e ka shkruar edhe më herët, dhe në të tregonte se na donte shumë, dhe po shkon shumë i qetë dhe i vendosur. Nuk deshi që për këtë ta njoftojmë publikun dhe që as lamtumira të jetë publike. Mënyra se si shkoi nga kjo botë dhe e tërë ajo që ndodhi, tregon se ai nuk frikësohej nga vdekja”, tha Branka.

Përgatiti: V. K.- ObserverKult


Lexo edhe:

NGA KUJTIMET E BEKIM FEHMIUT… TAKIMI ME IRENE PAPAS